Youtube/Tezkije
Shëmtia e emërtimit të fëmijëve me emra të këqij (VI)
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 21.08.2014

(... artikulli paraprak)

Kjo, përveç që është lëshim në edukimin e fëmijëve, është edhe krim ndaj tyre. Dijetari Bekr Ebu Zejd (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kam vërejtur me kujdes mëkatet dhe gjynahet e zakonshme, dhe pashë se kur robi pendohet nga mëkatet dhe gjynahet, teubeja (pendimi) i ndërpret ato, e ndalon ndikimin e tyre në esencë; Prandaj, ashtu siç Islami zhduk ato që kanë kaluar, duke qenë shirku gjynahu më i madh prej tyre, në këtë mënyrë edhe teubeja zhduk ato që kanë kaluar kur plotësohen kushtet e saj të përcaktuara me sheriat.

Mirëpo, ekzistojnë gjynahe të cilat barten në mënyrë zinxhirore tek pasardhësit, dhe turpi i tyre kalon prej gjyshërve e ju bashkëngjitet nipërve dhe mbesave, e pastaj me to tallen burrat me burra, fëmijët me fëmijë, gratë me gra, kështu që për tu penduar nga ato kërkohet udhëtim nëpër një pistë goxha të gjatë; Sepse, këto mëkate janë regjistruar tashmë në ditarin jetësor, qysh prej zanafillës së të porsalindurit kur doli duke qarë në këtë dynja e derisa Allahu të ketë caktuar të jetojë. Në çertifikatën e lindjes, në librin amë, në kartelën e identitetit, në çertifikatat e studimeve, në lejen për ngasjen e makinës, në dokumentet legjislative, ky bëhet emërtim i një të porsalinduri në të cilin prindi ka dështuar, duke mos arritur të emërtojë atë me një emër të cilin e verifikon sheriati i pastër, apo e pranon gjuha arabe (shqipe, për lexuesin tonë), dhe inspirohet nga natyra e pastër në të cilën është krijuar njeriu – fitrah.

Kjo është njëra prej llojeve të trazirave ideologjike e cila i ka marrë me vete disa prindër, secilin në varësi prej ndikimit që ka pasur nga kultura relevante, duke qenë njëra prej më të këqijave prej tyre pasioni i zjarrtë me të cilën frymonin disa pro-perëndimor, etja e fortë kundrejt emrave të jobesimtarëve, dhe pranimi i çdo emri të çaluar e të dobët, e në anën tjetër abstenimi i shkujdesur nga zbukurimi i të porsalindurve me emra të parapëlqyer sheriatikisht.[1]

Prandaj, prej gabimeve të cilat ngjajnë gjatë emërtimit të të porsalindurit janë këto në vijim:

a. Emërtimi me emra të ndaluar – haram:

Siç është emërtimi i tyre me Emra të Allahut që i ka zgjedhur për Veten e Tij, për shembull: el-Ehad,[2] er-Rrahman,[3] Allah, el-Khalik,[4]. Pastaj emra me të cilët adhurohet dikush tjetër pos Allahut të Lartësuar si p.sh. Abdun-nebij,[5] Abdul-Husejn,[6] Abdu-Alijj. Pastaj emërtimi i tyre me emra të huaj që janë të veçantë për armiqtë tanë qofshin jehudë apo të krishterë, apo të tjerë siç janë: Xhorxh, Dejvid, Majkëll, Xhozef, Viera, Dijana, Zhaklin; sepse kjo dërgon deri në njëfarë mase kah simpatia dhe dashuria ndaj tyre.

b. Emërtimi i tyre me emra të cilët duhet të shmangen apo mund të jenë haram

Siç është emërtimi i tyre me emra të sundimtarëve arrogantë apo tagutëve[7], siç janë: Faraon, Haman, Karun, dhe të gjithë atyre që ndodheshin në karvanin e tyre apo kanë pasuar metodën e tyre si p.sh. Marks, Lenin, Stalin, Frojd; duke qenë se emërtimi me këta emra nënkupton kënaqësi me veprat që kanë bërë ata dhe dashuri ndaj ideologjive të tyre.

c. Emërtimi i tyre me emra të cilët ka mundësi të jenë Emra të Allahut të Lartësuar

Këta futen në kategorinë e emrave të urryer sheriatikisht, siç është emërtimi me: Abdul-Maksud,[8] Abdus-Settar,[9] Abdul-Mevxhud.[10]

d. Emërtimi i tyre me emra të urryer në aspektin edukativ dhe tingëllues

E këta janë ata emra që në artikulimin e tyre përmbajnë fyerje apo kuptime që urrehen nga njerëzit, siç është: luftë, gomar, qen, apo thartan (i thartë).

e. Emërtimi i tyre me emra të cilët shkaktojnë të qeshura dhe rezultojnë në përbuzje

Për shembull: Tahmaqar, Frikë, Axhami, Mushkë, etj.

f. Emërtimi me emra që inspirojnë pasion apo dashuri, apo të cilët ngacmojnë turpin e njeriut

Për shembull: Pasion, i cili nënkupton çmenduri në dashuri; pastaj emrat si: Marrëdhënie, Sharmant, Fitnet (sprovim), apo Këngëtar.

g. Emërtimi me emra melaikesh

Veçanërisht për femrat, duke qenë se ka frikë se kjo përfshin përngjasim me idhujtarët.

h. Emërtim i cili në vetveten e tij përmban spastrim të atij personi në aspektin religjioz

Për shembull: I devotshëm.[11]

 

(… vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani



[1] “Emërtimi i të porsalindurve”, Shejkh Bekr Ebu Zejd, Fq. 9-10.

[2] “I Vetmi”

[3] “I Gjithëmëshirshmi”

[4] “Krijuesi”

[5] “Rob i të dërguarit”

[6] Husejni është djali i Aliut (Radija-Allahu anhu)

[7] Atyre që adhurohen përveç Allahut dhe janë të kënaqur me këtë vepër

[8] Ai të Cilin robi e synon me veprat e tij

[9] Ai i Cili i mbulon të metat dhe mëkatet e robërve të Vet

[10] Ai që gjithmonë është prezent (me dijen, dëgjimin, shikimin e Tij)

[11] Shih: “Edukata e afrimit te foshnja sipas Islamit”, nga Jusuf el-Arifi, fq. 40-46; si dhe “E drejta e prindërve ndaj fëmijëve dhe e drejta e fëmijëve ndaj prindërve,” nga Dr. Taha el-Afifi, fq. 84.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja