Pyetja e parë nga fetwaja nr. 1542:
Pyetja: Po shohim dhe po lexojmë në disa revista arabe për disa operacione që po i bëjnë disa mjekë nëpër Evropë, përmes të cilave po e ndërrojnë gjininë e mashkullit në femër, dhe të femrës në mashkull; A është kjo e saktë? A nuk vlerësohet kjo si ndërhyrje në punët e Krijuesit, i Cili është veçuar me krijim dhe formësim? Çfarë qëndrimi ka Islami rreth kësaj?
Përgjigje: Askush prej krijesave nuk ka mundësi që ta ndërrojmë mashkullin në femër e as femrën në mashkull, dhe kjo nuk është punë e tyre e as nuk gjendet brenda kufijve të mundësive të tyre, sado që të kenë përparuar në dituritë e botës materiale dhe njohjen e detajeve të saj. Kjo çështje i përket vetëm Allahut. Allahu ka thënë (përkthim i përshtatur): “I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë.” 1 “Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm.” 2 Ai, i Pastër nga të metat qoftë, na ka informuar në zemër të këtij ajeti se Ai është i Vetmi i Cili ka pushtet të bëjë një gjë të tillë, dhe veçohet me të; dhe e ka përmbyllur ajetin duke e sqaruar esencën e kësaj veçorie, e që është: Plotësia e Diturisë dhe Fuqisë së Tij.
Sa i përket çështjes së të porsalindurit, ajo mund të jetë e paqartë, kështu që nuk mund të kuptohet se a është mashkull apo femër. Ka mundësi që në fillim të duket se është femër, mirëpo në realitet ai është mashkull, apo anasjelltas. Prandaj, në shumicën e rasteve ky problem zgjidhet vetëm pasi të arrihet mosha e pjekurisë me ç’rast duket e vërteta qartë, dhe mjekët atëherë ia bëjnë një operacion mjekësor që përkon me realitetin e tij mashkullor apo femëror. Apo, ka mundësi që fare mos të ketë nevojë për prerje apo operacion, por ajo që bëjnë mjekët në këto raste është vetëm një ekzaminim i gjendjes reale të të porsalindurit me metodat që ata i përdorin, e që rrjedhimisht kjo nuk nënkupton ndërrimin e gjinisë prej mashkullit në femër, e as prej femrës në mashkull. Prandaj, nga kjo kuptohet se ata nuk ndërhyjnë në punët që i përkasin Allahut, por ata vetëm e bëjnë të qartë për njerëzit se çfarë gjinie ka kjo krijesë e Allahut. Allahu e di më së miri.
Paqja dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin dhe familjen e tij!
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
Anëtari:
Abdullah ibn Ku’ud
Anëtari:
Abdullah ibn Abdur-Rrahman ibn Gudejan
Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi
Kryetari:
Abdul-Aziz ibn Abdullah ibn Baz
1, 2 esh-Shura, 49 – 50.
Përktheu, Hekuran Helshani