Youtube/Tezkije
Humbja e shpresës
Nasir el Umer
 30.11.2013

Kjo sëmundje shfaqet më shumë kur ashpërsohet sprova dhe ngadalësohet ndihma e Allahut. Disa njerëz dëshpërohen, dhe i humbin shpresat prej ndihmës së Allahut dhe premtimit të Tij[1], gjë që i nxit disa thirrësa të heqin dorë nga propaganda dhe punët e mira. Më keq se kaq konsiderohet bindja se premtimi i Allahut nuk do të realizohet po kështu kërcënimi i Tij si në këtë Botë dhe Botën Tjetër.

Vazhdojmë të dëgjojmë se disa njerëz janë larguar nga rruga e vërtetë si shkak i bindjes se po përjetojnë këtë realitet të hidhur ku, armiqtë e Allahut janë forcuar, ata kanë kontroll mbi çdogjë, dominojnë çdo sferë të politikës dhe ekonomisë, dhe përfundimi është se Islami nuk mund të triumfojë.

Kjo është historia e një besimtari të sinqertë -të cilën ma tregoi një kolegu im-,  thirrës në rrugën e Allahut, i cili pas një kohe hoqi dorë nga propaganda fetare. Miqtë me butësi dhe dashamirësi e pyetën përse hoqi dorë nga propaganda? Ai u përgjigj: “A mundemi të propagandojmë pa kuptuar gjë Amerika, duke ditur pajisjet e saj përgjuese dhe shërbimin e tyre informativ, a mund t'i fshehim gjë asaj, për këtë arsye nuk mundemi të bëjmë asgjë.” – kështu pra tha, mirëpo i gjori kishte harruar fjalën e Allahut: “Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.[2]

Historia e Musait, në të gjitha fazat e jetës dhe propagandës së tij e pasqyron më së miri përkujdesjen e Allahut për të dhe thirrjen e tij, me përmbushjen e premtimit të Allahut në ndëshkimin e zullumqarëve dhe konsolidimin e kësaj thirrjeje. Le t'i meditojmë fjalët e Allahut të Madhëruar ku thotë: “Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë.”[3]

“Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë.”[4]

“Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: “O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë”.”[5]

Dhe disa individë nga populli i tij thanë: “Me të vërtetë, na zunë!”[6]

Ai u përgjigj bindshëm: “Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”.[7]

Kështu pra tregimet e pejgambereve e pasqyrojnë përkujdesjen e Allahut për thirrjen e tyre, dhe përmbysjen e tiranëve zullumqarë, derisa të konsolidohet kjo thirrje hyjnore:

Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë.[8]

Një tjetër tregim shumë i njohur shfaq vështrimin e drejtë dhe qëllimin e pastër të një njeriu të zakonshëm. Baballarët tanë tregojnë se përgjatë pushtimit të një qyteti, njerëzit filluan të flasin për aeroplanët të cilët mund t’i përdorin armiqtë, gjë që i frikësoi ata, pasiqë nuk i kishin parë më parë ato. Një njeri i thjeshtë, banor i shkretëtirës i pyeti të pranishmit për aeroplanët? Iu përgjigjën, është diçka që vjen nga lart dhe hedh bomba. -Me instiktin e tij- tha: "A janë mbi Allahun, apo Allahu është mbi ta?!" Kur u përgjigjën që natyrisht Allahu është mbi ta, atëherë tha: Mos u brengosni!  Sa nevojë kemi për shembuj të kësaj natyrshmërije të shëndoshë e të pastër?!

Ndërsa një tregim tjetër si dobi e fundit ka në përmbajtje historinë e një poeti afetar. Një nga udhëheqësit e shteteve arabfolëse u ngrit dhe tha: Vërtetë 99% e dokumentacionit të çështjes së Palestinës është në duart e Amerikës, me këtë nënkuptojmë t'i nënshtrohemi asaj, dhe t'i dorëzojmë çelësat. Poeti iu kundërpërgjigj duke  thënë:

Le ta dijë Amerika se ajo nuk është Allahu Gjithpushtet
që mund ta ndalojë zogun të fluturojë në horizontin e vet

Pra, të kemi kujdes nga kjo sëmundje, dhe le të kuptojmë fjalën e Allahut të Madhëruar: “Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.”[9]

Së fundmi le të meditojmë fjalën e Allahut: “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.”[10]



[1] Është mirë që të përmendet kuptimi i fjalës së Allahut: “Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë, atëherë u arriti ndihma Jonë.”[Surja Jusuf, ajeti 110] d.m,th nuk shpresonin se populli i tyre do të besonte dhe do t’i përgjigjeshin thirrjes së tyre. Kështu e ka komentuar Aishja - Allahu qoftë i kënaqur me të - siç është transmetuar në Sahihun e Buhariut.

[2] Surja Jusuf, ajeti 21

[3] Surja Kasas, ajeti 8

[4] Surja Kasas, ajeti 13

[5] Surja Kasas, ajeti 20

[6] Surja Shuara, ajeti 61

[7] Surja Shuara, ajeti 62

[8] Surja Kasas, ajeti 5

[9] Surja Maide, ajeti 3

[10] Surja Jusuf, ajeti 87

(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja