Youtube/Tezkije
4. Legjislacioni i saktë (sheriati)
Dr. Ahmed el Kadi
 22.05.2022

 
Ekzistimin e Allahut e dëshmojnë Kurani dhe Suneti autentik (tradita profetike).
 
Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, në të do të gjenin shumë kundërthënie.” (En Nisa, 82) Gjithashtu, i Lartësuari thotë: “O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi)[1], nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme (Kurani).” (En Nisa, 174) Po ashtu, thotë: “O njerëz! Ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57) Dhe thotë: “Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne të kemi shpallur ty Librin që u lexohet atyre? Me të vërtetë që në të ka mëshirë dhe këshillë për njerëzit që besojnë.” (Ankebut, 51)
 
Lajmet e fshehta e të vërtetuara, besimet e shëndosha, legjislacionet e drejta dhe moralet e bukura që përmban Kurani i madhërishëm janë argument se ato janë nga Allahu e kurrsesi nuk mund të jenë nga nga ndonjë krijesë a dikush tjetër përveç Tij.
 
Nisur nga ky fakt, asnjë njeri nuk e mohon realisht ekzistencën e Allahut. Mirëpo, disa kategori ateistësh, në të kaluarën dhe të tashmen, pretendojnë një gjë të tillë, si:

 
1)   Dehrijunët (ata që besojnë në faktorin kohë)
 
Këta kanë qenë disa filozofë dehrijunë, të cilët besonin se bota është e vjetër dhe e përjetshme. Në kohën tonë, atyre u shëmbëllejnë të ashtuquajturit “ateistët e rinj”. Dehrijunët janë ata që kanë thënë: “Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron.” Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu.” (El Xhathije, 24)
 
Ata pretendojnë se bota lëviz vetvetiu, se ajo ekziston pafundësisht dhe nuk zhduket! Po ashtu, ata thonë: Barqet janë ato që lindin e toka është ajo që na i kapërdin, rrjedhimisht vetëm koha është ajo që na shkatërron! Ata i lanë krijesat pa Krijues, ndaj Allahu iu kundërpërgjigj me fjalët: Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë.” As nga ana logjike, fetare e shqisore, as nga natyra e pastër njerëzore. Madje, pretendimi i tyre nuk është gjë tjetër veçse supozim dhe hamendje. “... ata vetëm hamendësojnë ashtu.”

 
2)   Natyralistët
 
Të cilët deklarojnë se gjithësia është krijuar nga vetë natyra. Rrjedhimisht, gjërat, si: bimët, gjallesat, materiet joorganike dhe veçoritë e tyre, kanë krijuar vetveten dhe lëvizjet e tyre. Kundërpërgjigjja ndaj tyre është shumë e thjeshtë: është e pamundur që diç të jetë krijues dhe i krijuar njëherazi! Allahu i Lartësuar thotë: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos ata janë krijues të vetvetes?! (Et Tur, 35)
 
Natyra, së cilës ia dedikojnë krijimin, është një tërësi e materieve inorganike: e shurdhër, e verbër dhe memece, nuk ka as ndjenja, as ndjesi. E si, vallë, të krijojë krijesa të gjalla që dëgjojnë, shikojnë, flasin, kanë ndjesi dhe ndiejnë dhimbje dhe shpresë?! Ai që nuk ka, s’mund të japë.

 
3)   Sudfijunët (ata që besojnë në rastësinë)
 
Ata që deklarojnë se krijesat janë krijuar në mënyrë të rastësishme, gjë që nënkupton se, mbledhja e atomeve dhe molekulave në mënyrë të rastësishme ka nxjerrë në pah jetën dhe formimin e krijesave të shumëllojshme, pa kurrfarë sistemimi a menaxhimi të mëparshëm. Thjesht, të imagjinuarit e këtij supozimi mjafton për rrëzimin dhe shembjen e tij. Përpikëria e krijimit, sistemi i tij i mrekullueshëm, vazhdimësia e ligjeve të tij konsekuente dhe balancimi i përsosur e bëjnë të pamundur pretendimin se krijesat janë krijuar rastësisht. Allahu i Lartësuar thotë: “E tillë është fuqia e Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë.” (En Neml, 88) Gjithashtu, thotë: “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (Et Talak, 12)

 
4)   Komunistët
 
Komunistët janë pasuesit e Karl Marksit, të cilët deklarojnë: Zoti nuk ekziston, jeta është thjesht materie.
 
Meqë shtetin e tyre, Bashkimin Sovjetik, e formuan mbi këtë breg të rrënuar dhe besim të kotë, ra për një kohë të shkurtër dhe u copëtua në shtetthe të shumta.

 
5)   Individë të veçuar përgjatë historisë
 
Bie fjala, Faraoni, që hiqej sikur mohonte Zotin, duke thënë: “E ç’është Zoti i botëve?” (Esh Shuara, 22) Më pas, këtë gjë (të qenët Zot) ia atribuoi vetes, kur tha: “Unë jam Zoti juaj më i lartë!” (En Naziat, 24). Pastaj vazhdoi dhe pretendoi hyjnizimin e vetes, duke thënë: Unë nuk di që për ju ka tjetër zot (hyjni) përveç meje!” (El Kasas, 38) Ai e kërcënoi Musain, alejhi selam, duke i thënë: “(Faraoni) tha: “Nëse ti e merr për zot (hyjni) tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!” (Esh Shuara, 28)
 
Edhe Nemrudi, që kishte bërë fjalë me Ibrahimin, alejhi selam, për Zotin e tij: Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” - ai u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje.” Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti gojëhapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” (El Bekare, 258)
 
Të gjithë ata kanë qenë në kontradiktë me vetveten dhe në kundërshti me natyrshmërinë e tyre, gjë të cilën e ka dëshmuar Allahu kundër tyre me fjalët: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta. Pa shiko, cili ka qenë fundi i shkatërrimtarëve!” (En Neml, 14) Mu për këtë këta njerëz nuk zënë vend në asnjë listë të njerëzve autoritarë e nuk lënë gjurmë në histori.
 


[1] Sal-lallahu alejhi ue selem.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja