Vazhdim i artikullit
E para: Treguesi…Ai është plaku edukator, dijetar, punëtor dhe njeri me ekspertizë në këtë fushë. Në rrugën tënde të duhet një njeri i tillë, i cili udhëzon dhe këshillon, gdhend dhe përcjellë, i vëren dhe i njeh gjërat, një njeri që është provuar më parë. Ky nuk është vetëm tregues për rrugë. Ai është edhe tregues për shpirtin tënd, se ku ta pastrosh dhe si ta pastrosh. Ai të shoqëron në udhëtimin tënd, dhe të edukon me këtë shoqërim.
O vëllezër, kjo rrugë është rrugë e gjërë, e kjo është një nga këto shtyllat e rrugës. Është e gjërë që të ketë vend për të gjithë udhëtarët, sepse nuk janë të gjithë udhëtarët e njejtë. Allahu i ka krijuar krijesat dhe u ka dhënë ambicje dhe talente të ndryshme, dhe poashtu u ka dhënë edhe fuqi dhe forcë të ndryshme.
“Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë (pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë) dhe lartësoi në një shkallë më të lartëdisa nga ju mbi të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që u dha. All-llahu është ndëshkues i shpejtë, është që falë e Mëshirues.” (6:165)
Pra, ku do të udhëtosh? Si do të udhëtosh? Nga ku do të fillosh? Si do të vazhdosh? Ku do të ndalesh dhe deri kur? Kjo është detyra e treguesit. Çfarë duhet të përmirësosh, me çfarë duhet të preokupohesh, dhe në çka duhet të specializohesh?
Natyra e rrugës
Në mënyrë që të jetë më e qartë kjo që e thamë më lartë për treguesin, duhet që fillimisht ta njohim natyrën e rrugës. Lexo me mua se çfarë ka thënë Ibn Kajjimi (ra):
“Rruga tek Allahu është vetëm një, dhe nuk ka rrugë të ndryshme. Ajo është rruga e tij e qëndrueshme, në të cilën e ka vendosur një drejtues për ata që e ndjekin këtë rrugë tek Ai. Ka thënë Allahu:
“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera…” (6:153)
E ka përmendur në njëjës fjalën “rrugë” sepse është vetëm një, ndërsa rrugët tjera i ka përmendur në shumës sepse janë të shumta, sikurse është transmetuar se Pejgamberi (savs) e ka vizatuar një vijë dhe ka thënë:
“Kjo është rruga e Allahut”
Pastaj ka vizatuar disa vija të tjera, në të djathtë dhe në të majtë dhe ka thënë:
“Këto janë rrugë…Në krye të secilës prej tyre është një shejtan që thërret në të…”
Pastaj e lexoi ajetin:
“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij…” (6:153)
Dhe nga kjo është poashtu fjala e Allahut:
“All-llahu është mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë. E kujdestarë të atyre që nuk besuan janë djajtë që i nxjerrin ata prej drite e i hudhin në errësira.” (2:257)
Këtu poashtu e ka përmendur në njëjës dritën që është rruga e tij, dhe i ka përmendur në shumës errësirat, të cilat janë rrugët e shejtanit. E kush e kupton këtë, e kupton fshehtësinë e përmendjes në njëjës të dritës dhe në shumës të errësirave në këtë ajet:
“Falenderimi i qoftë vetëm All-llahut, që krijoi qiejt dhe tokën, që formuloi errësirat e dritën…” (6:1)
Këtu është edhe një fshehtësi më e bukur, të cilën e kuptojnë ata që e kuptojnë burimin e dritës. E ajo është se burimi i dritës është një, ndërsa errësirat janë të shumta, me mbështjellës të ndryshëm. Secili mbështjellës ka errësira të ndryshme. I gjithë qëllimi i kësaj është të tregohet se rruga tek Allahu është një, sepse ai është i Vërteti, dhe e vërteta është një, e ka vetëm një burim, ndërsa devijimi dhe e kota nuk kufizohen, dmth, çdo gjë përpos së vërtetës, është e kotë. Dhe poashtu çdo rrugë që të çon në të kotën është e kotë. E ajo që e thonë disa dijetarë se rrugët tek Allahu janë të shumta dhe të ndryshme, është nga mëshira e Allahut dhe mirësia e tij. Kjo nuk e kontradikton fjalën që e thamë më herët në lidhje me njësimin e rrugës. Kuptimi i saj është se rruga është një, dhe i përfshin të gjitha ato që e kënaqin Allahun, e ato që e kënaqin atë janë të shumta dhe të llojllojshme. Pra, të gjitha ato që e kënaqin Allahun janë një rrugë. Dhe ata që e kënaqin Atë janë të ndryshëm, të llojllojshëm sipas kohës, vendit, personaliteteve dhe gjendjeve. Të gjitha këto llojllojshmëri Allahu i ka bërë nga mirësia e tij, sepse ndryshojnë mendjet dhe logjikat e njerëzve. Kështuqë ka bërë lloje të ndryshme, në mënyrë që gjithkush ta gjejë veten e tij, sipas fuqive të tij.
Nga kjo poashtu mësohet se sheriatet janë të llojllojshme ndërsa I Adhuruari dhe feja e Tij janë vetëm një. Nga kjo është edhe hadithi i njohur:
“Pejgamberët janë vëllezër të një babai, nga nëna të ndryshme, ndërsa feja e tyre është një”
Dmth e ka përgjasur fenë e Pejgamberëve me babanë e tyre, ndërsa sheriatet e tyre me nënat e tyre.
Kur dihet kjo, atëherë, kuptohet se disa njerëz rrugën kryesore që e ndjekin në këtë udhëtim është ajo e nxënies dhe dhënies së diturisë, për të cilën ndan kohë duke e kërkuar fytyrën e Allahut. Vazhdon kështu në këtë rrugë, derisa të arrin tek Allahu dhe të fitojë në mënyrë të veçantë, apo të vdesë gjatë ndjekjes së rrugës e të arrijë atë që e kërkonte pas vdekjes së tij. Thotë Allahu:
“E kush del prej shtëpisë si migrues te All-llahu dhe i dërguari i Tij, dhe e zë vdekja (në rrugë), All-llahu mesiguri do ta shpërblejë.” (4:100)
Është transmetuar nga njerëz të shumtë, që kanë qenë kërkues të kujdesshëm të diturisë, dhe që kanë vdekur në këtë rrugë, se janë parë pas vdekjes së tyre në ëndrra dhe kanë treguar se janë duke mësuar në Berzah, sepse robi vdes në atë që ka jetuar.
Ka nga njerëzit që punën kryesore e kanë dhikrin (përmendjen e Allahut). E ka bërë këtë si përgatitje për udhëtim dhe si kapital aktiv. Kur plogshtohet nga kjo vepër, i duket se është shkatërruar.
E ka nga njerëzit që si vepër kryesore e kanë namazin. Kurdo që i kalon ndonjë kohë e ai nuk është i preokupuar me namaz, i ngushtohet gjoksi dhe i errësohet dita.
E ka nga njerëzit që e kanë si vepër kryesore bamirësinë. Zoti ia ka hapur si rrugë kryerjen e nevojave të njerëzve, largimin e brengave, dhe llojet e ndryshme të sadakasë, dhe këtë rrugë ai e ndjek për tek Zoti i tij.
Poashtu ka nga ata që si rrugë e ka zgjedhur agjërimin. Kurdo që nuk agjëron i ndryshon zemra dhe i prishet gjendja.
E ka nga ata që e kanë zgjedhur si rrugë udhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja. Allahu ua ka hapur këtë rrugë dhe me këtë ata udhëtojnë tek Ai.
E ka nga ata që rrugën për tek Ai e ndjekin përmes rrugës së haxhit dhe umres.
E ka nga ata që e kanë zgjedhur si rrugë përcjelljen e vetëvetes dhe mendimeve, dhe ruajtjen e kohës që të mos i shkojë në dëm.
Ndërsa ka edhe të tillë që i kanë bashkuar të gjitha rrugët. Ai udhëton tek Allahu në çdo qast dhe arrin tek Allahu nga çdo rrugë. Detyrat e adhurimit i ka bërë si kible të zemrës. Kudo që ka adhurim e gjen atë. Nëse është nxënia e diturisë, e gjen atë tek kërkuesit e diturisë. Nëse është xhihad e gjen atë tek muxhahidët. Nëse është namaz, e gjen atë tek ata që falin namaz. Nëse është dhikër, e gjen tek ata që bëjnë dhikër. Nëse është bamirësi e gjen atë tek bamirësit. Nëse ka të bëjë me mbikqyrje të vetvetes apo dashuri ndaj Allahut, e gjen atë në mesin e këtyre njerëzve. E ndjek rrugën e adhurimit, kudo që ka adhurim. Nëse pyetet se çfarë dëshiron nga punët e mira, do të thotë: “Dua që t’i zbatoj urdhërat e Zotit tim, kudo që janë”. Për këtë, Allahu ka thënë:
“All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtërat dhe pasurinë e tyre me Xhennet.” (9:111)
Ky është robi që udhëton ashtu si duhet tek Allahu. Nga zbatimi i sakt i kësaj është që zemra t’i lidhet me Të, ashtu sikurse lidhet zemra e atij që e do dikë, me atë që e do. Atij nuk i intereson asnjë kërkesë tjetër pos Tij. Nuk i mbetet në zemër asgjë tjetër pos dashurisë së Tij dhe kërkesës për t’u afruar me Të.
Kur robi ta ndjek këtë rrugë, Zoti tregon butësi ndaj Tij, e afron atë, ia merr zemrën afër Tij dhe kujdeset për të në të gjitha çështjet e tij. Poashtu Zoti kujdeset edhe për edukimin e tij, në mënyrën më të bukur, ashtu si e edukon prindi me mëshirë fëmijën e tij. Allahu është kujdestar i çdo krijese të Tij, qoftë e nënshtruar ndaj Tij apo jo. E a thua si është kujdestaria e tij ndaj dikujt që e ka dashur atë, dhe ia ka dorëzuar çështjet Atij, dhe është kënaqur qe Ai të jetë i dashuri, Zoti, kujdestari, ndihmësi dhe udhëzuesi i tij? E nëse do ta largonte Zoti mbulojën nga mirësia dhe bamirësia e Tij, nga e pret dhe nga nuk e pret, do të shkrihej zemra e tij, nga dashuria dhe përmallimi për Të dhe do të këputej nga falenderimi për Të. Mirëpo zemrat i ka penguar që t’i shohin këto, përjetësimi në botën e epsheve dhe të lidhjes me shkaqet, e ky është caktimi i Allahut. Përndryshe, cila zemër që e shijon ëmbëlsinë e njohjes së Allahut dhe dashurisë së Tij do të kthehej tek dikush tjetër? Kjo është diçka që nuk mund të ndodh kurrë”.