Ibën Kajimi -Allahu e mëshiroftë- duke renditur shenjat dhe cilësitë e zemrës së shëndoshë ka përmendur :
1. Zemra e shëndoshë vazhdon ta ngacmojë besimtarin derisa ky i fundit të pendohet para Allahut.
2. Ajo nuk është e shkujdesur nga përmendja e Allahut, dhe nuk mërzitet së adhuruari Atë.
3. Më shumë mërzitet nëse i humbet pjesa e caktuar ditore e adhurimit, sesa të humbë pasurinë. Këtu ja vlen të ndalemi! Allahu e mëshiroftë Ibën Kajimin! Çfarë mund të thoshte ai, në lidhje me një person i cili nuk ka planifikuar asgjë për adhurim? Po për atë që i humbet namazi i obliguar dhe nuk trishtohet dhe ndjen aspak keqardhje, sikur nuk e ka dëgjuar kurrë fjalën e të Dërguarit të Allahut i cili thotë: “Cili e humbet namazin e Ikindisë, është sikur të ketë humbur familjen dhe pasurinë e tij.”[1]
4. Gjatë adhurimit ndjen lumturi dhe kënaqësi më shumë sesa gjatë ngrënies dhe pirjes. (Cili prej nesh ndjen kënaqësi gjatë adhurimit, apo pasi e ka përfunduar atë?!)
5. Kur fillon të falet i lë pas hallet dhe brengat e Kësaj Bote. Fatkeqësisht hallet dhe brengat tona mblidhen të gjitha në namaz, saqë një vëlla më tregoi se, kishte parë një besimtar i cili pasi kishte filluar të falej kishte nxjerr nga xhepi një faturë dhe kishte filluar të bënte llogaritë edhe pse vazhdonte të falej. Ka shumë tregime të tjera të cilat dëshmojnë humbjen e frikës, respektit dhe nënshtrimit para Allahut gjatë namazit.
Ku ka shkuar kënaqësia e namazit tek këta njerëz? Ku është namazi për të cilin i Dërguari i Allahut thoshte: “Na çlodh me namaz o Bilal”[2], po ashtu thoshte: “Lumturia ime është në namaz.” [3]
Shprehja aktuale e shumë namazlinjëve është: "Na e lehtëso namazin", dhe nëse imami e zgjat pak namazin, ia numëron të gjitha hadithet të cilat urdhërojnë për përkujdesjen e gjendjes së xhematit, ndërsa nëse imami gabon askush nuk i tërheq vëmendjen, me përjashtim të atij që e zgjedh Allahu.
6. Brengoset vetëm për hir të Allahut dhe në emër të Allahut, e cila konsiderohet një gradë e lartë.
7. Të kursejë kohën dhe ta shfrytëzojë atë më tepër se koprraci i cili e kursen pasurinë e tij.
8. Të përpiqet të përmirësojë veprat e mira më tepër se vetë realizimin e tyre. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, pra besimtari duhet të brengoset dhe përpiqet shumë për përmirësimin e veprës, duke përmirësuar qëllimin, zbatuar pasimin e sheriatit, realizuar adhurimin gjatë veprave pasiqë ky është thelbi i çdo vepre të mirë.
Këto ishin disa nga shenjat e zemrës së shëndoshë.
[1] Buhariu (2/30) dhe Muslimi (1/436)
[2] Ahmedi (5/364, 371) dhe Ebu Daud (19/223)
[3] Ahmedi (3/128, 199, 185) dhe Nesaiu (7/61) dhe të tjerë
(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)