3. Provat shqisore
Dr. Ahmed el Kadi
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta.” (Fusilet, 53)
Ato shfaqen në forma të ndryshme. Për shembull: mrekullitë e pejgamberëve, nderimet (kerametet) e miqve të Allahut, njerëzve të mirë, si dhe përgjigjja e lutjes së atyre që i luten Allahut.
Allahu i Lartësuar, për të dërguarin e Tij, Nuhun, alejhi selam, thotë: “Kështu, ai iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!” Dhe Ne i hapëm dyert e qiellit me ujë të rrëmbyeshëm dhe i shpërthyem burimet e tokës, e u takuan ujërat për një qëllim të paracaktuar. Ndërsa Nuhun e bartëm në një barkë (të ndërtuar) prej dërrasash dhe gozhdësh, e cila lundronte nën Sytë Tanë (nën mbikëqyrjen dhe kujdesin Tonë): si shpërblim për atë (Nuhun) i cili u mohua.” (El Kamer, 10-14) Gjithashtu, thotë: “Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh. Atëherë Ne i afruam aty të tjerët. Musain dhe të gjithë ata që ishin me të, i shpëtuam, kurse të tjerët i fundosëm. Pa dyshim, në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.” (Esh Shuara, 63-67) Po ashtu, i Lartësuari, për Isain, alejhi selam, thotë: “Dhe do ta caktojë atë të dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur e të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Alu Imran, 49)
Gjëra të ngjashme i kanë ndodhur edhe të Dërguarit tonë, Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem. Nga Enes ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të!, përcillet se një burrë kishte hyrë në xhami ditën e premte, ndërkohë i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte në këmbë duke ligjëruar. Ai iu drejtua të Dërguarit duke qenë vetë në këmbë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, u shkatërruan pronat dhe u prenë rrugët. Lute Allahun të na çojë shi!” I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!” Enesi thotë: “Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re shiu, madje as re të imëta, përfshirë vendin ku ishim e deri në malin e Selit.” Vazhdon: “Pas tij doli një re si mburoja dhe, kur ajo u afrua në mes të qiellit (mbi ne), u përhap dhe filloi së reshuri. Rrëfen: “Betohem në Allahun se nuk e kemi parë Diellin një javë rresht!” Pastaj, xhumanë tjetër, një njeri hyri nga po e njëjta portë; ndërkohë i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte në këmbë duke ligjëruar. Personi në fjalë iu drejtua atij duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, u shkatërruan pronat dhe u prenë rrugët! Lute Allahun të na e ndalë shiun!” Thotë: “I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, i ngriti duart dhe tha: “O Allah, (çoje shiun) rreth nesh e jo sipër nesh! O Allah, ktheje shiun mbi pllaja në male, në kodra e lugina dhe atje ku rriten pemët!” Vijon: “Sakaq, shiu u ndal dhe, kur dolëm nga xhamia, ecnim në diell.” (E shënojnë Buhariu dhe Muslimi)[1]
Allahu i Lartësuar, në mënyrë të përgjithshme, thotë: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka zot tjetër krahas Allahut?! Sa pak që reflektoni!” (En Neml, 62)
Kështu, mrekullitë e pejgamberëve, përgjigjja e lutjes së atyre që e lutin Allahun e shpëtimi i atyre që janë në vështirësi, janë argumente shqisore që i kanë perceptuar masa të mëdha njerëzish, gjë që dëshmojnë bindshëm ekzistencën e Dërguesit[2] të këtyre mrekullive; Atij që u përgjigjet lutjeve dhe Atij që i shpëton nga vështirësitë. I Patëmeta është Allahu!
[1] Buhariu (1014) dhe Muslimi (894).
[2] Allahut të Lartësuar, i Cili i dërgon mrekullitë që me to të përkrahë të dërguarit e Tij. Shënim i përkthyesit.