Youtube/Tezkije
Ka njerëz që thonë: Njeriu para një periudhe të gjatë kohore ka qenë majmun por ka evoluar?!
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
 30.12.2013

Pyetja e pestë nga fetwaja numër 5167

Ka njerëz që thonë: Njeriu para një periudhe të gjatë kohore ka qenë majmun por ka evoluar; A është kjo e saktë dhe a ka ndonjë argument?

Përgjigje: Kjo thënie nuk është e saktë, dhe argumenti për këtë është se Allahu i ka sqaruar në Kur’an fazat e krijimit të Ademit, ku Allahu i Lartësuar ka thënë (përkthim i përshtatur): “Shembulli i Isait tek Allahu është sikurse shembulli i Ademit të cilin Allahu e krijoi nga dheu”, pastaj ky dhé u lag derisa u bë baltë ngjitëse e cila ngjitet nëpër duar, pastaj Allahu tha (përkthim i përshtatur): “Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës,” dhe ka thënë (përkthim i përshtatur): “Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse,” pastaj është bërë baltë e tharë, për të cilën Allahu i Lartësuar ka thënë (përkthim i përshtatur): “Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.” Pastaj, kur është tharë është bërë baltë sikurse materiali me të cilin punohen vorbat (ose qeramikë) – Allahu ka thënë (përkthim i përshtatur): “Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba.” Pastaj Allahu i dha formën që deshi Ai Vetë dhe fryu në të nga Shpirti i Tij. Allahu i Lartësuar tha (përkthim i përshtatur): “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa formë, e kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde.” Këto ishin fazat nëpër të cilat kaloi krijimi i Ademit sipas shpjegimit të Kur’anit, e sa u përket fazave nëpër të cilat kaloi krijimi i pasardhësve të Ademit, Allahu i Lartësuar ka thënë (përkthim i përshtatur): “Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!” (el-Mu’minun, 12-14).
E sa i përket bashkëshortes së Ademit (Havasë), Allahu i Lartësuar e ka sqaruar se e ka krijuar atë nga ai (Ademi), Allahu ka thënë (përkthim i përshtatur): “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (ajeti)

Paqja dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin dhe familjen e tij!

Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave

Anëtari:
Abdullah ibn Ku’ud

Anëtari:
Abdullah ibn Abdur-Rrahman ibn Gudejan

Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi

Kryetari:
Abdul-Aziz ibn Abdullah ibn Baz


Përktheu, Hekuran Helshani


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja