Youtube/Tezkije
Falja e namazit farz në kohët e ndaluara
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
 02.12.2013

Pyetja e dytë nga fetwaja me numër 5545

Pyetja: Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush fle gjatë kohës së ndonjërit prej namazeve, apo e harron atë, atëherë le ta falë atë atëherë kur t’i kujtohet, nuk ka kompensim tjetër për të përveç kësaj.” Dhe gjithashtu ai (salallahu alejhi ue selem) ka thënë, në një hadith tjetër në Sahih-un e Muslimit: “Kur të lindë dielli mos fal namaz sepse ai lind midis dy brirëve të shejtanit!” 1
Pyetja ime është se nëse njeriu fle gjatë namazit të Sabahut dhe nuk zgjohet deri në kohën kur dielli është duke lindur, a të falet apo të shmanget nga namazi derisa dielli të ngrihet? Dhe si të bashkojmë mes këtyre dy haditheve?

Përgjigja: Kur njeriu fle gjatë namazit të Sabahut dhe nuk zgjohet derisa sa dielli të jetë duke lindur, ose pak para lindjes së tij, ose pak pas lindjes së tij, i bëhet obligim atij që ta falë Sabahun posa të zgjohet nga gjumi, qoftë nëse dielli lindë duke qenë ai në namaz, apo ka filluar namazin gjatë lindjes së tij, apo ka filluar namazin pas lindjes së tij dhe e ka mbaruar para se të zbardhet (qielli); dhe kështu qëndron gjykimi edhe për namazin e Ikindisë nëse e mashtron gjumi apo e harron atë, kështu që e falë atë kur të zgjohet nga gjumi apo kur t’i kujtohet, edhe në qoftë se dielli perëndon duke qenë ai në namaz; gjithashtu mund ta fillojë namazin duke qenë dielli në perëndim e sipër; dhe të gjitha këto pasi që të marrë abdest para se të futet në to. Dhe nuk bën që ai të shtyjë namazin e Sabahut derisa të zbardhet qielli, e as namazin e Akshamit derisa të perëndojë dielli, duke qenë se është vërtetuar se pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e ka arritur një rekat nga namazi i Sabahut para se të lindë dielli, ai e ka arritur Sabahun; dhe kush e ka arritur një rekat nga namazi i Ikindisë para se të perëndojë dielli, ai e ka arritur Ikindinë. 2 Transmeton Bukhariu dhe Muslimi. Dhe gjithashtu për shkak të përgjithësimit nga fjala e tij (salallahu alejhi ue selem): “Kush fle gjatë kohës së ndonjërit prej namazeve, apo e harron atë, atëherë le ta falë atë atëherë kur t’i kujtohet, nuk ka kompensim tjetër për të përveç kësaj.” E sa i përket bashkimit mes këtyre dy haditheve, sipas analistëve nga dijetarët musliman, uniteti qëndron në faktin se hadithet e ndalesës (gjatë lindjes ose perëndimit) kanë të bëjnë me namazet vullnetare për të cilat nuk ka ndonjë shkak, përkundër namazeve të detyrueshme qoftë të harruara apo në të cilat muslimanin e ka mposhtur gjumi.

I gjithë suksesi është nga Allahu! Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij!

Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave

Anëtari:
Abdullah ibn Ku’ud

Anëtari:
Abdullah ibn Gudejan

Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi

Kryetari:
Abdul-‘Aziz ibn ‘Abdullah ibn Baz

1 E kanë nxjerrë Ahmedi në Musned 4/111, 112, 385, dhe teksti është i tij, nga hadithi i Amr ibn Abese Ebi Nuxhejm es-Selemij; dhe e ka nxjerrë Muslimi në es-Sahih me numër 832.

2 E kanë nxjerrë Ahmedi në Musned 2/254 dhe 282 dhe 412 dhe 348 dhe 459, nga hadithin i Ebu Hurejrës; e ka nxjerrë edhe Bukhariu në es-Sahih me numër 579; Muslimi në es-Sahih me numër 608, dhe teksti është prej tij; dhe Tirmidhiu me numër 186; dhe Maliku në Muwatta 1/6; dhe Ebu Davudi me numër 408; dhe Nesaiu 1/205t el-halebij.



Përktheu, Hekuran Helshani


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja