Disa nga shenjat të cilat i ka cekur Ibën Kajimi - Allahu e mëshiroftë- janë:
1. Nuk lëndohet nga plagët e mëkateve. A kemi menduar vallë ndonjëherë për plagët që shkaktojnë mëkatet në zemrat tona, të cilat i bëjmë natën dhe ditën? A ndjejmë keqardhje dhe pendohemi sa herë që mëkatojmë? A ndjejmë keqardhje për sjelljet e pamoralshme të shoqërisë sonë? A jemi përpjekur sipas mundësive për ta ndryshuar këtë realitet të hidhur, dhe padyshim që kjo çështje është e rëndë. Zemra që nuk e njeh të mirën dhe nuk e urren të keqen, si në aspektin personal ashtu edhe në aspektin shoqëror, mbartësi i saj duhet patjetër që të përmendet dhe ta marrë atë në kontroll para se të jetë vonë.
2. Ndjen kënaqësi gjatë mëkatit dhe relaksohet më pas. Ndërsa besimtari kur mëkaton pendohet, kërkon falje, ndjen keqardhje për mëkatin dhe nxiton të pendohet para Allahu. Fatkeqësisht ekzistojnë disa individë -për të cilët fjala e Ibën Kajimit është mëse e përputhshme- të cilët gjejnë kënaqësi gjatë shikimit të filmave, kënaqësi e cila i shoqëron një kohë të gjatë. E njëjta gjë ndodh edhe me tifozët të cilët ndjekin ndeshjet sportive, apo marrin pjesë në to, kënaqësia që përjetojnë i shoqëron një kohë të gjatë, sidomos kur ekipi i tyre fiton. Pas të gjitha këtyre që përmendëm, sa e kuptojmë rrezikshmërinë e kësaj çështje?
3. I jep përparësi veprave më pak të rëndësishme. Pra i kushton vëmendje gjërave të parëndësishme në llogari të atyre me rëndësi të veçantë. Çfarë mund të themi për disa muslimanë të cilët nuk merakosen për gjendjen e vëllezërve të tyre dhe problemet e këtij umeti, ndërkohë që ka informacion të bollshëm për shumë gjëra të parëndësishme, informacion të cilin nuk e zotëron për problematikat e fesë së tij dhe as për njerëzit e shquar të Islamit. Sa njerëz hidhërohen dhe mërziten si shkak i shpenzimit të pasurisë së shumë të rinjve tanë që e shpenzojnë atë për arte e sporte të ndryshme. Këtyre -arteve dhe sporteve- u kushtojnë rëndësi, për to mërziten dhe dëshpërohen më shumë sesa për hallet e vëllezërve të tyre në; Afganistan, Palestinë, Filipine, Siri, Afrikë, etj. Mund ta konsiderojmë këtë zemër të shëndoshë? Ne e këshillojmë vëllain tonë të përkujdeset për zemrën e tij pasi ajo gjëndet në buzë të greminës.
4. E refuzon të vërtetën dhe për shkak të saj i ngushtohet gjoksi. Pikërisht këtu fillon udha drejt hipokrizisë, madje ky është vetë qëllimi dhe përfundimi i saj.
5. Nëse shoqërohet me besimtarët e devotshëm ndjehet i vetmuar, ndërsa kur shoqërohet me mëkatarët zbavitet. Disa njerëz e ndjejnë të vështirë shoqërimin me besimtarët e devotshëm, prandaj nuk kënaqen me ta, por i përqeshin dhe përbuzin. Ata ndjejnë kënaqësi në gjokset e tyre vetëm kur shoqërohen me të ligët dhe mëkatarët, dhe kjo padyshim është argument i qartë se zemrat e tyre janë të sëmura dhe shthurura.
6. Pranimi i dyshimeve, ndikimi prej tyre, dhënia pas polemikave dhe mosleximi i Kuranit.
7. Frikësohet prej dikujt tjetër përveç Allahut. Imam Ahmedi ka thënë: “Nëse do të përmirësohej zemra jote nuk do të frikësoheshe prej askujt." Iz Ibën AbduSelam shkon një herë tek një mbret tiran dhe i drejtohet me fjalë të ashpra, dhe sapo përfundon të pranishmit i thanë: “O imam, nuk u frikësove?” Tha: “Paramendova Madhështinë e Allahut, dhe atëherë ai mu duk si një kotele." Ndërsa sot hasim njerëz të cilët i frikësohen drejtorit, policit, apo dikujt tjetër më shumë se Allahut, kështu pra nxihet zemra, ndërsa i mençuri përkujdeset për vetveten.
8. Ekzistimi i dashurisë së shfrenuar në zemër. Dijetari i shquar Ibën Tejmije thotë: “Nëse dikush sprovohet me dashuri të shfrenuar, kjo ndodh si rrjedhojë e mangësimit të teuhidit dhe besimit, ndërsa zemra e penduar para Allahu zotëron dy mënyra të cilat e shmangin nga dashuria e shfrenuar; dashurinë ja dedikon Allahut, dhe i frikësohet vetëm Atij.
9. Nuk e njeh të mirën dhe nuk e urren të keqen, si dhe nuk preket nga këshillat.
(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)