Youtube/Tezkije
Trajtimi i sëmundjeve të zemrës
Nasir el Umer
 31.12.2013

Besimi në Allahun konsiderohet ilaçi kryesor dhe është kuroja më efikase, dhe kjo arrihet përmes:

E para: Dashuria absolute e Allahut:

Pra, dashuria në tërësi të jetë e lidhur me Allahun dhe vetëm për Allahun, po kështu edhe urrejtja të ekzistojë në emër të Allahut. Dijetari i shquar Ibën Tejmije ka thënë: "Mënyra më efikase e kurimit të zemrës është mbushja e saj me dashuri për Allahun.
“Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre).
[1]

Rrugët përmes të cilave arrihet dashuria e Allahut janë të shumta, si p.sh; Leximi i Kuranit, meditimi i tij dhe kuptimi i thellë i ajeteve kuranore. Të qenurit më pranë Allahut, gjë e cila realizohet përmes vepra vullnetare pas realizimit të veprave obligative. Përmendja e vazhdueshme e Allahut në çfarëdo gjendje. Dhënia përparësi dashurisë së Allahut mbi pasionet e njeriut dhe zgjedhjet e tij. Meditimi i emrave të Allahut dhe Cilësive të Tij me gjithë zemër dhe reflektimi dhe njohja e tyre. Nënshtrimi i zemrës para Madhështisë së Allahut, etj…[2]

E dyta: Sinqeriteti

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.”[3]

Përpiqu të jesh i sinqertë me Allahun në çdo vepër që realizon, sepse vetëm atëherë do të gjesh rehati në zemër, për këtë arsye Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.[4]

E treta: Pasimi i drejtë

Gjë që nënkupton se, veprat dhe bindjet duhet të jenë në përputhje me urdhëresat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.  Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”.[5]  “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu, dënon vërtet ashpër.[6] Allahu thotë në Kuran: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.[7]

Nëse do të na duhej të pyesnim vetvetet lidhur me veprat, sjelljet dhe synimet tona, a kanë si referencë ligjin e Allahut gjatë realizmit apo jo?  Mund të themi se, sjelljet e disa njerëzve priren të jenë në përputhshmëri me ndjenjat dhe dëshirat e bashkëshorteve të tyre, ndërsa disa të tjerë në përputhje me dëshirat e kryetarit, të tjerë rendin të ndjekin traditat e fisit apo parimet e një grupi etj, edhe nëse zgjedhjet e tyre janë në kundërshtim me urdhëresat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Nëse do të diskutoja me ndonjërin prej tyre do t’i thoja: “Përse po vepron kështu vëllai im?”
Do të përgjigjej: “Drejtori  më ka urdhëruar.”I them: “Por kjo është e ndaluar.” Do të përgjigjej: “E di që është e ndaluar, çfarë të bëj? Nëse nuk veproj kështu nuk do të ngrihem në pozitë, ose do të më largojë nga puna?” Ku është bindja ndaj urdhëresave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij?! Si mund t'i japet përparësi dëshirave të drejtorit mbi kënaqësinë e Allahut?!

Na duhet patjetër të rishikojmë veprat tona dhe të verifikojmë sinqeritetin ndaj të Dërguarit të Allahut: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush përderisa pasionet e tij të pasojnë shpalljen që kam sjellur.”[8]

Ndërsa në hadithin e Aishes transmetohet se Profeti –Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të- ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që s’është prej saj, refuzohet.”


[1] Surja Bekare, ajeti 165

[2] Shiko librin“Medarixh Es-salikin” (3/18) Ibën Kajim

[3] Surja Enam, ajeti 162-163

[4] Surja Bejine, ajeti 5

[5] Surja Ali Imran, ajeti 31

[6] Surja Hashër, ajeti 7

[7] Surja Ahzab, ajeti 36

[8] Imam Nevevi thotë: Hadithi është i mirë i saktë.

(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja