Youtube/Tezkije
Sprova e Zemrave
Nasir el Umer
 04.09.2013

Falenderimi i takon Allahut të Madhëruar! Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. E lusim Allahun e Madhëruar të na mbrojë nga ligësia e shpirtit dhe veprat e këqija! Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk e dërgon në humbje, ndërsa atë që zgjedh rrugën e gabuar askush nuk e udhëzon përveç Tij! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër që me të drejtë meriton të adhurohet përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij!

"O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!"[1]

"O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju".[2]

"O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore".[3]

Trajtimi i tematikave që kanë të bëjnë me zemrën, sfidën dhe sprovën e saj -në një kohë ku zemrat janë ngurtësuar-, merr një rëndësi të veçantë, gjë e cila përforcohet edhe nga fakti i dobësimit të besimit, angazhimit me problemet e Kësaj Bote, si dhe shmangja e njerëzve nga Bota e Përtejme.

Ne jetojmë në  kohën ku, shkenca e mjekësisë ka hedhur një hap të madh drejt zhvillimit, aq sa operacionet e zemrës vlerësohen me një saktësi të lartë, duke përfshirë këtu transplantimin e saj, e deri tek përcaktimi i sëmundjeve fizike që e godasin atë. Gjithashtu është hedhur një hap i madh në përcaktimin e diagnozës dhe mjekimit. Në këtë ese nuk do të marr përsipër trajtimin e sëmundjeve fizike të zemrës, apo diçka të ngjashme me to, por do të trajtoj në një tjetër aspekt sprovat dhe sfidat që do t’i shfaqen zemrës besimtare gjatë udhëtimit drejt Allahut. Do të sqaroj shkaqet që e shërojnë zemrën dhe e sëmurin atë, si dhe arsyet se përse zemra sprovohet dhe si?

Do të mbështetem gjatë këtij diskutimi mbi citatet Kuranore dhe thëniet e të Dërguarit të Allahut -Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për të-, duke ditur se  këto dy burime janë esenca e argumenteve tona. E ceka këtë që t'ju vë në dijeni se, diskutime të tilla nuk janë të lehta, pasi askush përveç Allahut nuk i njeh zemrat dhe sfidat me të cilat ato përballen. 

"E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!"[4]

"Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo".[5]  

"Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra".[6]

"Dhe ai nuk flet nga dëshira. Ajo nuk është tjetër pos shpalljes që i shpallet".[7]

Pra, kështu do t’ju përkujtoj rrezikun e këtij diskutimi pa fakte, të cilin e pretendojnë shumë njerëz, kinse kanë njohuri mbi të fshehtat e zemrës, gjë të cilin edhe pse e njeh vetëm Allahu, ekzistojnë individë të cilët pa fakte diskutojnë rreth saj duke tejkaluar çdo kufi:

"Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi".[8]

Kush e ngarkon diçka mbi natyrën e vet
Prushin e nxehtë kërkon thellë nën det



[1] Surja Ali Imran, ajeti 102

[2] Surja Nisa, ajeti 1

[3] Surja Ahzab, ajeti 70, 71

[4] Surja Mulk, ajeti 14

[5] Surja Ta Ha, ajeti 7

[6] Surja Gafir, ajeti 19

[7] Surja Nexhm, ajeti 3-4

[8] Surja Isra, ajeti 36

...vazhdon (Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja