Pajisu me pajtim me atë që të ka dhënë Zoti (kanaah) dhe me asketizëm (zuhd). Dhe, realiteti i zuhdit është: “Lënia e haramit dhe distancimi nga kufijtë e tij, duke abstenuar nga mushtebihatet (gjërat e dyshimta mes hallalit dhe haramit të cilat janë të paqarta në mendje se cilit grup i përkasin) dhe nga ajo çfarë njerëzit posedojnë”
Është transmetuar se imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse një person le testament për më të mençurin e njerëzve, ai (testamenti) do t’i takonte asketëve” .
Është transmetuar së kur i është thënë Muhamed ibnul Hasen Esh Shejbanit, Allahu e mëshiroftë, a nuk do të shkruash ndonjë libër mbi zuhdin? Ai u përgjigj: “E kam shkruar një libër mbi transaksionet (buju')” që do të thotë: “Asket i vërtetë është ai i cili është i vëmendshëm ndaj rënies në shubuhate (gjërat mes hallallit dhe haramit të cilat janë të paqarta në mendje se cilit grup i takojnë) dhe ndaj
gjërave të cilat janë të papëlqyera, qofshin ato në biznes apo në transaksione dhe profesione të tjera." .
Kështu që, kërkuesi i diturisë duhet të jetë mesatar në mënyrën e jetesës së tij në mënyrë që mos të qortohet, duke mbajtur veten e tij dhe ata të cilët varen prej tij dhe nuk e vë veten në pozita të palakmueshme të nënshtrimit dhe turpit.
Shejhu ynë Muhamed El Emin Esh Shinkiti i cili vdiq më 17/12/1393 H, Allahu e mëshiroftë, ishte njeri që shumë pak i interesonin çështjet materiale të kësaj bote dhe unë vetë e kam parë se si ai nuk njihte mirë as bankënotat e valutës dhe njëherë më tha: “Kam ardhur nga vendi im (Shinkiti -Mouritania) me një thesar të cilin rrallë e posedon ndokush, pajtimin me çka i ka dhënë Zoti (kanaah), e sikur të doja pozitë të lartë do të dija si ta arrija atë, mirëpo unë nuk favorizoj këtë botë (dynjanë) ndaj tjetrës (ahiretit) dhe nuk e jap diturinë që të arrij qëllime të kësaj bote", Allahu i Lartëmadhëruar e mëshiroftë me Mëshirën e Tij të gjerë.
..... Vazhdon (perktheu, Hasan Cana)