Youtube/Tezkije
Mendimi i keq për Allahun
Nasir el Umer
 06.11.2013

Mendimi i keq për Allahun konsiderohet sëmundja më e madhe e zemrës, le të ndalemi e të flasim pak rreth kësaj pike, që të jemi të kujdesshëm dhe të paralajmërojmë për rreziqet e saj.

Disa njerëz mendojnë keq për Allahun duke marrë shkas nga premtimi i Tij,  për fitoren e besimtarëve, dhe triumfin e tyre në rrugën e Allahut.

Gjithashtu, disa njerëz mendojnë keq për Allahun, si rrjedhojë e rrizkut,  pasiqë ata besojnë më shumë të mirat që gëzojnë njerëzit sesa mirësitë e panumërta që gjenden pranë Allahut, mendojnë se rrizkun ia mundëson pushteti, kompania apo njerëzit. Këta persona bëjnë llogari të holla duke e harruar mbështetjen dhe besimin në Allahun e Madhëruar.

Allahu ka thënë në Kuran: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij.[1]

Allahu i ka diskredituar ata që mendojnë keq për Të, dhe një sjellje të tillë e ka klasifikuar sjellje xhahiljeti.[2]

Allahu ka thënë në Kuran: “...duke menduar për Allahun të pavërtetën, ashtu si mendonin paganët.[3]

"Ju ushqyet mendime shumë të këqija dhe kështu u bëtë popull i pavlefshëm i nisur drejt shkatërrimit.[4]

"Mendimi juaj i gabuar, të cilin e patët ndaj Zotit tuaj, është ai që ju shkatërroi dhe tani jeni më të dëshpëruarit".[5]

“Ata ju sulmuan nga lart dhe nga poshtë, kështu që sytë tuaj u errësuan, zemrat ju erdhën në fyt dhe besimi juaj tek Allahu u lëkund.”[6]

"Shumica e tyre veprojnë vetëm sipas hamendjes. Në të vërtetë, hamendja nuk e zëvendëson aspak të vërtetën. Allahu, pa dyshim, e di mirë atë që punojnë ata."[7]

"Gjithashtu, (Ai e bëri këtë) për t’i ndëshkuar hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët e idhujtaret, që mendojnë keq për Allahun. Radha e fatkeqësisë le t’i godasë ata!"[8]

"O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime se, vërtet, disa dyshime janë gjynah..."[9]

 

Në një këshillë drejtuar popullit, i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- ka thënë: “Mos paragjykoni pasiqë paragjykimi është gjykimi më i gabuar!”[10]  Detyra jonë është të mendojmë mirë për Allahun, pasiqë Allahu na vlerëson bazuar në mendimin që kemi për Të. I Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-, duke transmetuar fjalët e Allahut të Madhëruar thotë: “Unë e vlerësoj robin Tim ashtu siç mendon ai për Mua, le të mendojë atëherë për Mua çfarë të dojë.”[11]



[1] Surja Hud, ajeti 6

[2] Xhahiljeti konsiderohet periudha paraislamike

[3] Surja Ali Imran, ajeti 154

[4] Surja Fet’h, ajeti 12

[5] Surja Fusilet, ajeti 23

[6] Surja Ahzab, ajeti 10

[7] Surja Junus, ajeti 36

[8] Surja Fet’h, ajeti 6

[9] Surja Huxhurat, ajet 12

[10] Mutefekun alejhi

[11] Transmeton Ebu Davudi

(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja