Youtube/Tezkije
Urrejtja dhe armiqësia
Nasir el Umer
 23.11.2013

Nga lutjet e besimtarëve dhe pasuesve të tyre të përmendura në Kuran renditet edhe lutja e mëposhtme: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: 'O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!' ”[1]

Allahu i Lartësuar duke përshkruar nderimin që u bën banorëve të Xhenetit në Botën Tjetër, thotë: “Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.”[2]

Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj...[3]

Diskutimin rreth kësaj sëmundje ndoshta do ta përfundojmë me këtë histori plot mësime. Kjo është historia e Abdullah Ibën Amër Ibën As, një djalosh të cilin e edukoi vetë i Dërguari i Allahut. Mbolli në karakterin e tij vetitë më të larta; krenarinë, forcën dhe diturinë. Ndryshe nga shumë të rinjë sot, të cilët janë të apasionuar pas sporteve, arteve etj, prej të cilave jo vetëm që nuk kanë dobi, por dhe mund të dëmtohen.

Imam Ahmedi transmeton në hadithin e Enesit -Allahu qoftë i kënaqur me të- se ky i fundit ka thënë: “Ishim duke qëndruar me të Dërguarin e Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-  kur ai tha: “Do të shfaqet tani një person i cili është nga banorët e Xhenetit; shfaqet një burrë nga Ensarët, të cilit i pikonte uji i abdesit nga mjekrra, ndërsa këpucët i mbante në dorën e majtë. Të nesërmen i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-  përsëriti të njëjtën gjë, dhe ja ku shfaqet i njëjti person që u shfaq një ditë më parë. Ditën e tretë i Dërguari i Allahut përsëriti të njëjtën gjë, dhe po i njëjti person shfaqet. Sapo largohet i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-, Abduallah Ibën Amër Ibën As e përcjell personin në fjalë dhe i thotë: 'Kam pasur një mosmarrëveshje me babain tim, dhe jam betuar të mos shkoj në shtëpi tre ditë, nëse e shikon të arsyeshme të më strehosh gjatë kësaj kohe do të qëndroj tek ty.' Tha: 'Po.' Enesi tregon: 'Abdullahi bujti në shtëpinë e tij tre netë, dhe nuk vuri re të falej gjatë natës, përveç se kur zgjohej qëndronte në shtratin e tij dhe përmendte Allahun, derisa vinte koha e namazit të sabahut.' Abdullahi thotë: 'Nuk e kam dëgjuar të flasë vetëm se fjalë të mira. Kur kaluan tre netët, pothuajse isha duke e nënçmuar punën e tij, i thashë: O robi i Allahut, mes meje dhe babit tim nuk kishte asnjë mosmarrëveshje apo zemërim, mirëpo pasi dëgjova të Dërguarin e Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-  të thotë tre herë për ty: 'Do të shfaqet tani një person nga banorët e Xhenetit', dhe në çdo rast shfaqeshe ti, tentova të buj tek ju që të shoh se çfarë veproni, të veproj edhe unë njësoj, mirëpo nuk vura re ndonjë vepër të madhe. Cila pra është ajo vepër që punon, gjë që e shtyu të Dërguarin e Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-  të thotë kështu?' Tha: 'Përveç asaj që pe, nuk kam asgjë tjetër.' Pasi u nisa të largohem më thërriti dhe tha: 'Nuk veproj asgjë më shumë nga çfarë vërejte, përveç se unë nuk e mashtroj asnjë besimtar, dhe nuk kam smirë askënd, për të mirat që Allahu u dhuron.' Abdullahi tha: 'Kjo pra qenka vetia që të dallon nga të tjerët, por kjo është e papërballueshme.' ”[4]

Kështu pra vlerësohet dashuria për muslimanët, falja dhe durimi ndaj tyre.

Vëlla musliman, le të meditojmë këtë hadith të cilin e transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Ebu Hurejra: “Dyert e Xhenetit hapen ditën e hënë dhe të enjte, dhe i falen mëkatet çdokujt që nuk i shoqëron Allahut shok gjatë adhurimit, me përjashtim të një personi që mbart urrejtje për vëllain e tij. Ju thuhet: Vonojini këta të dy derisa të pajtohen, vonojini këta të dy derisa të pajtohen.”[5]

Doktorët kanë vërtetuar se urrejtja ndikon negativisht në shëndetin dhe harmoninë e njeriut, ky konsiderohet ndëshkimi i përshpejtuar në këtë Botë, ndërsa në Botën Tjetër ndëshkimi do të jetë akoma më i ashpër.



[1] Surja Hashr, ajeti 10

[2] Surja Hixhr, ajeti 47

[3] Surja Araf, ajeti 43

[4] Transmeton Ahmedi (19/238 fet’h), dhe Nesaiu “Punët e ditës dhe natës”, Ibën Kethiri thotë për transmetimin e Nesaiut, zinxhiri i këtij hadithi është i saktë bazuar në kushtet e Buhariut dhe Muslimit, Tefsiri i Ibën Kethirit (4/337)

[5] Muslimi (4/1987)

(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja