Pyetja e dytë nga fetwaja numër 7976
Pyetje: E kam një vëlla një vit më të madh se unë i cili nuk kujdeset për namazin, e veçanërisht në Ramazan. Unë e urdhëroi atë vazhdimisht që të kujdeset për namazet por ai më thotë: “Mos i fut hundët në punët e mia, ti shikoje vetëm veten tënde,” dhe në disa raste ndodh edhe të përlahet me mua. Çfarë të bëjë? A jam gjynahqar nëse i lë atë dhe punët e tij, apo duhet të vazhdojë në këtë duke qenë i vetëdijshëm se ai fle gjatë kohës së namazit dhe nuk e falë atë përveç pasi të zgjohet nga gjumi, dhe thotë: “i fjeturi është i arsyetuar derisa të zgjohet;” duke e pasur parasysh edhe faktin se ai ka gjumë të rëndë? Prandaj, a është namazi i tij i saktë në këtë rast? Më jepni një përgjigje Allahu ju shpërbleftë me të mira!
Përgjigje:
Së pari: Të këshillojmë që të kesh frikë Allahun dhe të vazhdosh në atë mirësi në të cilën ndodhesh, dhe të vazhdosh gjithashtu në përzierjen me familjen tënde dhe këshillimin me ta me urtësi dhe këshillë të mirë, dhe të bësh durim ndaj asaj që mund të marrësh nga ata, duke llogaritur në shpërblimin e Allahut dhe pasimin e pejgamberit të Allahut (salallahu alejhi ue selem).
Së dyti: Ai i cili fle gjatë namazeve duke e bërë këtë me qëllim, dhe i del gjumi disa herë gjatë kohës së tij por e lë atë me qëllim, ose e falë atë kur të zgjohet pasi që ka mbaruar koha e tij, ka gjykimin sikurse ai që e lë me qëllim një namaz. Prandaj, kushdo që qëllimisht fle gjatë një namazi derisa të kalojë koha e tij, pa i vepruar sebepet (shkaqet) për t’u zgjuar nga gjumi për namaz gjatë kohës së tij, atëherë i dërguari i Allahut (salallahu alejhis ue selem) është vërtetuar se ka thënë: “Amaneti (zotimi) që qëndron mes neve dhe atyre është namazi, prandaj ai që e lë atë veç ka bërë kufr (ka mohuar).” Dhe gjithashtu është vërtetuar nga ai (salallahu alejhis ue selem) se ka thënë: “Ndërmjet njeriut dhe kufrit e shirkut qëndron lënia e namazit.”
I tërë suksesi është nga Allahu! Paqja dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
Anëtari:
Abdullah ibn Ku’ud
Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi
Kryetari:
Abdul-Aziz ibn Abdullah ibn Baz
Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani