Përmendja e Allahut e pastron oksidimin e zemrës, dhe i zhduk papastërtitë e mëkateve që e rrethojnë atë, e afron më tepër besimtarin me Zotin e Tij, sidomos kur e përjeton me zemër përkujtimin e Allahut, gjë që e shoqëron në çdo situatë, veprim apo sjellje.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur…”[1]
“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët...”[2]
Allahu i Madhëruar i qorton hipokritët në librin e Tij për arsye se këta të fundit e përmendin pak Allahun e Madhëruar. Përmendja e Allahut konsiderohet kuroja më e suksesshme kundër sprovave të zemrës. Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran: “...ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”[3]
Përmendja më e madhe e Allahut arrihet përmes leximit të Kuranit. Allahu thotë në Kuran: “Vallë, a nuk e meditojnë ata Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!”[4]
Ne jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur, ku njerëzit i kushtojnë kohë pa mësa leximit të gazetave, revistave dhe mjeteve informuese, pa u bezdisur aspak dhe pa ndjerë lodhje. Ndërsa gjatë leximit të Kuranit pothuajse e kanë të pamundur të lexojnë një fragment prej tij, por edhe nëse e marrin mundimin ta lexojnë shumë shpejt do të angazhohen me diçka tjetër.
Një nga besimtarët e hershëm thoshte: Pasha Allahun! Nëse zemrat tona do të ishin të pastra, nuk do të ngopeshim së lexuari Kuran.
Ibën Kajimi -Allahu e mëshiroftë- ka përmendur se kjo është forma më efikase për mjekimin e zemrës, dhe perfeksionimin e saj, ai thotë: “Shkatërrimi i shpirtit vjen si pasojë e mospërfilljes së vetëllogaritjes dhe pasimit të epsheve. Për këtë arsye është transmetuar në fjalët e shokëve të Profetit: “I zgjuar është ai që e nënshtron vetveten dhe punon për jetën pas vdekjes, ndërsa i paaftë është ai që pason epshet dhe vetëm shpreson tek Allahu.”[5]
Omeri thotë: “Kërkojini llogari vetveteve para se t'ju kërkojnë llogari. Vlerësojini veprat tuaja para se t'jua vlerësojnë.”[6]
Ndërsa Hasen El-Basriu thotë: “Sa herë që e takon një besimtar do ta gjesh duke i kërkuar llogari vetvetes.” Gjithashtu thotë: “Besimtari do të vazhdojë të jetë i bekuar përderisa e qorton vetveten, ndërsa llogaria është brenga e tij e vazhdueshme.”
Mejmun Ibën Mihran thotë: “Besimtari i devotshëm është më i rreptë në kërkimin e llogarisë ndaj vetvetes, sesa partneri koprrac.”[7]
Pra, besimtari e kontrollon sinqeritetin para se të veprojë diçka. E mbikëqyr zemrën dhe vërteton me vepra se ai e do Allahun dhe vepron vetëm për hir të Tij, dhe bën përpjekje të vazhdueshme për të qenë i sinqertë. Gjithashtu pas realizimit të ndonjë vepre i kërkon llogari vetvetes për mangësitë e konstatuara.
Padyshim që veprat e lartpërmendura janë ilaçet më efikase për kurimin e sëmundjeve të zemrës. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!”[8]
Mund të numërojmë shumë vepra të mira të cilat kontribuojnë në kurimin e zemrës, ndër to:
a. Dituria
b. Devocioni
c. Namazi gjatë natës
d. Shpeshtimi i lutjeve, veçanërisht në pjesën e tretë të natës, pasiqë lutja në këtë kohë nuk refuzohet. Gjatë natës preferohet që besimtari të lutet para Allahut me përulshmëri, të kërkojë falje dhe të pendohet. Të kërkojë nga Allahu që t'ja mbulojë të metat dhe t'i anashkalojë ato.
e. Dhurimi i ushqimeve dhe veshmbathjeve për të varfërit
f. Lëmosha
Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira!”[9]
g. Ruajtja e shikimit konsiderohet nga arsyet më të mëdha për shërimin e zemrës.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta!”[10]
Pasi përmendem mënyrat e kurimit të zemrës, le të cekim tani disa nga thëniet e Ibën Kajimit lidhur me këtë kapitull.
Cilat janë shenjat e zemrës së shëndoshë, dhe shenjat e zemrës së vdekur?
[1] Surja Hadid, ajeti 16
[2] Surja Isra, ajeti 82
[3] Surja Rad, ajeti 28
[4] Surja Muhamed, ajeti 24
[5] Transmeton Ahmedi (4/124) dhe Ibën Maxhe (2/1423) dhe Tirmidhiu (4/550) dhe e vlersojë si të mirë, ndërsa të tjerët e cilësuan të dobët.
[6] Transmeton Tirmidhiu (4/550)
[7] Shiko libërthin “Sëmundjet e zemrës dhe ilaçi i saj”
[8] Surja Ankebut, ajeti 69
[9] Surja Tevbe, ajeti 103
[10] Surja Nur, ajeti 30
(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)