Youtube/Tezkije
Metodat efikase që përdorin specialistët e fushës
Dr. Ali ibn Imrani
 11.05.2022

(Leximi është arteria që mban gjallë njohurinë)

Të dashuruarit dhe të magjepsurit pas leximit, praktikojnë disa metoda leximi që njihen në biografitë e regjistruara dhe historitë e këndshme që rrëfehen për ta. Po njësoj, edhe shkrimtarët kanë metodat e tyre specifike që i kanë treguar vetë personalisht dhe kanë folur rreth tyre në libra të njohur dhe deklarata që janë bërë publike. Nuk kam qëllim në fakt të mbledh përvojat e tyre që tregohen në histori, biografi, kryevepra a punë të rralla, sepse këtë gjë e kanë konsumuar si temë libra të ndryshëm, ashtu sikurse edhe unë kam shkruar në librin tim “El Mushevvik Ile-l Kiraet ue Taleb el Ilm” si dhe të tjerë mes të cilëve përmend librin “El Kitab Fil Hadarah el Islamije” të Jahja el Xheburit dhe librin “El Kitab Fil Hadarah el Islamije” të Abdullah el Habeshiut, por qëllimi im është të përmend disa tituj dhe një a dy përshkrime praktike që të informojnë rreth temës.

Rënia në dashuri me librin

Tregimet që rrëfehen për këto raste nuk i përmbledh dot asnjë libër. Dua të përmend vetëm që Ebu el Ala el Hemedhani ka shitur shtëpinë e tij për të blerë bibliotekën e një dijetari që pati ndërruar jetë. Këtë gjë e ka bërë edhe Ibn el Khash-shabi gramatikan i njohur, si dhe Ibn Xheuzi që shprehet se: “Kur më bie në dorë një libër që nuk e kam parë më parë, ndiej se kam gjetur një thesar.”.

Biblioteka e pasur

Shumë dijetarë kanë pasur biblioteka madhështore, ndërsa dijetarët që nuk i ndihmonte dot biblioteka e varfër që kishin, kishin mundësi nga ana tjetër të gjurmonin në bibliotekat vakëf që gjendeshin për ta. Ibn Kajimi ka qenë një nga figurat me bibliotekën më të pasur. Pasi ai ndërroi jetë, fëmijët e tij i shitën disa nga librat që kishte për një kohë të gjatë. Ibn Kajimi blinte biblioteka të plota dhe lexonte për të zhvilluar bazat e mrekullueshme të dijes. Të njëtën gjë bënte Ibn Tejmija, Ibn el Khash-shabi, El Irakiu, Ibn Haxheri, Ebu el Ala el Hemedhani, Ibn Xheuzi, El Kifti, Murteda ez-Zebidi, El Bagdadiu, Shihab el Khafaxhi, Abdul Hajj el Kittani, Ahmed Tejmur Basha etj..

Nga metodat e tyre mund të përmendim:

 

Përsëritja e një libri shumë herë

Këta dijetarë shoqëroheshin nga libri kudo, në vendbanimet e tyre, por edhe gjatë udhëtimeve, gjë që i bënte ta lexonin librin e ta ripërsërisnin disa herë. Disa nga historitë që tregohen janë: Ibn Atija e ka përsëritur sahihun e Buhariut shtatëqind herë. Ai gjithashtu e ka lexuar librin me kopje dorëshkrimesh të ndryshme para imam El Junaniut brenda një viti njëmbëdhjetë herë, sikurse këtë dorëshkrim, imam En-Nuvejriu e ka shkruar me dorë shtatë herë.

Ata gjithashtu e kishin si metodikë studimin e një libri disa herë, duke u specializuar në libër e duke zgjidhur paqartësitë që mund të hasen aty. Kështu, ata ishin të gatshëm të jepnin mësim dhe të ndihmonin studentët për vite me rradhë. Si rast mund të përmendim imam Zerkeshiun i cili njihesh me epitetin “El Kafijexhi” që ishte një bashkim i dy tituj librash; “El Kafije” dhe “El Minhaxh” të cilat ai i kishte mësuar përmendësh që i vogël.

Leximi i vëllimeve të mëdha në një kohë rekord

Ishte e zakonshme që këto figura të lexonin libra voluminozë në disa mexhlise[1] leximi, duke i kushtuar rëndësinë e vet stilit të leximit standard e analitik, me një durim të pashoq nga vetë dijetari e nxënësit e tij. Ata e praktikonin këtë gjë për shumë arsye, si shfrytëzimi i dijetarit, shfrytëzimi i tij në kohë udhëtimesh apo kur vetë studentët kishin statusin e mërgimtarit që së shpejti i duhej të kthej në vendin e tij etj...

Leximi i librave dhe nxjerrja e përfitimeve prej tyre

Kjo metodë e ndjekur nga dijetarët dhe studentët e tyre është gati e pamundur të çrrënjoset. Nuk ka dijetarë që të mos ketë regjistruar shënime, qofshin të shumta apo jo, duke shkruar përfitimet e nxjerra nga librat e lexuar. Nga këto regjistra shënimesh përmendim: “Tedhkirat el Mikrizi” e cila është tetëdhjetë vëllime, “Ed-Deguli” katërqind vëllime, “Es-Safediu” e shkroi me mbi tridhjetë vëllime, pjesë të të cilit gjenden në disa biblioteka. Unë vetë së fundmi kam zbuluar disa pjesë të këtij të fundit në bibliotekën “Es-Sujuti” në Medinen profetike, sikundër kam gjetur gjithashtu edhe “Tedhkirat es-Sujuti” dhe “Ibn Irakiu”, si dhe “Tedhkirat el Mualim” që shkonte deri në tridhjetë vëllime.



[1] Kjo fjalë përdoret në këtë fjali me kontekstin e një takim-mbledhjeje. (Shënim i përkthyesit)

Përktheu nga arabishtja: Gent H. Nela

(Vazhdon...)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja