Cili mund të jetë i mbrojtur prej tyre? Ibën Tejmije -Allahu e mëshiroftë – thotë: “Smira renditet ndër sëmundjet e shpirtit. Ajo konsiderohet sëmundje përgjithësuese dhe prej saj shpëtojnë vetëm pak njerëz, për këtë arsye thuhet: Asnjë qenie nuk është e boshatisur nga smira, mirëpo shpirtkeqi e demonstron, ndërsa shpirtmiri e fsheh.”[1]
Për këtë arsye Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “A u kanë zili njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij”[2]
Gjithashtu Allahu na urdhëron të kërkojmë mbrojte mëngjes e mbrëmje: “...dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.”[3]
Në një hadith për saktësinë e të cilit kanë rënë dakord Buhariu dhe Muslimi thuhet: “Njëri-tjetrin mos e urreni dhe mos e keni zili.”
Transmetohet nga Ebu Hurerja -Allahu qoftë i kënaqur me të- se i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- ka thënë: “Bëni kujdes nga smira, sepse ajo i zhvlerëson veprat e mira ashtu siç i djeg zjarri drutë" ose tha: "apo barin e thatë.”
Hasan El-Basri thotë: “Gropose smirën në gjoksin tënd, kështu nuk do të dëmtohesh, përsa kohë që nuk e shfaq me dorë apo gjuhë.”[4]
Ndërsa lidhur me kurimin e kësaj sëmundje Ibën Tejmije ka thënë : “Kush kupton se fsheh zili në vetvete, le ta luftojë me devotshmëri dhe durim, dhe ta qortojë për këtë vetveten.”
Përderisa askush nuk shpëton nga smira, veçanërisht gratë dhe njerëzit e thjeshtë, do të doja të sqaroja dallimin mes smirës dhe zilisë, pasi e para është e ndaluar, ndërsa e dyta jo. Në rastin e parë smirëxhiu shpreson që dikush të privohet nga të mirat, ndërsa në rastin e dytë ai dëshiron të posedojë të njëjtat begati pa dashur privimin e askujt prej tyre. Profeti -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- ka thënë : “Zilija lejohet vetëm në dy raste; një person të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon në të drejtë, dhe një tjetër të cilit Allahu i ka dhënë urtësi dhe ai gjykon drejtë dhe ia mëson të tjerëve.”[5]
Ndërsa në një tjetër transmetim thuhet: “Zilija është e ligjëruar vetëm në dy raste; një person që e di Kuranin të cilin e lexon në namaz gjatë natës dhe ditës, dhe një tjetër të cilit Allahu i ka dhuruar pasuri, të cilën e shpenzon gjatë natës dhe ditës.”
[1] Libri "Sëmundjet e zemrës dhe shërimi prej tyre" Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë)
[2] Surja Nisa, ajeti 54
[3] Surja Felek, ajeti 5
[4] Libri "Sëmundjet e zemrës dhe shërimi prej tyre" Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë
[5] Buhariu (1/165) dhe Muslimi (1/559) nga Ibën Mesud (Allahu qoftë i kënaqur me të)
(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)