Pyetja e katërt nga fetwaja numër 189
Pyetja: Ky fëmijë është dhuratë prej udhëheqësit, dhe ky është ai i cili shton furnizimin dhe e pakëson. Çfarë gjykimi ka ky besim?
Përgjigja: Kush beson se fëmija është dhuratë e tjetërkujt pos Allahut, apo se dikush tjetër përveç Allahut e shton rrizkun (furnizimin) apo e pakëson atë, atëherë ky është mushrik i cili ka bërë shirk më të fortë se shirku i arabëve dhe të tjerëve në kohën e injorancës (para Islamit), sepse arabët dhe ata që i rrethonin në kohën e injorancës kur pyeteshin se kush i furnizon ata nga qielli dhe toka, dhe kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli, thoshin Allahu; mirëpo, zotat e tyre të kotë i adhuronin duke pretenduar se i afrojnë ata tek Allahu. Allahu i Lartësuar ka thënë (përkthim i përshtatur): “Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” Ajeti 31 nga surja Junus. Dhe ka thënë (përkthim i përshtatur): “Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, duke thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”, Allahu me siguri që do t’i gjykojë për mospajtimet që kanë pasur. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues.” Ajeti 3 nga surja ez-Zumer. Dhe ka thënë (përkthim i përshtatur): “Kush janë ata, që do t’ju japin mjete jetese, në qoftë se Ai jua ndalon ato?” Ajeti 21 nga surja el-Mulk.
Është vërtetuar edhe në sunet se dhënia dhe privimi i takojnë vetëm Allahut. Për këtë tregon ajo që ka transmetuar Bukhariu në kaptinën e dhikrit pas namazit në Sahih-un (Librin e Saktë) e tij se duke transmetuar nga shkruesi i Mugira ibnu Shu’bete-s se ai ka thënë: “Më diktoi mua Mugira ibnu Shu’beh një shkrim drejtuar Muawijjes se pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thoshte pas çdo namazi të obligueshëm: “Nuk ka zot tjetër që meriton adhurim përveç Allahut, Një dhe i Pashok. Vetëm Atij i takon Sundimi dhe Lavdërimet e plota, dhe Ai është mbi çdo send i Plotfuqishëm. O Allah! Nuk ka privim ndaj atij që Ti i ke dhënë, dhe nuk ka kush i jep atij që Ti e ke privuar. Te Ti nuk ka vlerë dobia e askujt ngase çdo dobi vjen prej Teje.” Mirëpo, ka mundësi që Allahu ti japë dikujt pasardhës dhe t’ia zgjerojë furnizimin e tij për shkak të lutjeve që ai ia ka bërë Atij dhe strehimin e tij vetëm tek Ai, ashtu siç duket kjo qartë në suren Ibrahim, në lutjen e Ibrahimit Halilit (mikut të Allahut) Zotit të tij dhe përgjigjen e Allahut lutjes së tij. Pastaj, në suren Merjem, el-Enbija, dhe të tjera, duaja e Zekerijas Zotit të tij dhe përgjigja e Tij në lutje. Pastaj, siç është vërtetuar nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “E kam dëgjuar pejgamberin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Kush dëshiron që t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, atëherë le të kujdeset dhe le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”. Transmetojnë Bukhariu dhe Muslimi në Sahihet (Librat e Saktë) të tyre. Allahu e di më së miri!
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
Anëtari:
Abdullah ibn Sulejman ibn Meni’
Anëtari:
Abdullah ibn Abdur-Rrahman ibn Gudejan
Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi