E para: Çdo besimtar duhet të ketë kujdes të mos klasifikojë asnjë musliman në ndonjë kategori të posaçme nëse ka informacion rreth sprovave të zemrës, pasi nëse e bën një gjë të tillë sigurisht që do të jetë i pari që do të dështojë në këtë kategori, për arsye se veprat e zemrave i njeh vetëm Zoti i tyre. Allahu i Madhëruar në ligjërimin që i drejton të Dërguarit të Tij -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- lidhur me hipokritët thotë: “Këta janë ata për të cilët Allahu e di se ç’kanë në zemrat e tyre. Largohu prej tyre, këshilloji dhe thuaju fjalë që i prekin në zemër.”[1]
Sjellja e duhur në këtë rast është t’i mirëkuptojmë ata, t’i përmirësojmë zemrat tona, dhe t’i pastrojmë nga këto sëmundje.
E dyta: Besimtari ashtu siç duhet të ketë kujdes nga sa përmendëm më lart, duhet të përkujdeset gjithashtu të trajtojë sëmundjet e zemrës së tij por jo sëmundjet e zemrave të tjerëve. Le të meditojmë këtë tregim që të marrim mësim. Usame Ibën Zejd -Allahu qoftë i kënaqur me të- tregon: “I Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- na dërgoi në Hurakat, ku në agim i sulmuam banorët e tij dhe triumfuam mbi ta. Unë dhe një ensar ndoqëm nga pas njërin prej tyre të cilin kur e kapëm dëshmoi La ilahe il-lallah[2], ensari përmbahet ndërsa unë e qëllova me heshtë dhe e vrava. Kur u kthyem, Pejgamberi -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- e mori vesh këtë ndodhi dhe më tha: 'O Usame! E vrave atë pasi tha La ilahe il-lallah?!' Thashë: O i Dërguari i Allahut, ai e shprehu atë fjalë vetëm për të shpëtuar! Pejgamberi -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- tha: 'O Usame! E vrave atë pasi tha La ilahe il-lallah?!' dhe vazhdoi ta përsëriste të njëjtën shprehje sa që dëshirova të mos e kisha pranuar Islamin para asaj dite!” Në një tjetër transmetim, i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- i thotë: “Ja hape zemrën të shikosh nëse e tha me sinqeritet fjalën La ilahe il-lallah apo jo?!"[3]
Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Kur të shkoni në luftë, në rrugë të Allahut, shqyrtoni gjithçka me kujdes! Mos i thoni atij që ju përshëndet me selam: “Nuk je besimtar”, me qëllim që të fitoni kënaqësi të kësaj jete, ndërkohë që tek Allahu ka fitime të shumta. Të tillë keni qenë edhe ju më parë e Allahu ju dha mirësi; prandaj gjithmonë sqarojini mirë të gjitha punët! Se Allahu është Njohës i veprave tuaja.”[4]
Pra, nuk na takon të marrim vendime të tilla dhe të jemi tolerant.
E treta: Synimi jonë duhet të jetë sqarimi i njerëzve rreth sëmundjeve të zemrës, dhe mënyrat e mbrojtjes prej tyre, pasiqë shumica e njerëzve janë totalisht të shkujdesur, dhe shumë prej tyre i kushtojnë vëmendje sëmundjeve fizike më shumë sesa sëmundjeve të zemrës.
E katra: Ekzistojnë shkaqe të shumta për sëmundjen e zemrës, ndër më të rëndësishmet përmendim:
1. Padituria
2. Sprovat
3. Epshet dhe mëkatet
4. Dyshimet
5. Shkujdesja nga përmendja e Allahut
6. Pasionet
7. Shoqëria e keqe
8. Konsumimi i haramit si; kamata, ryshfeti etj
9. Shikimi i harameve
10. Përgojimi dhe shpifja
11. Angazhimi me problemet e kësaj Bote dhe konsiderimi i saj si qëllimi final
[1] Surja Nisa, ajeti 63
[2] Nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut
[3] Buhariu (517/7) dhe Muslimi (96/1)
[4] Surja Nisa, ajeti 94
(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)