Youtube/Tezkije
Akideja : Përkufizimi dhe Sqarimi
Omer el Eshkar
 03.01.2014

   Fjala akide dhe fjalë të përafërta përsëriten vazhdimisht nga njerëzit në bisedat e përditshme. Ne i dëgjojmë ata duke thënë: "Ene a'takid hadha" (Unë besoj atë dhe këtë), "Fulan akidetuhu hasanah" (Akideja e filanit është e saktë). Akideja islame është shkaku kryesor për fitoret e mëdha të muslimanëve në çdo kohë dhe vend. Lufta në mes nesh dhe çifutëve është në fakt luftë ideologjike (harb akadije).

   Çfarë është kuptimi i akides te njerëzit? Cili është kuptimi i saj në gjuhën arabe? Cili është koncepti i akides në Islam?

   Akaid (shumësi i fjalës akide) janë gjëra, të cilat i pranojnë dhe i besojnë zemrat e njerëzve, gjëra të cilat i pranojnë si të vërteta. Këto çështje mbahen si besime të padiskutueshme, pa kurrfarë njolle dyshimi.[1]

   Akd-el-habl (lidhja e litarit), do të thotë lidhja e një pjese me tjetrën.

Në arabisht, kuptimet e fjalës 'akd' vërtiten rreth ideve të besnikërisë, sigurisë dhe pranimit. Në Kur'an gjendet një ajet:

"All-llahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht...."

El-Maide, 89

   Betimi i qëllimshëm është ai në të cilin ka vendosmëri dhe përkushtim në zemër, ndryshe prej një betimi të paqëllimtë, i cili mund të bëhet pa vetëdije.

Ukud u referohet besatimeve më të forta, siç thotë Allahu:

"O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet)."                                 El-Maide, 1

Arabët thonë: "A'takada esh-shej'u," kur një gjë bëhet solide dhe e fortë.[2]

Në Islam, akideja është 'homolog' i sheriatit, sepse Islami përbëhet prej akides dhe sheriatit. Sheriati përfshinë detyrat praktike të urdhëruara nga Islami, veprat e adhurimit dhe marrëdhëniet me të tjerët.

2) Akideja është çështje e diturisë në zemër

   Akideja nuk është çështje praktike, por është çështje e diturisë, të cilën muslimani duhet ta besojë me zemër, pasi Allahu i ka treguar këto çështje në librin e Tij ose përmes shpalljes ndaj të Dërguarit të Tij.

Parimet themelore të akides, që Allahu na urdhëron t'i besojmë janë të përmendura në ajetin:

"I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhërin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë."                                                                      El-Bekare, 285

   I Dërguari a.s. e definoi këtë besim në hadithin shumë të njohur, që tregon për takimin e tij me Xhibrilin dhe bisedën në mes tyre. Kur u pyet për imanin ai a.s. tha:

 

"Imani (besimi) është të besosh Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe të besosh në ringjallje."[3]

   Në këtë mënyrë akideja në Islam i referohet atyre çështjeve të diturisë që janë transmetuar në transmetime të sakta nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe të cilat muslimani duhet t'i besojë me zemër, duke pranuar atë që Allahu dhe i Dërguari a.s. kanë thënë.

3) Akide do të thotë besim i sigurt, pa hapësirë për dyshim.

Akideja formohet kur ne besojmë me vendosmëri, pa kurrfarë dyshimi. Nëse ka ndonjë element të dyshimit, atëherë ato janë thjesht spekulime, jo akide. El-Mu'xhem el-Wasit[4] e definon akiden si besim në të cilin nuk duhet të ketë kurrfarë dyshimi.[5] Dëshmi për këtë gjenden në Kur'an:

"Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut, të dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan…"  El-Huxhurat, 15

"Elif, Lam, Mim. Ky është libri që nuk ka dyshim në të…."

El-Bekare:1,2

“Zoti ynë Ti je ai që në një ditë do t’i tubosh njerëzit, ditë që për të cilën nuk ka dyshim.Ali Imran, 9

Allahu i qortoi politeistët, të cilët ishin të mbushur me dyshime:

"…dhe që zemrat e tyre janë të dyshimta…"                                            Tevbe,:45

4) Çështjet e akides nuk janë të dukshme

Është e qartë se çështjet, të cilat kërkohet nga ne t'i besojmë janë çështje të padukshme, që nuk shihen dhe nuk preken. Kësaj i referohej Allahu kur i lavdëroi besimtarët:

"Të cilët e besojnë të fshehtën…" El-Bekare, 3

Allahu nuk shihet, as engjëjt e Tij e as Dita e Fundit. Sa u përket librave dhe të Dërguarve të Tij, dikush mund të mendojë se ata janë të dukshëm. Mirëpo, këtu ne e kemi fjalën për besimin se ata kanë ardhur nga Allahu, p.sh., besimi se të Dërguarit u dërguan nga Allahu dhe librat u zbritën nga Allahu, e cila është çështje e padukshme.

5) Akideja e saktë dhe akideja e pasaktë

Akideja nuk është ekskluzive për Islamin. Pasuesit e feve dhe shkollave të mendimit pashmangshëm kanë besime, me të cilat i udhëheqin jetët e tyre. Kjo aplikohet për individë, ashtu siç aplikohet për shoqëri, nga fillimi i krijimit deri në Ditën e Gjykimit, deri atëherë që Allahu do ta trashëgojë tokën dhe çdo gjë në të.

Besimet (Akidet) ndahen në dy lloje:

a) Akideja e saktë: Ajo përbëhet prej një numri të besimeve të sjella nga të Dërguarit fisnik. Kjo është akideja e vetme e saktë, sepse ajo u zbrit nga i Gjithëdijshmi, i Informuari (Allahu); as nuk mund të imagjinohet që ajo të dallojë nga një i Dërguar te tjetri ose nga një kohë në tjetrën.

b) Akideja (Besimet) e pasaktë: Ato janë të shumta në të vërtetë. Pasaktësia e tyre rrjedhë nga fakti se ato janë produkte të mendjes njerëzore dhe intelektit. Pa marrë parasysh se sa të dijshëm mund të bëhen njerëzit, dituria e tyre është e kufizuar dhe ndikohet nga traditat dhe mendimet që i rrethojnë.

   Ka, po ashtu besime të pasakta, që janë rezultat i shtrembërimit, ndryshimeve dhe ndërrimeve, siç është rasti me besimet çifute dhe krishtere në kohën tonë.

   Ata devijuan para një kohe të gjatë dhe i shtrembëruan besimet e tyre si rezultat i këtij devijimi, edhe pse në fillim secila prej tyre ishte akide e pastër.

Ku është akideja e vërtetë sot?

   Akideja e vërtet sot nuk gjendet askund përveç në fenë Islame, pasi kjo është feja e vërtetë, të cilën Allahu e ka garantuar.

"Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij." El-Hixhr, 9

   Besimet e feve tjera, ndonëse mund të përmbajnë disa grimca të së vërtetës aty-këtu, nuk paraqesin një pamje të kthjellët të së vërtetës.

   Kush dëshiron ta njohë akiden e vërtetë dhe të saktë, nuk do ta gjejë atë në Judaizëm ose në Krishterizëm apo në fjalët e filozofëve. Ai do ta gjejë atë në Islam, në burimet origjinale të besimit, Kur'anin dhe Sunetin, të pastra, të kthjellëta dhe ndriçuese, të cilat e bindin mendjen e njeriut me dëshmi dhe prova, e mbushin zemrën me iman, siguri, dritë dhe jetë.

"Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kur’ani) as ç’është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë…"

Esh-Shura, 52

6) Rëndësia dhe domosdoshmëria për akiden islame

   Akideja islame është e domosdoshme për njeriun sikur uji dhe ajri. Pa këtë akide ai është i humbur dhe i ngatërruar. Akideja islame është e vetmja që mund t'u përgjigjet pyetjeve, të cilat e kanë preokupuar njeriun gjithherë dhe akoma vazhdojnë ta preokupojnë mendjen njerëzore dhe të shkaktojnë frustrime. Prej nga kam ardhur? Prej nga ka ardhur universi? Kush është Krijuesi? Cilët janë Emrat dhe Cilësitë e Tij? Pse na krijoi neve dhe universin? Cili është roli jonë në univers? Cila është lidhja jonë me Krijuesin, i Cili na krijoi neve? A ekzistojnë botëra tjera që nuk mund të shihen përveç asaj që e shohim? A ekzistojnë krijesa tjera inteligjente përveç njeriut? A ka jetë tjetër përveç kësaj jete? Nëse përgjigjja është pozitive, si duket ajo (bota tjetër)?

   Nuk ka asnjë besim sot dhe as që mund të ketë në të ardhmen, përveç besimit islam, që mund t'u përgjigjet këtyre pyetjeve, në një mënyrë të saktë dhe bindëse. Çdokush që nuk e di apo nuk e beson këtë akide është sikur poeti[6] i mjerë, i cili nuk di asgjë. Ai thotë:

 

Unë erdha, nuk e di prej ku, por erdha.

E pash para meje një rrugë, kështu e trasova atë.

Dhe do të vazhdojë ta trasoj këtë rrugë, pa marrë parasysh a më pëlqen apo jo.

Prej ku kam ardhur? Si e gjeta këtë rrugë?

Nuk e di.

 

A jam i ri apo i vjetër në këtë univers?

A jam i lirë apo i  burgosur me pranga?

A e kontrolloj fatin tim në këtë jetë, ose a kontrollohem?

Sa kam dëshirë ta dijë, mirëpo,

Nuk e di.

 

Rruga ime, çka është rruga ime? A është e gjatë apo e shkurtë?

A po ngjitem, a po zbres?

A po vrapoj në këtë jetë, apo jeta po vrapon?

Apo, mos jemi që të dy duke qëndruar qetë, derisa koha po vrapon?

Nuk e di.

 

Pyesja veten, derisa isha në atë botën e padukshme dhe të sigurt,

A e dita se isha i fshehur aty,

Dhe se do të dal dhe do të bëhem qenie njerëzore?

Ose pyesja veten, a nuk dija asgjë?

Nuk e di.

 

Pyesja veten, para se të bëhesha qenie e plotë njerëzore, a nuk ekzistoja, apo a isha diçka i mundshëm, ose a isha diçka?

A ka përgjigje ndaj këtij misteri? Ose a do të mbetem gjithmonë,

Duke mos ditur asgjë...pse nuk di?

Nuk e di.

   Çfarë konfuzioni është ky? Çfarë shqetësimi sjell kjo pasiguri në shpirtin njerëzor! A meritojnë fëmijët e kësaj gjenerate, të cilëve u mungon dituria për këto fakte të mëdha universale, pa të cilat jetët e tyre nuk mund të jenë të shëndosha dhe të shëndetshme, të vuajnë nga këto brenga, të cilat i mbushin zemrat e tyre dhe shkaktojnë dhimbje dhe komplekse? Le të krahasojmë situatën e tyre me atë të një muslimani, i cili i di dhe i beson të gjitha këto fakte dhe përmes tyre gjen rehati dhe qetësi të mendjes. Kështu ai udhëton në një rrugë të drejtë, drejt një qëllimi definitiv, tiparet e të cilit janë të njohura.

 

Dëgjojeni këtë poet të palumtur duke folur për vdekjen dhe fatin përfundimtar.

 

Nëse vdekja është ndëshkim, çfarë mëkati mund ta bëjë shpirti i pastër?

Nëse është shpërblim, çfarë bekime meriton shpirti i shthurur?

Nëse nuk ka as shpërblim as humbje në të,

Atëherë pse i quajmë gjërat mëkatare ose të mira?

Nuk e di.

 

Nëse vdekja është një lloj gjumi pasi të zgjohemi,

Pse nuk rrimë të zgjuar?

Pse nuk e di njeriu se kur do të largohet?

Kur do t'i zbulohet ky sekret kështu që ai ta di?

Nuk e di.

 

Nëse vdekja është një lloj gjumi për ta lejuar njeriun të relaksohet,

Dhe është dhënie e lirisë dhe jo burgosje, një fillim dhe jo një fund.

Atëherë pse nuk e dua këtë gjumë dhe pse nuk e kërkoj me ëndje?

Pse janë shpirtrat aq të frikësuar nga ai?

Nuk e di.

 

Pas varrit, pas vdekjes, a do të ketë ringjallje,

Jetë, përjetësi ose vetëm zhdukje përfundimtare?

A është ajo që thonë njerëzit e vërtetë apo e pa vërtetë?

A është e vërtetë që disa njerëz e dinë?

Nuk e di.

 

Nëse ringjallem pas vdekjes, fizikisht dhe shpirtërisht

Pyes veten, a do të ringjallem pjesërisht apo tërësisht?

Pyes veten a do të ringjallem si fëmijë ose si i rritur?

Atëherë a do ta njoh veten pasi të ringjallem?

Nuk e di.

 

   Ai nuk e di se çfarë fati e pret, kurse fati përfundimtar e brengosë atë. Ai dëshiron të sigurohet për fatin e tij. Ne e shohim dhimbjen e poetit, pasi që ai nuk e di ku qëndron fundi i fatit të tij dhe nuk di çfarë do të bëhet me të. Ai është larg të vërtetës, zemra e tij është plot mjerim, brenga dhe hidhërim. Bredhjet e kanë rraskapitur. Sa shumë njerëz ka në këtë botë sikur ky poet i devijuar dhe i palumtur! Disa prej tyre kanë aftësi për ta shprehur mjerimin dhe konfuzionin e tyre, ndërsa të tjerët e ndiejnë dhe vuajnë, mirëpo mendimet e tyre janë të kurthuar në shpirtrat e tyre të mjerë.

   "Nuk e di", është përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve. Këto nuk janë vetëm fjalët e këtij poeti. Sokrati, mendimtari që konsiderohet një nga viganët e filozofisë, qartë tha: "Gjëja të cilën akoma nuk e di është fakti se nuk e di."[7] Vërtet, skepticizmi, antagonizmi është një shkollë e hershme e mendimit filozofik.

   Vetëm përmes udhëzimit islam njeriu e di prej nga ka ardhur, ku po shkon, pse ekziston universi, cili është roli i tij në univers. Ai e di këtë me siguri dhe ka dallim të madh në mes atyre që e dinë dhe atyre që nuk e dinë.

"A është më i udhëzuar ai që ec i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ec në pozicion qëndrues rrugës së drejtë?"                                                        El-Mulk,22



[1]Risalat el-Akaid nga Shejh Hasan el-Benna.

[2]Lissan el-Arab, 2/836, lista e fjalëve që rrjedhin nga rrënja arkada.

[3]Buhariu

[4]Fjalor arabisht-arabisht.

[5] El-Mu'xhem el-Vasit.

[6] Ai quhet Elija Ebu Madi; këto vargje janë shkëputur nga poema e tij e gjatë Et-Talasim.

[7]Ed-Din nga Ed-Darraz.



(Perktheu, Driton Maxhuni)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja