Teksti: (Ne kemi fëmijë dhe dëshirojmë që ata të meditojnë rreth asaj që ka krijuar Allahu Lartësuar: A është toka përmbi ujë, çka e mban atë sipër ujit? Dhe na kanë thënë se toka përbëhet prej shtatë shtresave dhe secila shtresë ka banorë në të; dhe prej gjërave që na kanë thënë është se prej shtresave të tokës është edhe argjila (sixh-xhil) më e nxehtë se Zjarri me të cilën Allahu i dënon shpirtrat mëkatar dhe pabesimtarët; dhe na kanë thënë se Haruti dhe Maruti janë në tokë si melaike që dënojnë, çfarë është dënimi i tyre? Allahu ju shpërbleftë me të mira!)
Përgjigje: Së pari nuk ka tokë që qëndron mbi sipërfaqe të ujit ashtu që të bësh pyetje se çfarë e mban atë përmbi ujë. Përmbi ujë janë ajri dhe qielli. Të gjitha krijesat në gjithësi mbahen, dhe iu është caktuar të gjithave pozita e tyre, me Fuqinë e Allahut të Lartësuar; Allahu ka thënë (përkthim me përshtatje): “Me të vërtetë, Allahu i mban tokën dhe qiejt që mos të shkatërrohen (shkapërderdhen), e nëse ato nisin të shkatërrohen, askush nuk mund t’i mbrojë, pos Tij.” Dhe ka mundësi që kjo mbajtje të bëhet përmes ndonjë mbështjellësi me të cilin Allahu e ruan gjithësinë dhe të cilën mund ta njohë vetëm ai të cilit Allahu ja ka lehtësuar shkaqet e kësaj njohjeje, qoftë prej njohësve të metodave astronomike apo dikush tjetër. Ndërsa në Sahihun e Buhariut është transmetuar nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Flisjuni njerëzve me atë që ata e njohin. A mos dëshironi që ata ta përgënjeshtrojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij?!”1
Së dyti: Allahu na ka njoftuar se toka përbëhet prej shtatë shtresave duke thënë (përkthim me përshtatje): “Allahu është Ai që ka krijuar shtatë qiej, dhe prej tokës sikurse ata.” (ajeti)2 dhe dijetarët të cilët me hulumtimin e tyre kanë thënë se bëhet fjalë për shtresa sipër njëra-tjetrës, midis së cilave ka ajër, dhe se në secilën shtresë jetojnë krijesa prej krijesave të Allahut, janë argumentuar me Fjalën e Allahut të Lartësuar (përkthim me përshtatje): “Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (ajeti)3 Ndërsa disa të tjerë kanë thënë se ajo është shtatë shtresa që janë të ngjitura sipër njëra-tjetrës dhe argumentohen me hadithin: ““Kush e merr një pëllëmbë toke me padrejtësi nga tjetri, do të gremiset në shtatë tokat Ditën e Kijametit.” 4
Së treti: Sixh-xhîn 5 është prej çështjeve të padukshme ndaj të cilave duhet të përmbahemi nga zhytja në to, përveç asaj që na e ka sqaruar Allahu në Librin e Tij apo i dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem); dhe Allahu ka thënë (përkthim me përshtatje): “Sigurisht (që do të ringjallen), dhe Libri i punë-mbrapshtëve do të jetë në Sixh-xhîn! E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Sixh-xhîn?! Është një libër i shkruar!” 6 Prandaj, obligohemi që ta besojmë atë dhe mos të shtojmë për to ndonjë fjalë nga vetja jonë, përndryshe do të biem në atë që Allahu e ka ndaluar me Fjalën e Tij (përkthim me përshtatje): “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke dijeni!” 7
Së katërti: Haruti dhe Maruti janë dy melekë nga melekët e Allahut, me të cilët Allahu i sprovoi robërit e Tij, dhe këta dy nuk kanë vepruar tjetër pos asaj me të cilën Allahu i ka urdhëruar, prandaj kështu ata ishin të bindur ndaj Allahut në obligimet që i morën; ndërsa Allahut i përket që t’i sprovojë robërit e Tij dhe t’i vej në provim me çfarëdo që Ai dëshiron. Nuk ka kush që e kundërshton Atë në caktimet e Tij dhe ligjin e Tij. Allahu i Lartësuar ka thënë (përkthim me përshtatje): “dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni - Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues!”8
E sa i përket asaj se ata dy ishin dy melekë që erdhën dhe i shëmtuan dy burra, dhe se ata shkaktuan dëme dhe bënin gjynahe, dhe se penguan lajmet nga qielli, dhe se ata të dy kryejnë dënime në dynja, ose janë të varur nga ndjenjat e tyre; të gjitha këto dhe të tjera të ngjashme me to janë fjalë të tregimtarëve gënjeshtarë, prandaj muslimani obligohet që mos ti pranojë nga ata këto tregime dhe t’i shmanget leximit nga librat të cilat nuk janë të besueshme siç është libri “Lulet më të bukura nga faktet e kohërave”, sepse autori i këtij libri dhe çiftit të tij janë ata të cilët përmendin gjëra të tilla të shpifura. Allahu e di më së miri!
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
Anëtari: Abdullah ibn Sulejman ibn Meni’ë
Anëtari: Abdullah ibn Gudejan
Zëvendës-presidenti i komisionit: Abdur-Rrezak ‘Afifi
-------------------------------------------------------
1 El-Bukhari 1/41, botimi i Muhamed Uzdemir
2 (dhe 3) Et-Talak, 12
4 Muttefekun alejhi (në dy librat e saktë)
5 Siç duket komisioni ka menduar se është pyetur për Sixh-xhin e jo Sixh-xhil
6 El-Mutafiffi’n, 7 - 8
7 El-Isra, 32
8 El-Bekara, 102
Perktheu, Hekuran Helshani