Youtube/Tezkije
Besimi në zotërimin e Tij
Dr. Ahmed el Kadi
 31.05.2022

Besimi në zotërimin e Tij (rububije) nënkupton bindjen e palëkundshme se vetëm Allahu i Lartësuar është Zoti, Krijuesi, Sunduesi dhe Urdhëruesi. Fjala Zot d.m.th. Zotëria, Sunduesi, Zotëruesi i çështjeve, i Cili me mirësitë e Tij kujdeset për të gjitha krijesat. Allahu i Lartësuar thotë: “(Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?” (Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar.” (Ta Ha, 49-50)
 
Rreth sferës së zotërimit të Allahut sillen tri çështje:
 
1.      Krijimi
 
Allahu është Krijues i çdo gjëje dhe gjithçka përveç Tij është e krijuar. Ai, i Lartësuari, thotë: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.” (Ez Zumer, 62) Dhe thotë: “... i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet.” (El Furkan, 2) Çdo lloj krijimi që i dedikohet dikujt përveç Allahut është krijim relativ, që nënkupton formimin, hartimin e diçkaje dhe paracaktimin, e jo krijimin nga asgjëja, siç thotë i Lartësuari: “Qoftë i Lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!” (El Muminun, 14)

2.      Sundimi
 
Allahu është Sunduesi, e të tjerët përveç Tij janë të sunduar. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk e di ti se vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës? Përveç Allahut ju nuk keni tjetër mbrojtës e as ndihmës.” (El Bekare, 107) Gjithashtu, thotë: “Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe (vetëm) Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Alu Imran, 189) Njashtu, thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash...” (Alu Imran, 26) Po ashtu thotë: “... nuk ka ortak në pushtet...” (El Isra, 111) Dhe thotë: “Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës.” (Fatir, 13) Çdo sundim që i dedikohet dikujt tjetër përveç Allahut është sundim i kufizuar, i përkohshëm dhe i pjesshëm, sikurse qëndron në fjalën e Tij: “O populli im, sot juve ju përket pushteti i Tokës...” (Gafir, 29) Dhe në fjalën e Tij: “... ose me atë që e keni në pushtetin tuaj.” (En Nisa, 3) Ndërkaq, sundimi i plotë e absolut i takon vetëm Allahut të Lartmadhërishëm. Allahu thotë: “Vërtet, jemi Ne që e trashëgojmë Tokën dhe gjithçka që gjendet në të dhe ata te Ne do të kthehen.” (Merjem, 40)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja