Stolise vetveten duke gjallëruar anën e jashtme dhe të brendshme me frikë ndaj Allahut, më të Lartit, duke ruajtur mirë karakteristikat (simbolet) e Islamit, duke manifestuar dhe përhapur Sunnetin me anë të zbatimit të tij dhe thirrjes tek ai. Të jesh udhëzues për tek Allahu me diturinë, sjelljet dhe veprimet tuaja, duke qenë i pajisur me burrëri, butësi dhe sjellje të mira.
Baza e gjithë kësaj është frika ndaj Allahut, më të Lartit dhe për këtë Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Esenca e dijes është frika ndaj Allahut, më të Lartit”.
Prandaj, ji i devotshëm ndaj Allahut haptas dhe fshehtas, se njeriu më i mirë nga të gjithë është ai i cili e ka frikë Allahun, e nuk i frikësohet Atij vetëm se i dituri, kështu që personi më i mirë është dijetari. Dhe, mos të të ikë nga mendja fakti se i dituri nuk konsiderohet dijetar, përderisa nuk vepron (në bazë të diturisë së tij) dhe i dituri nuk zbaton dot diturinë e tij nëse nuk e ka frikën ndaj Allahut gjithnjë prezentë.
Khatibi ka transmetuar përmes një zinxhiri transmetuesish, që zgjon kureshtjen, prej 9 baballarësh, ai tha: Na ka treguar Abdul Feregj ‘Abdul Vehhab i biri i Abdul Azizit, i biri i Harithit, i biri i Esedit, i biri i Lejthit, i biri i Sulejmanit, i biri i Esvedit, i biri i Sufjanit, i biri i Zejdit, i biri i Ukejnes, i biri i Abdillah et Temimit, ku secili thotë më ka treguar babai i im, derisa i fundit (Ukejne) thotë: Kam dëgjuar Ali bin Ebi Talib duke thënë: “Dituria fton veprën dhe nëse ajo nuk i përgjigjet, dituria ik” Tekst i ngjashëm me këtë është transmetuar edhe nga Sufjen Eth-thevri (18), Allahu e mëshiroftë.
Përcjellja e vazhdueshme (e Allahut)
Ki parasysh përcjelljen e vazhdueshme të Allahut kur je në shoqëri dhe në vetmi, duke udhëtuar nga Zoti yt në mes të frikës dhe shpresës pasi këto për myslimanin janë sikurse dy krahët për zogun. Drejtohu nga Allahu me tërë qenien tënde, le të mbushet zemra jote me dashuri ndaj Tij, gjuha jote me përkujtim ndaj Tij dhe kënaqu e gëzohu me Vendimet dhe Urtësitë e Tij, i Madhëruar qoftë.
..... Vazhdon (perktheu, Hasan Cana)