1. Përkufizimi i Kuranit nga ana leksikore. Një pjesë e dijetarëve të gjuhës janë të mendimit se fjala Kuran është ndërtuar nga folja lexoj (kara’e), pjesorja lexuar (kiraetu), që ka kuptimin e leximit.
Disa të tjerë mendojnë se Kurani është emër i përveçëm, i pamotivueshëm, i parmë. Pra, nuk është marrë nga folja kara’a, porse është emër i përveçëm i Librit të Allahut, sikurse emrat e librave të tjerë qiellorë: Ungjilli dhe Teurati.
Ndërkaq, disa të tjerë kanë thënë: Kuptimi i fjalës Kuran është mbledhës. Pra, është quajtur Kuran, sepse mbledh dhe grumbullon suret.
2. Përkufizimi i Kuranit nga aspekti fetar. Dijetarët kanë dhënë përkufizime të shumta për Kuranin, porse më përmbledhësi dhe më i miri ndër ta është: “Kurani është ligjërimi i paimitueshëm i Allahut, i cili i është shpallur Muhamedit ﷺ, përcjellë prej tij masivisht, leximi i të cilit është adhurim.”
“Ligjërimi i paimitueshëm i Allahut”: domethënë, ai nuk është ligjërim njerëzish, xhinësh, engjëjsh e as profetësh, por është fjalë e Allahut, të cilën Ai e ka folur realisht, ashtu siç i takon madhërisë së Tij.
“... i cili i është i shpallur Muhamedit...”: në këtë pjesë përkufizimi përjashtohen librat e tjerë zbritur të dërguarve përpara Muhamedit ﷺ, si: Fletushkat e Ibrahimit, Teurati, zbritur Musait, dhe Ungjilli, zbritur Isait (paqja e Zotit qoftë mbi ta!).
“... përcjellë prej tij masivisht...”: në këtë pjesë përjashtohet ajo që është pretenduar se është Kuran, që nuk është përcjellë masivisht.
“... leximi i të cilit është adhurim”: kjo përjashton hadithin kudsij, sepse leximi i tij nuk është adhurim më vete, edhe pse është fjalë që i atribuohet Allahut të Lartësuar.
3. Emrat e Kuranit fisnik. Allahu i Lartësuar e ka emërtuar Kuranin fisnik me emra të shumtë, të cilët e kalojnë numrin pesëdhjetë, por që më të njohurit janë të mëposhtmit:
Libri, sepse ai në vetvete mbledh histori, mrekulli, legjislacione dhe informacione që kanë ardhur për shkaqe të caktuara.
Rikujtimi, sepse ai përmban këshillim, qortim dhe të dhëna për popujt e shkuar, si dhe ngaqë ai dhuron krenari dhe lavdi për këdo që e merr për të vërtetë dhe beson në ajetet e tij. Po ashtu, ai është dallues mes së vërtetës dhe së kotës.
Vërtetësia, vlera dhe ruajtja e Kuranit nga ndryshimet
Kurani është libri i fundit qiellor dhe përmbyllësi i tyre, është më i gjati, më përmbledhësi dhe gjykues për ta.
Allahu thotë në Kuran: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre.” (El Maide, 48)
Në një ajet tjetër thotë: “Ky Kuran është i tillë që nuk mund të bëhet prej dikujt tjetër veç Allahut, por është vërtetues i shpalljeve të mëparshme dhe shpjegues i Ligjit (për njerëzit) dhe, pa dyshim, është zbritur nga Zoti i botëve!” (Junus, 37)
Ndërkaq, në një tjetër ajet thotë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.” (Jusuf, 111)
Komentuesit e Kuranit, në lidhje me fjalën: “... dhe mbizotërues ndaj tyre”, kanë thënë: “Dëshmitar për librat përpara tij dhe vërtetues i tyre. Pra, vërtetues i asaj që është e vërtetë dhe mohon devijimet e ndryshimet që kanë ndodhur në ta, si dhe është gjykues për ta, duke i shfuqizuar ose konfirmuar.”
Kuranit i nënshtrohet çdokush që kapet pas librave të mëparshëm e që nuk ka devijuar. Allahu thotë: “Ata që Ne ua kemi zbritur Librin para tij (Kuranit), i besojnë atij. Kur u lexohet atyre (Kurani), ata thonë: “Ne e besojmë atë. Pa dyshim, ai është e vërteta nga Zoti ynë. Vërtet, Ne edhe para tij kemi qenë të nënshtruar ndaj Zotit.” (El Kasas, 52-53)
Allahu i Lartësuar prej njerëzve pranon vetëm fenë që e ka deklaruar në këtë Kuran.
Dijetari Abdurrahman Sadi, në lidhje me fjalën e Tij: “... dhe mbizotërues ndaj tyre”, ka thënë: “Ai përmbledh ato që janë përmendur në librat e mëparshëm, si dhe përmend gjëra shtesë në çështjet që kanë të bëjnë me Zotin dhe sjelljet madhore; ai është libër që përmban krejt të vërtetën e përmendur në çdo libër, urdhëron e nxit për të, si dhe ka përmendur rrugë të shumta që të çojnë drejt saj.”
Ai është libër që përfshin ngjarjet e të hershmëve dhe të vonshmëve. Ai është libër që përmban dije të thella dhe urtësi. Në të shfaqen dispozitat e librave të mëhershëm, ato për të cilat dëshmon se janë të vërteta, janë të pranuara, ndërsa ato të cilat i refuzon, pa dyshim se ato i ka prekur tjetërsimi dhe devijimi. Përndryshe, nëse do të ishin nga Allahu, nuk do të kishte mundësi t’i kundërshtonte.
Kurani famëlartë është mesazhi i fundit për njerëzimin, dërguar nga Allahu. Madje, ai është për njerëzit dhe xhinët, ndryshe nga librat e tjerë qiellorë, të cilët kanë qenë vetëm për një popull e një kohë të caktuar.
Një tjetër e vërtetë e rëndësishme është fakti se Kurani është i ruajtur nga shtimi, heqja a tjetërsimi. Allahu i Lartësuar ka garantuar ruajtjen e tij, ku thotë: “Vërtet, Ne e kemi shpallur Rikujtimin dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri.” (El Hashër, 9) Rikujtimi është Kurani.
Në lidhje me ajetin: “... dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri”, komentuesit e Kuranit janë shprehur se ka kuptimin: do ta ruajmë atë prej çdo lloj ndryshimi, qoftë shtesë, qoftë heqje, kështu që askush nuk ka mundësi që të shtojë në të diçka të kotë e as të heqë prej tij diçka të vërtetë.
Kurani ka ndikim të theksuar në zemra. Çdokush që e dëgjon atë me vëmendje, do të përjetojë një ndikim të jashtëzakonshëm në vetvete, edhe pse mund të mos i kuptojë argumentet e tij. Madje, ky ndikim shihet edhe tek ata persona që nuk i njohin kuptimet dhe orientimet e tij, madje dhe tek ata që nuk e njohin fare gjuhën arabe, gjë që është një nga sekretet që tregojnë madhështinë e Kuranit.
Pa dyshim, ky Kuran ka një ndikim të madh edhe në zhvillimin dhe suksesin e popujve, sepse nga popujt arabë pikërisht ai nxori dijetarë e mendimtarë dhe i bëri ata popullin më të mirë të dalë ndër njerëz, pasi qenë zhytur në errësirën e injorancës.
Nga veçoritë e Kuranit mund të përmendim faktin se ai përmban gjykimet më të drejta, më madhështore, më fisnike dhe më gjithëpërfshirëse. Ai nuk ka lënë asgjë të vogël e të madhe pa përfshirë, qoftë në mënyrë të përgjithësuar, qoftë në detaje. Këtë e dëshmon çdokush që është i logjikshëm dhe i paanshëm, edhe në qoftë jomusliman.
Për më tepër rreth pozitës dhe madhështisë së Kuranit do të flasim në temat e mëposhtme, sidomos kur të trajtojmë mrekullinë e Kuranit.