Youtube/Tezkije
Ule krahun tënd (ji modest) dhe lëre arrogancën e kryelartësinë
Bekër Ebu Zejd
 09.10.2013

Pajise veten me etikë shpirtërore, sikurse dëlirësia, vetëpërmbajtja, durimi, modestia ndaj të vërtetës dhe shpirtqetësia, me qëndrim korrekt, mendjemprehtësi, thjeshtësi, duke duruar përulësinë e të mësuarit për madhështinë e diturisë dhe duke treguar nënshtrim ndaj të vërtetës. Kështu që, kujdes nga të gjitha cilësitë e këqija të cilat kundërshtojnë këto norma edukative, pasi që këto cilësi (të këqija) përveç mëkatit që të sjellin dëshmojnë kundër teje për mendjelehtësi dhe të pengojnë nga dija dhe të punuarit me të.
Prandaj, shumë kujdes nga kryelartësia, sepse ajo është hipokrizi e mendjemadhësi dhe Selefët (të parët e hershëm) ishin shumë syçelur dhe tregonin kujdes të madh për këtë. Ndër gjërat delikate (në këtë temë) është ajo që imam Dhehebiu ka transmetuar në biografinë e Amr ibnul Esved el Ansi – vdiq në kohën e Abdulmelik ibën Mervanit- Allahu e mëshiroftë: se ai kur dilte nga xhamia kapte dorën e tij të majtë me të djathtën dhe kur u pyet për këtë, ai u përgjigj: "Nga frika mos dora ime do të bëjë gjest të hipokrizisë.’ Unë them (Imam Dhehebiu): E mbante atë nga frika mos bënte ndonjë lëvizje që shfaq mburrje, pasi që një vepër e tillë konsiderohet mendjemadhësi.”. Dhe, ky reagim ndodhi nga El Ansi, Allahu e mëshiroftë, pa vetëdije.
Ruaju nga sëmundja e tiranëve (kryelartësia), se më të vërtetë mendjemadhësia, lakmia, dhe zilia janë mëkati i parë me të cilin i është bërë mëkat Allahut. Mosrrespekti ndaj mësuesit është mendjemadhësi, mospranimi (i dijes) nga ai prej të cilit ke dobi, por që është më i vogël së ti (në moshë ose pozitë) është mendjemadhësi dhe mungesa e aplikimit të dijës është shenjë e mendjemadhësisë dhe adresë e humbjes.
“Dituria është luftë kundër të riut kryelartë, sikurse vërshima që sulmon vendin e lartë” Prandaj, ngjitu për toke (përulu ndaj dijes, e mos u bë kryelartë) – Allahu të mëshiroftë –, qortoje vetveten, mos e ngrit atë, frenoje atë kurdo që vëren tek ajo synim të mendjemadhësisë, të arrogancës, të dashurisë për t’u dukur (famë), të vetëkënaqësisë… dhe të veseve të tjera të ngjashme që janë të meta të diturisë dhe të cilat e shkatërrojnë atë, i marrin respektin dhe e shuajnë dritën e saj. Sa më shumë që të ngrihesh në dituri ose pozitë, aq më shumë përmbaju (kësaj këshille) dhe me këtë do të arrish lumturinë më të madhe dhe vend për të cilën njerëzit do ta kenë lakmi.
Transmetohet nga Abdullahu i biri i Imamit të madh dhe transmetuesit besnik në gjashtë librat (e hadithit) Bekr bin Abdullah el Muzeni, Allahu i mëshiroftë, se ka thënë: “Kam dëgjuar një person duke treguar për të atin tim, se ai duke qëndruar në Arafat, pas një zbutje zemreje, tha: ‘Sikur të mos isha në mesin e tyre [haxhive në arafat], do të thosha se u është falur atyre (çdo mëkat i kaluar).’” E transmetoi Dhehebiu, dhe tha: “Thashë në këtë mënyrë robi i Allahut duhet të ulë veten e tij dhe të përbin krenarinë e tij.”

..... Vazhdon (perktheu, Hasan Cana)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja