Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “...kanë në zemrat e tyre vetëm mendjemadhësi, e cila nuk do t’i shpjerë në qëllimin e tyre.”[1]
“Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me arrogancë në Tokë...”[2]
“Sa për shtëpinë e Botës Tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.”[3]
“Kështu, Allahu ia vulos zemrën çdo mendjemadhi e dhunuesi.”[4]
“Ai nuk i do mendjemëdhenjtë.”[5]
“...si dhe në ditën e (luftës së) Huneinit, kur juve ju mahniti numri juaj i madh.”[6]
Dhe këshilla e Lukmanit drejtuar birit të tij: “...mos ec në tokë me mendjemadhësi.”[7]
Vlerësimi i vetvetes është sprovë e madhe, për këtë Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet.”[8]
“A nuk i ke parë ata që e kujtojnë veten të dëlirë?[9] Jo, Allahu dëlir kë të dojë dhe askush nuk do të pësojë as padrejtësinë më të vogël.”[10]
Allahu e ka ndaluar përqeshjen dhe nënçmimin e të tjerëve: “O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo.”[11]
Përbuzja konsiderohet sëmundje shkatërruese: “Thuaj: A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.”[12]
“Vërtet, keqbërësit qeshnin me ata që besonin, duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre.”[13]
Ndërsa i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- thotë: “Nuk do të futet në Xhenet ai që ka në zemrën e tij qoftë dhe një grimcë të vogël mendjemadhësie.”[14]
Gjithashtu i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- thotë: “Nënçmimi i vëllait besimtar mjafton si keqbërje.”[15]
Në kohën tonë është rritur dukuria e përqeshjes dhe nënçmimit të tjerëve, të treguarit mendjemadh dhe arrogant para tyre. Ndonjëherë has një person që e përbuzë dikë vetëm se ka më pak njohuri, sepse nuk gëzon të njëjtën pozitë me të në punë, sepse është i varfër, apo për arsye të prejardhjes etj.
Transmetohet se i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- ka thënë: “Vazhdon njeriu të paraqitet arrogant derisa të renditet prej tyre dhe ta godasë ajo që goditi edhe ata.”[16]
Disa njerëz shfaqin pakënaqësi kur dikush i drejtohet në emër të vëllazërisë, kjo për arsye se ky i fundit ndjen se të tjerët janë më poshtë se ai në pozitë. Ai vlerëson se kjo është një sjellje e pakulturuar dhe paedukatë, konsideron se kjo sjellje është e papërshtatshme për normat e tij, të gjitha këto me pretekstin e ruajtjes së personalitetit dhe reputacionit.
Ndoshta nuk arrin ta kuptojë i gjori, se dikush edhe pse është i varfër mund të jetë më i dashur tek Allahu mijëra herë. I dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- thotë: “Ndoshta është i pakrehur, i leckosur, pluhurosur dhe i bojkotuar nga njerëzit, por nëse do të betohej në emër të Allahut, Ai do t'i përgjigjej.”[17]
Duhet të vëmë në dukje rrezikshmërinë e përqeshjes së besimtarëve të devotshëm, pasi kjo sjellje konsiderohet tepër e rrezikshme.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Thuaj: A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.”[18]
Po kështu përçmimi i simboleve të fesë si; mjekra, shamia, shkurtimi i pantallonave, na detyron të shprehemi se këto sjellje janë aq të rrezikshme saqë mund të dërgojnë në dezertim, -Allahu na ruajt-. Pra, le të bëjmë kujdes dhe t'i këshillojmë besimtarët pasi çështja është tepër e rrezikshme.
[1] Surja Gafir, ajeti 56
[2] Surja Araf, ajeti 146
[3] Surja Kasas, ajeti 83
[4] Surja Gafir, ajeti 35
[5] Surja Nahl, ajeti 23
[6] Surja Tevbe, ajeti 25
[7] Surja Lukman, ajeti 18
[8] Surja Nexhm, ajeti 32
[9] Askush nuk është i dëlirë vetvetiu, por është Allahu Ai që e dëlir atë.
[10] Surja Nisa, ajeti 49
[11] Surja Huxhurat, ajeti 11
[12] Surja Tevbe, ajeti 65, 66
[13] Surja Mutafifin, ajeti 29, 30
[14] Muslimi (1/93)
[15] Muslimi (4/1986)
[16] Transmeton Tirmidhiu dhe ka thënë që hadithi është hasen.
[17] Muslimi, (4/2024)
[18] Surja Tevbe, ajeti 65, 66
(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)