Nëse jam zgjeruar disi në këtë temë qëllimi ka qenë t'ju përkujtojmë sa e rëndësishme është ajo. Në emër të Allahut ju këshilloj të jeni të kujdesshëm me zemrat tuaja, përmirësojini dhe udhëzojini për vepra të mira. Përkujdesuni të jenë të mbrojtura nga veprat e këqija dhe çdogjë që i dëmton.
Sa shumë mërzitet njeriu kur mëson se një sëmundje e caktuar ka goditur zemrën e tij! Vallë po kaq pikëllohemi sa herë e lëndojmë zemrën me plagë mëkatesh dhe ligësishë, sprova me të cilat zemra përballet mëngjes dhe mbrëmje?!
Le t’i frikësohemi Allahut për zemrat tona, sepse vetëm kështu mund t'i shpëtojmë ato:
“...në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”[1]
A frikësohemi prej Allahut për shkak të mëkateve që po marrin dhenë në çdo cep të Botës si; kamata, bashkëpunimi në kamatë, marrja dhe dhënia e ryshfetit, përgojimi dhe shpifja ndaj të tjerëve, dhe shumë e shumë mëkate të tjera të panumërta?
Lë t'i mëshirojmë zemrat tona, t'i shtyjmë drejt bindjes së Allahut, duke lexuar sa më shumë Kuran dhe studiuar atë, duke shtuar veprat vullnetare dhe adhurimet, lëmoshën, përmendjen e Allahut deri sa ta takojmë Allahun me zemër të pastër të penduar. Sërish ju këshilloj të bëni kujdes, të mos angazhoheni më tepër me zemrat e të tjerëve dhe të harroni zemrat tuaja, se shpëtimi është të shpëtosh nga kjo veti.
O Allah, të lutemi të na forcosh në fe, të kërkojmë vendosshmëri dhe stabilitet në udhëzim, të lutemi të na mundësosh të të falënderojmë për begatitë Tuaja, të lutemi të na mundësosh të adhurojmë në formën më të mirë. Kërkojmë të na dhurosh nga të mirat që Ju i dini, dhe të na ruash nga të këqijat që Ju i dini, dhe të kërkojmë falje për të gjitha mëkatet që nuk i dimë. O Allah, na dhuro zëmër të shëndoshë dhe gjuhë të sinqertë.
Paqja dhe Mëshira e Allahut qofshin për të Dërguarin tonë Muhamed, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
[1] Surja Shuara, ajeti 88, 89
(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)