Youtube/Tezkije
Dashuria dhe simpatia për dikënd tjetër përveç Allahut
Nasir el Umer
 06.12.2013

Kjo konsiderohet nëna e sëmundjeve, dhe helmi më vdekjeprurës për zemrën, ditën që dashuria iu dedikua dikujt tjetër përveç Allahut, ndërsa përkrahja dhe armiqësia u zhvilluan për interesa të kësaj Bote, pasioneve dhe shijeve personale. Padyshim që kjo sjellje e drejton njeriun drejt shkatërrimit dhe falimentimit.

Le të meditojmë këto ajete kuranore: “Këta janë vetëm emra që ua keni ngjitur (idhujve) ju dhe të parët tuaj, kurse Allahu nuk ju ka dërguar për ata asnjë provë. Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi, ndonëse u ka ardhur prej Zotit të tyre udhëzimi (për rrugën e drejtë).[1]

A të kthehemi mbrapsht, pasi Allahu na udhëzoi, duke u bërë si i magjepsuri nga djajtë, që sillet i çoroditur nëpër tokë...[2]

E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut?[3]

Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka çuar në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?”[4]

“Këta janë ata, zemrat e të cilëve ua ka vulosur Allahu dhe të cilët lëshohen pas epsheve të veta.”[5]

“Shumë njerëz i largojnë të tjerët nga rruga e drejtë nga padija dhe nga dëshirat e tyre të kota.[6]

Pasioni renditet ndër sëmundjet e zemrës, qoftë me kuptim të përgjithshëm apo të veçantë. Dijetari i shquar Ibën Tejmije -Allahu e mëshiroftë- duke dashur të sqarojë se, dashuria të verbëron dhe helmon thotë: “...për këtë arsye poeti tha:

Armik i armikut, dhe mik i familjes së saj jam

Kë e do Lejla, më shumë e dua dhe më afër e kam

 

Personi në fjalë përkrahjen dhe armiqësinë ia dedikoi Lejlës dhe jo Allahut. Dijetari i shquar Ibën Tejmije përmend tregimin e një personi i cili dashuronte një grua me ngjyrë. Dashuria i kishte pushtuar të gjithë zemrën. Ja çfarë thotë ai:

E dashurova aq shumë, sa fillova të dua çdogjë të zezë

madje edhe qentë e zinjë fillova ti dua për besë

 

Ne duhet që dashurinë, urrejtjen, dhurimin, privimin, veprimin dhe bojkotimin t'ia dedikojmë vetëm Allahut të Madhëruar, i Cili nuk ka ortak, duke zbatuar kështu këshillën e të Dërguarit të Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-  i cili thotë: “Kush dashuron dhe urren për hir të Allahut, jep dhe privon për hir të Tij, e ka plotësuar besimin.”[7]

Ndërsa kategoria më e keqe e dashurisë është dashuria e armiqve të Allahut.



[1] Surja Nexhm, ajeti 23

[2] Surja Enam, ajeti 71

[3] Surja Kasas, ajeti 50

[4] Surja Xhathije, ajeti 23

[5] Surja Muhamed, ajeti 16

[6] Surja Enam, ajeti 119

[7] Transmeton Ahmedi nga Muadh Ibën Enes dhe nga të tjerë.

(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja