Youtube/Tezkije
(2) Lodhu duke mësuar dhe rezultatin merre shtruar!
Dr. Ali ibn Imrani
 05.06.2022

2) Problemi më i madh me studentin sot është se ai e sheh rrugën e dijes shumë të gjatë dhe nxitohet për të arritur shumë shpejt frytet e dijes

Biri im! A ke parë ndonjëherë një arritje të madhe pa sakrifica?!

Dija duhet të merret me hapa, sikurse ushqimi duhet përtypur mirë që ta shijosh në maksimum dhe të jetë i shëndetshëm. Nëse do ta kalonim ushqimin pa e përtypur, trupi do ta treste me vështirësi dhe do të kishte pasoja negative.

Pra, vaktet e shpejta në dije ngjajnë me vaktet e shpejta të ushqimit. Ato të japin ndjesinë e ngopjes, por më vonë do të shfaqin pasojat e dëmshme.

Koha moderne është koha e zhvillimit të gjërave me ritëm të shpejtë dhe kjo ka ndikuar me patjetër edhe te studentët. Kështu, vëren se studenti sot kërkon ta mësojë të tërë dijen me një kurs të shpejtë brenda një apo dy javësh, madje edhe me kurse ditore. Ndodh që të bëjë disa kurse në fusha të ndryshme brenda disa javësh dhe për të ka rëndësi vetëm që të thuhet se ka studiuar, por nuk i intereson se sa ka arritur në ato dije. Kjo është frika që më ngërthen, që të dalin studentë të këtij tipi që shtiren sikur janë të ditur, por në të vërtetë nuk janë të tillë.

E njëjta gjë ndodh dhe me ata që nxënë përmendësh një libër brenda një apo dy muajsh. E çfarë pastaj? Do të të ikë nga mendja shumë shpejt sikurse e mësove shumë shpejt, do të avullojë nga kujtesa jote dhe ngadalë do të fillosh të lësh studimin real ose do të merresh me diçka dytësore. Dija e vërtetë qëndron kur studimi merr kohën e vet dhe nxënia përmendësh arrihet hap pas hapi, si dhe duke i ripërsëritur vazhdimisht dijet e duke hulumtuar në mënyrë permanente.

Kurrë nuk mund të gjesh një dijetar të specializuar në fushën e tij që të ketë dalë i tillë nga një kurs intensiv ose nëpërmjet një rastësie të shpejtë. Shikoni dijetarët dhe studiuesit seriozë rreth jush dhe meditoni se si kanë arritur të bëhen ashtu siç janë sot.

Prandaj mendoj se dy këshilla vlejnë më shumë se çdo gjë tjetër për studentin: Lodhu duke mësuar dhe rezultatin merre shtruar!

Përktheu nga arabishtja: Gentian H. Nela


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja