Youtube/Tezkije
Lidhja në mes të akides, imanit dhe sheriatit
Omer el Eshkar
 29.01.2014

Në Kur'an, Allahu i Lartësuar e lavdëron imanin dhe njerëzit e imanit, në ajetet si: "Eshtë e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët." El-Mu'minun, 1 "Të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit." El-Bekare,5
Allahu u premtoi atyre Xhenetin: "Të tillët janë mu ata trashëgimtarët,të cilët e trashëgojnë Firdevsin dhe aty ata janë përgjithmonë." El-Muninun,11
   Imani për të cilin Allahu i lavdëroi njerëzit nuk ishte vetëm akide. Akideja përbën themelin dhe bazën e imanit (besimit të vendosur). Kështu, imani është akideja, e cila është e ndërtuar fortë në zemër, mbahet në të dhe kurrë nuk largohet. Ai shprehet me gjuhë nga besimtari, në zemrën e të cilit, kjo akide lëshon rrënjë të forta. Besimi dhe deklarimi i tij konfirmohen me veprat e tij.
   Besimi, i cili lëshon rrënjë në zemër, mirëpo nuk ka shfaqje të dukshme, është besim i zbrazët dhe i ftohtë, i cili nuk meriton të quhet akide. Ne shohim shumë njerëz, të cilët e njohin të vërtetën, mirëpo nuk i përmbahen dhe nuk i jetojnë jetët në pajtim me të. Ata madje mund ta kundërshtojnë të vërtetën, të cilën e dinë se është e saktë. Iblisi (shejtani) i di të vërtetat universale me bindje, ai e njeh Allahun, të vërtetën, pejgamberët dhe Librat, mirëpo ai ia kushtoi jetën kundërshtimit të së vërtetës, madje edhe pas diturisë së plotë.
   Faraoni ishte i sigurt se mrekullitë e sjellura nga Musai a.s. ishin vërtet nga Allahu, mirëpo ai i mohoi ato nga mendjemadhësia dhe arroganca, siç na tregon Allahu i Lartësuar për të dhe popullin e tij: "Dhe, edhe pse bindshëm të besueshëm në to (se ishin nga Zoti), i mohuan në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi." En-Neml, 14
Musai a.s. iu drejtua Faraonit duke i thënë: "Ai (Musai) tha: “Po ti e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër pos Zotit të qiejve e të tokës…,"El-Isra, 102
Pasuesit e librave e dinë se Muhamedi a.s. është i Dërguar i Zotit: "Atyre që ua kemi dhënë librin, ata e njohin atë (Muhamedin) siç i njohin bijtë e vet…," El-Bekare, 146 - mirëpo, ata nuk e pranojnë atë.
   Dëgjoje se çfarë i tha Ebu Talibi të Dërguarit a.s. si arsyetim për të mos besuar: "E di se feja e Muhamedit është prej feve më të mira në botë, nëse nuk do t'i frikësohesha fajësimit dhe shpifjeve, do të më gjenit duke e pranuar atë haptas."
  Në këtë mënyrë imani nuk do të thotë vetëm pranimi i ekzistimit të Allahut, të Lartësuarit. Imani do të thotë akideja, që personi e pranon me zemër dhe e konfirmon me gjuhë, dhe ai e pranon dhe gjithmonë i përmbahet rrugës së caktuar nga Allahu. Për këtë arsye të parët tonë të mirë (selefët) thanë: "Iman do të thotë besimi me zemër, deklarimi me gjuhë dhe përpjekja për implementimin e shtyllave të tij."[1]
 
 
2) Lidhja në mes të akides dhe sheriatit
 
   Siç e përmendëm më lartë, janë dy kushte të besimit: akideja, e cila është thellë e rrënjosur në zemër, dhe veprat, të cilat manifestohen në punët e njeriut. Nëse ndonjëri nga këta komponentë mungon, imani humbet ose bëhet i disbalancuar. Pra, lidhja në mes këtyre dy elementeve është shumë e rëndësishme.
   Imani është sikur një pemë e mirë dhe e fortë, që është mbjellë në tokë të mirë, degët i ka të kthyera nga qielli, prodhon (jep) fruta me bollëk, duke bërë fruta për të gjithë me mirësinë e Allahut. Kështu imani është pema, akideja është thellë e mbjellur në zemër, kurse trungu, degët dhe frutat janë veprat dhe punët e mira. Padyshim që nëse rrënjët largohen ose kalben apo thahen, ato më nuk do të ekzistojnë. Ngjashëm, imani nuk do të ekzistojë nëse akideja largohet. Nëse trungu ose degët prehen, pema do të dobësohet dhe si pasoj mund të vyshket tërësisht, sepse prania e degëve dhe e gjetheve janë të nevojshme për vazhdimin e ekzistencës së pemës. Ngjashëm nëse veprat neglizhohen, pjesërisht ose tërësisht, atëherë imani do të zvogëlohet ose do të shkatërrohet.
 
3) Kujdesi për veprat
 
   Është detyrë e jona që t'u kushtojmë kujdes veprave, të cilat Allahu na ka urdhëruar si vepra obligative, ose që na ka inkurajuar për t'i vepruar, dhe të ndalohemi nga veprat që Ai na i ka ndaluar për t'i vepruar, sepse kjo është pjesë e imanit. Veprimi i veprave të ndaluara - bile edhe nëse janë pak – e zvogëlon imanin në mënyrë proporcionale. Për rrjedhim, ata të cilët e nënvlerësojnë rëndësinë e implementimit dhe pasimit të sunetit të të Dërguarit a.s. duhet të kenë kujdes nga një qëndrim i tillë.
   Disa prej tyre mund ta kalojnë kufirin dhe t'i përshkruajnë disa çështje të sunetit ose të fesë islame si të parëndësishme. Ne e lusim Allahun që t'i falë këta njerëz, sepse asgjë nga feja nuk është e parëndësishme, edhe pse shkalla e rëndësisë mund të dallojë.
    Atë që po e them nuk duhet të kuptohet se ne këtu po flasim për moskujdesin ndaj prioriteteve të diturisë, veprave dhe thirrjes së njerëzve në rrugë të Allahut. Kjo është një çështje që duhet të njihet mirë dhe të veprohet. Mirëpo, atë që po e qortojmë këtu është neglizhimi i çështjeve të vogla ose qortimi i atyre që i kritikojnë të tjerët se po merren edhe me çështje të mëdha, edhe me çështje të vogla në Islam dhe në Sunetin e të Dërguarit të zgjedhur.
   Kur Omeri r.a. u qëllua me thikë, një i ri erdhi për ta parë. Kur i riu u ngrit për t'u larguar, izari i tij (rroba e poshtme) po zvarritej për tokë. Umeri e thirri dhe i tha: "O biri i vëllait tim, ngrite rrobën, sepse kjo është më e pastër për rrobat e tua dhe e kënaq Zotin tënd."[2] Afrimi i vdekjes së tij nuk e ndaloi atë për t'i treguar këtij njeriu për një çështje që shumë njerëz sot e konsiderojnë të parëndësishme dhe si diçka, që nuk duhet t'i kushtojmë kujdes.
 
 
 


[1] Ky është një mendim i përgjithshëm i selefit, duke i përfshirë tre imamët Ahmedi, Maliku dhe Esh-Shaf'i.

[2]Buhariu në sahihun e tij.


(Perktheu, Driton Maxhuni)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja