Youtube/Tezkije
Metodologjia e kërkimit të diturisë dhe shkallët e saj
Bekër Ebu Zejd
 18.11.2013

“Kushdo që nuk i perfeksionon bazat esenciale, nuk arrin dot qëllimin e diturisë” dhe “Kushdo që do ta marr diturinë menjëherë të tërën, e humb atë të tërën.”  Është thënë gjithashtu: "Grumbullimi i dijes në vesh është shkak për keqkuptimin e saj."
Kështu që, është esenciale ta formosh veten me bazat e lëndës që do ta studiosh, duke perfeksionuar gjërat e saj themelore përmes perfeksionimit të një libri konciz në atë lëmi në dorë të një hoxhe (që e njeh mirë lëmin dhe librin në fjalë), e jo duke u mbështetur vetëm në mundin personal dhe duke mësuar gradualisht.
Allahu, i Lartëmadhëruar, ka thënë: "Dhe (ta shpallëm) Kur'anin që Ne e ndamë pjesë - pjesë për t'ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një." El-Isra, 106
Dhe, ka thënë: "E ata që nuk besuan thanë: "Përse të mos i ketë zbritur atij (Muhammedit) Kur'ani përnjëherë?" Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me të ta forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajeti (dalëngadalë)." El-Furkan, 32
Gjithashtu, Ai thotë: "Atyre, të cilëve ua dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejt ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur'anin). E ata që e mohojnë atë, të tillët janë ata që dështuan (në Dunja e në Ahiret)." El- Bekare, 121
Pra, para teje ke një numër gjërash të cilat duhet t’i marrësh parasysh në çdo lëndë që studion:
1. Të mësosh përmendësh një libër konciz (muhtesar) në çdo lëmi.
2. Perfeksionimi i tij (duke e mësuar) me një hoxhë të aftë.
3. Mos u merr me libra dhe përpilime të gjata para së të perfeksionosh librin themelor në atë lëndë.
4. Mos kalo nga një libër themelor (muhtesar) në një tjetër pa nevojë, për shkak se kjo është nga mungesa e durimit.
5. (Gjatë mësimit të librit) Nxjerr përfitimet dhe rregullat e diturisë (e mbaji në shënim).
6. Bashko tërë përqendrimin tënd mental në kërkimin e diturisë, që të përparosh në të. Po ashtu, ji i interesuar dhe i flaktë për të arritur mbi atë libër, duke u avancuar deri te librat e zgjeruara në mënyrë të vazhdueshme dhe të sigurt.
Ishte mendimi i Ibnul Arabi el Maliki se nxënësi i dijes nuk duhet të përzien midis dy lëndëve (në të njëjtën kohë) kur ai është duke mësuar dhe se prioritet duhet t’i jepet mësimit të arabishtes, poezisë dhe matematikës, e pastaj të kalon në mësimin e Kur’anit. Mirëpo, ai është kundërshtuar nga Ibnu Khalduni (i cili ka thënë) se në traditë nuk e mbështet këtë (mendim) dhe se prioriteti i parë duhet të jetë studimi i Kur’anit dhe mësimi tij përmendësh, për shkak se fëmija përderisa është i vogël (nën kujdesin e prindit), ai mund të kontrollohet me lehtësi, por kur ai të arrijë moshën e adoleshencës (pjekurisë), kontrollimi bëhet i vështirë.
Kurse, sa i përket mësimit të dy lëndëve të ndryshme ose më shumë përnjëherë, kjo dallon nga niveli i studentëve në kapacitet (të kuptimit) dhe entuziazëm.
Ka pasur në mesin e dijetarëve që kanë dhënë mësim në fikhun hambeli nga (libri) "Zadul Mustakni'" për fillestarë dhe nga (libri) "El Mukni'" për dallimet e opinioneve brenda medhhebit (hambeli, për nivelin e mesëm), dhe nga "El Mugni" për dallimet e opinioneve (në mes të medhhebeve të ndryshme) në shkallë të avancuar dhe ai nuk lejonte studentët e nivelit të parë që të ulen në mësimet e studenteve të nivelit të dytë dhe kështu me radhë, në mënyrë që të eliminohet konfuzion.
Duhet ditur se lista e librave koncizë dhe përmbledhjeve të gjata mbi të cilat duhet themeluar kërkimi i diturisë nga dijetarët, përgjithësisht dallon nga vendi në vend varësisht prej medh’hebit dhe varësisht prej asaj më të cilën dijetarët (e atij vendi) janë rritur dhe aftësuar në të, më tepër se sa në ndonjë libër tjetër. Situata, po ashtu, dallon nga një student në tjetrin, varësisht nga talentet e tyre, shkallët e kuptimit,
fuqisë apo dobësisë së përgatitjes, dhe ngurtësisë apo entuziazmit të mendjeve të tyre.
Ne vendin tonë (Saudi), për shembull, kërkimi i diturisë tek hoxhallarët nëpër xhamia - pas mejtepeve dhe mësimit të Kuranit- ka kaluar në tre nivele:

1. (Niveli) Fillestarë
2. (Niveli) i mesëm
3. (Nivel) i avancuar
Sa i përket Teuhidit në Ibadeh (adhurim), mësonin "El Usuluth-Thelatheh ue Edil-letuha", "El Kavaidul Erbeah", pastaj "Keshfush-Shubuhat", pasaj "Kitabut-Tevhid", të katër këto libra të Shejh Muhamed ibn Abdulvehabit, Allahu e mëshiroftë.
Kurse, lidhur me Teuhidul Esmai Ues-Sifati" (Monoteizmi në Emrat dhe Cilësitë e Allahut): "El Akidetul Vasitijjeh", pastaj "El Hamevijjeh" dhe "Et-Tedmurijjeh", që të tria këto libra janë të Shejhul Islam Ibnu Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, e pastaj "El Akidetu et-Tahavijjeh" së bashku
me komentin e saj.
Në gramatikë të gjuhës Arabe (mësonin): "El Egjrumijjeh", pastaj "Mulhatul I'rab" të Haririt, pastaj "Katrun-Nida" të Ibni Hishamit dhe "Elfijjetu Ibnu Malik" së bashku me komentimin e saj nga Ibni Akili.
Në hadith: "El Erbeunen-Nevevijjeh" të Neveviut, pastaj "Umdetul Ahkam" të Makdisiut, pastaj "Bulugul Meram" të Ibni Haxherit dhe "El Munteka" të El Mexhd Ibnu Tejmijje, Allahu i mëshiroftë, dhe pastaj hynin në gjashtë koleksionet e hadithit (Buhari, Muslim, Nesai, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibni Mexheh) e të tjera.
Kurse, në terminologjinë e shkencës së hadithit (mësonin): "Nukhbetul Fiker" të Ibni Haxherit, e pastaj "Elfijjetul Iraki", Allahu i mëshiroftë.
Në fikh (mësonin): "Adabul Meshji iles-Salat" (Etika e Ecjes për në Namaz" të Muhamed ibnu Abdul Vehhabit,
pastaj "Zadul Mustakni'" të Hixhxhavit, Allahu e mëshiroftë, ose "Umdetul Fikh, pastaj "El Mukni'" për dallimet brenda medh’hebit dhe "El Mugni" për dallimet e opinioneve në shkallë të avancuar (mes medh’hebeve), që të tre këto libra të Ibnu Kudames, Allahu e mëshiroftë.
Në Usuli Fikh (Bazat e Fikhut): "El Verekat" të Xhuvejnit, Allahu e mëshiroftë, pastaj "Revdatun-Nadhir" të
Ibnu Kudameh, Allahu e mëshiroftë.
Në Feraid (Ligjet e Trashëgimisë): "Er-Rahbijjeh", pastaj komentimet e këtij libri dhe "El Fevaidul Xhelijjeh".
Në Tefsir (mësonin): "Tefsiru Ibnu Kethir", Allahu e mëshiroftë.
Kurse, në Usulu Tefsir (Bazat e Tefsirit) (mësonin): El Mukaddimeh" të Shejhul Islam ibnu Tejmijje, Allahu e mëshiroftë.
Në Sire (biografinë e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem) (mësonin): "Mukhtesarus-Siiretin-Nebevijjeh" të Muhamed ibnu Abdul Vehhabit, e marrë nga Sireja e Ibni Hishamit, dhe "Zadul Mead" të Ibnul Kajjimit, Allahu e mëshiroftë.
Në gjuhë arabe (mësonin): I kushtonin vëmendje poezive klasike arabe, sikurse "El Mual-lekatus-Seb'a", dhe lexonin në (fjalorin e gjuhes) "El Kamus" të Fejruzabadit, Allahu e mëshiroftë,… e kështu me radhë sipas niveleve të
kërkimit të diturisë në lëmi të ndryshme. Kështu që, koha ishte përplot gjallëri në kërkim të diturisë dhe ndeja (mexhlise) diturie. Pas namazit të sabahit deri pas lindjes së diellit (në Duha) (kishte mësim), para drekës bënin një sy gjumë (kajlule) dhe pastaj pas çdo namazi kishte tubime diturie dhe kishin një edukatë të lartë, me respekt të ndërsjellë nga dy palët (mësuesit dhe studentët) sipas metodës së selefëve (të parëve myslimanë) të mirë.
Prandaj, arritën të kuptonin mirë dhe një numër i madh prej tyre u bënë imam të mëdhenj në dije, Falë Allahut Zotit të botëve.
Kështu që, a nuk është koha për kthim në metodën e mësimit të lëndëve të Sheriatit në mënyrën e vjetër, në studim të librave përmbledhëse e të shkurta të aprovuara (nga dijetarët e lëndës ose medhhebit), e jo të dispensave (të shkruara nga mësuesit e lëndës), dhe të mësohen ato përmendësh e jo vetëm të kuptohen e si rezultat të humbasin nxënësit e të mbeten pa hifz dhe pa kuptim! Dhe, telkini (diktimi i mësimeve) të jetë i drejtë dhe i qartë, i pastër nga të metat, në rrugën e të parëve. Allahu ndihmoftë (të realizohet).
Hafizi i hadithit Uthman bin Hurrezade (vdiç 282H), Allahu e mëshiroftë, thoshte (41): Studiuesi i hadithit ka nevojë për pesë (gjëra), nëse njëra prej tyre asgjësohet, shkakton mangësi: mendje të shëndoshë, fe (punë të mira), përpikëri, njohje të thellë të lëndës dhe të njihet për besnikëri (në dije). (Dhehebiu tha) Thashë: Emaneti (besnikëria) është pjesë e fesë dhe përpikëria hyn në njohjen e thellë të lëndës, mirëpo ajo për të cilën ka nevojë hafizi (i hadithit) është: të jetë i devotshëm, i mençur, gramatikan, gjuhëtar, i dëlirë (i pastër), i turpshëm (hajijjen), selefijjen dhe i mjafton të shkruajë me duart e tij dyqind volume, të mbledhë (në pronë të tij) pesëqind volume prej librave të dëshmuara, të mos zbehet në kërkim të diturisë deri në vdekje, të ketë nijet të pastër (për Zotin), modesti, përndryshe mos të lodhet fare."


..... Vazhdon (perktheu, Hasan Cana)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja