Youtube/Tezkije
Pyetje rreth Shehadetit (dëshmisë islame)
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
 02.02.2014

 

Pyetja e parë nga fetwaja me numër 7701

Fjalën e mirë të cilën e ka përmendur i dërguari i dy shpalljeve (Kur’anit dhe Sunetit), Salallahu alejhi ue selem, në hadithin: “Kush thotë: “Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, dhe Muhamedi është i dërguari i Allahut,” ka hyrë në Xhennet;” Këtë fjalë kuptimplote me dy pjesët e saj, pjesën së parë që tregon Njëshmërinë e Allahut të Lartësuar – “Nuk  ka zot tjetër” që shpreh mohim, dhe “përveç Allahut” që shpreh pohim, dhe pjesës së dytë të saj që tregon për mesazhin e Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem), në çfarë libri mund ta gjejë? Duke qenë se ajo ndodhet, me të dy pjesët e saj, në Librin e Allahut të Lartësuar ku janë bërë të njohura kufijtë e saj, dhe në hadithet e të dërguarit (salallahu alejhi ue selem), por përveç këtyre dyjave, në cilin libër mund ti gjejë të bashkuara këto dy pjesë?

Përgjigja: Shtylla e parë prej shtyllave të Islamit, me të dy pjesët e saj, është përmendur shumë në Kur’anin Fisnik. Pjesa e parë gjendet në Fjalën e të Lartësuarit (përkthim i përshtatur): “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit të Përjetshëm, Mbajtësit të gjithçkaje!” Dhe në Fjalën e Tij: “Pra, dije se nuk ka zot tjetër (që meriton adhurim) përveç Allahut!” Dhe në Fjalën e Tij: “Ky pra është Allahu, Zoti i juaj. Nuk ka zot tjetër përveç Tij, Krijues i çdo gjëje.” Ndërsa pjesa e dytë te Fjala e Tij (përkthim i përshtatur): “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. E ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm ndaj njëri tjetrit.” Dhe Fjala e të Lartësuarit: “Muhamedi nuk është tjetër veçse pejgamber. Edhe para tij ka pasur pejgamberë.”

E sa i përket sunetit, në dy librat e saktë (sahihajn) nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) nga i dërguari (salallahu alejhi ue selem) se ka thënë: “Islami është ndërtuar në pesë (shtylla): Dëshmia se nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, falja e namazit, jepja e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi në Qabe.” Në sahihun e Muslimit transmetohet nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Gjersa ishim ulur te i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) një ditë prej ditësh, u shfaq para nesh një burrë me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zeza. Nuk vëreheshin tek ai shenja të udhëtimit dhe asnjëri prej nesh nuk e njihte atë. Vazhdoi dhe u ul pranë të dërguarit (salallahu alejhi ue selem), i përputhi gjunjët me gjunjët e tij, dhe i vendosi shuplakat e duarve mbi kofshët e tij, dhe tha: “O Muhamed! Më njofto për Islamin!” I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Islam është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër (që meriton adhurim) përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta bësh haxhin në Qabe nëse ke mundësi për këtë.” Tha: “Të vërtetën e the.” Tha (Umeri): “Dhe ne u çuditëm me të; vetë e pyet dhe vetë ia vërteton.” Ai tha: “Më njofto për Imanin!” Tha: “Të besosh në Allahun, në melaiket e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit (Gjykimit), dhe të besosh në kaderin (caktimin) e së mirës dhe së keqes.” Tha: “Të vërtetën e the.” Tha: “Më njofto për Ihsanin (mirësinë e përsosur)!” Tha: “Ta adhurosh Allahun sikur ta shihje Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.” Tha: “Të vërtetën e the.” Tha: “Më trego për Orën (Ditën e Kijametit)!” Tha: “I pyeturi nuk ka më shumë dituri për të se pyetësi.” Tha: “Më trego për shenjat e saj? Tha: “Robëresha do ta lindë të zonjën e saj; Do të shohësh (njerëz) këmbëzbathur, të zhveshur e të varfër, barinj të deleve, duke garuar në lartësimin e ndërtesave.” Pastaj u ngrit dhe shkoi, ndërsa unë mbeta edhe për një kohë. Pastaj më tha mua (pejgamberi): “O Umer! A e di se kush ishte pyetësi?” I thashë: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.” Tha: “Ky ishte Xhibrili. Erdhi që t’ju mësojë fenë tuaj.”

Gjithashtu në dy librat e saktë, nga Ubade ibnu Samit (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush dëshmon se nuk ka zot tjetër (që meriton adhurim) përveç Allahut, të Vetmit, të Pashoq, dhe se Muhamedi është robi i tij dhe i dërguari i Tij; dhe se Isai është rob i Allahut dhe i dërguar, Fjalë e Tij që e vendosi te Merjemja dhe shpirt nga Ai; dhe se Xhenneti është hak (i vërtetë) dhe Zjarri është hak, do ta fusë Allahu në Xhennet me çfarëdo që të ketë vepruar”.” Dhe në Bukhari, nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Ka thënë i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Jam urdhëruar që ti luftoj njerëzit derisa të thonë: “La ilahe il-Allah” (S’ka zot tjetër përveç Allahut); E kur do ta kenë thënë këtë, dhe ta kenë falur namazin tonë e të kenë therur Kurban sikurse ne, na bëhet i ndaluar gjaku i tyre dhe pasuria e tyre përveç me të drejtë, ndërsa llogaria e tyre është te Allahu.”

Gjithashtu në dy librat e saktë, në hadithin e Utbanit (Allahu qoftë i kënaqur me të) me zinxhir të lidhur transmetimi, thuhet: “Allahu ia ka bërë të ndaluar Zjarrit atë që thotë “La ilahe il-Allah” duke kërkuar me këtë Fytyrën e Allahut.”

Dijetarët i kanë komentuar këto hadithe dhe ato që kanë ardhur në kuptim të tyre, se kush i shqipton këto dy dëshmi dhe iu përmbahet të drejtave (kushteve) të tyre si kryerja e obligimeve dhe largimi nga të ndaluarat, dhe të përkushtuarit e sinqertë në adhurimin e Allahut, të Vetmit, atëherë Allahu do ta fusë atë në Xhennet me të parët që do t’i strehojë në të. E sa i përket atij që vdes duke qenë gjynahqar, pa i bërë shirk (shoqërim në adhurim) Allahut, porse nuk është penduar nga ato gjynahe, atëherë ai ndodhet nën Vullnetin e Allahut, nëse do Ai i Lartësuari e falë atë dhe e futë në Xhennet me çfarëdo që të ketë vepruar ai, e nëse do e dënon atë varësisht nga gjynahu që ka bërë pastaj e futë atë në Xhennet, ashtu siç na kanë treguar për këtë shumë hadithet të sakta (mutewatir) nga i dërguari (salallahu alejhi ue selem), duke qenë se Kur’ani shpjegon (komenton) vetveten e tij, e gjithashtu edhe suneti. Allahu i Lartësuar ka thënë (përkthim i përshtatur): “Vërtetë Allahu nuk e falë assesi që ti bëhet shok Atij, ndërsa falë përveç kësaj atë që dëshiron.” Ky ajet vlen për ata që nuk pendohen. Ndërsa, sa i përket fjalës së të Lartësuarit (përkthim i përshtatur): “Thuaj: O robërit e Mi të cilët e keni tepruar me gjynahe ndaj vetëve tuaja! Mos e humbni shpresën nga Mëshira e Allahut. Allahu i falë të gjitha gjynahet.” Ky ajet është për të penduarit, me unanimitet të dijetarëve, duke qenë kjo fjala e Ehli-sunetit dhe xhematit, duke filluar nga sahabët e të dërguarit (salallahu alejhi ue selem) dhe ata që kanë ecur në metodën e tyre prej njerëzve të dijes dhe besimit siç janë katër imamët dhe atë që i pasuan.

Paqja dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave

Anëtari:
Abdullah ibn Ku’ud

Anëtari:
Abdullah ibn Abdur-Rrahman ibn Gudejan

Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi

Kryetari:
Abdul-Aziz ibn Abdullah ibn Baz

 

Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja