U sqarua rruga… Allahu e mëshiroftë Shejhul Islamin Ibn Kajjimin…çfarë dijetari edukues që ishte…Tani që u sqarua llojllojshmëria e rrugëve, ku do të shkosh, dhe si do të shkosh? Kush do të të drejtojë dhe të të nxitë? E kush do të të udhëzojë dhe të të këshillojë përpos edukatorit? Kanë thënë: “Sikur të mos ishte edukatori, nuk do ta njihja Zotin”. Atëherë, detyra e këtij edukatori është që të zgjedhë për ty, të të propozojë, e ndoshta edhe të të obligojë me diçka ndonjëherë, e cila e kundërshton epshin tënd, e për të cilën mendon se nuk do të mund ta bësh. E ndoshta do të ngritesh dhe të pyesësh: “Ku është edukatori? Ku është edukatori?”. E unë të them ty:
“…e kush iu përmbahet dispozitave të All-llahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk kujton fare. Kështu i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij, All-llahu realizon dëshirën e vet dhe All-llahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” (65: 2-3)
Ti, o njeri i mirë, mesiguri i mendon dijetarët e njohur, dhe mendon se vetëm ata mund të të edukojnë. E kjo është nga mashtrimi, sepse dijetarët dhe thirrësit e famshëm e paguajnë taksën e tyre të famës, dhe për këtë arsye nuk kanë kohë për askë. Iu mjaftojnë atyre brengat dhe obligimet e tyre. Ata janë të arsyetuar, Allahu na faltë ne dhe ata.
Ji modest, vëlla i dashur, dhe kërkoje këtë edukator. Ndonjë vëlla të panjohur, mirëpo të hershëm, që i duket në fytyrë elementi i njerëzve të mirë. Adhurues, të cilin e sheh pak duke u përzier me njerëzit. Garues në vepra të mira. Është udhëzuar para shumë vitesh, dhe i ka eksploruar aspektet e rrugës.
Më thuaj: “Nuk po gjej të tillë”. E unë të them: “Do të gjesh”. Thotë Allahu (svt):
“E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne, me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e besimtarëve.” (29:69)
E kjo poashtu është nga rregullat e kësaj rruge, se nuk i jepet ndihma e udhëtimit vetëmse atyre që përpjeken dhe sakrifikojnë. Kërko, ji i sinqertë, kujdesu, duro dhe do të të jepet. Këto janë bazat, o i varfër.
E dyta: Shoqëruesi
Në hixhret ka mësime dhe fshehtësi. Kur dëshiroi Pejgamberi (savs) të bëjë hixhret, i morri me vete vetëm dy burra, një udhëzues dhe një shoqërues (shok). Udhëzuesi ishte dikush që e njihte mirë rrugën, dhe detyra e tij përfundonte këtu. Ndërsa sa i përket shokut, kushtet për të ishin të shumta. Mund të pyesësh se pse nuk e morri Umerin, duke e ditur se ai ishte më trim, e një udhëtim sikurse Hixhreti kërkonte dikë që ishte trim? Apo pse nuk nuk e morri Aliun, duke e pasur parasysh se ishte më i ri, ishte nga familja e tij, dhe sakrifica e tij ishte më e lehtë, duke e pasur parasysh se ai fjeti në shtratin e Pejgamberit atë natë? Pse e zgjodhi Ebu Bekrin e jo tjetërkë? Shoqërimi në rrugë duhet të bëhet nga një njeri që është në menhexh. Për këtë, Pejgamberi (savs) e zgjodhi një burrë, zemra e të cilit ishte e afërt me të tijën, dhe kështu nuk patën asnjë herë mospajtim. Dëgjoje ngjarjen e shpellës. Kur tha Ebu Bekri: ‘Po të shikojë ndonjëri nga ata nën këmbët e tij, do të na sheh’, i tha atij Pejgamberi (savs): ‘Mos u mërzit! Allahu është me ne!’. A thua cila ishte përgjigja e Ebu Bekrit, apo komenti i tij për këtë mendim? Sigurisht që asgjë! Mbaroi puna dhe u qetësua. E unë jam i bindur se po të ishte dikush tjetër do të stresohej dhe do ta hapte përsëri këtë çështje. Mirëpo, pasiqë e pati zemrën e afërt me të, u qetësua. U qetësua Pejgamberi dhe u qetësua Ebu Bekri.
Si përmbledhje: Po të them se të duhet një shoqërues në këtë udhëtim, në metodologjinë e njejtë të zemrës tënde. Sepse po mendoj se të kanë mashtruar e të kanë thënë: ‘Kërkoje atë që të shtrëngon dhe të tërheq’, dhe çuditesh se shumë njerëz e kërkojnë dikë të tillë. Unë dëshiroj, o i dashur, që ta kërkosh dikë sikur ti që po e kërkon rrugën për tek Allahu dhe që dëshiron të arrijë tek Ai. Ky është kushti i tij. Ai është i kujdesshëm në nënshtrim ndaj Allahut, duke e dëshiruar arritjen tek Allahu. Kërkoje atë, ji i kënaqur me të, dhe mos e kërko të jetë i përkryer. Sepse ai që nuk është vet i përkryer, nuk mund ta kërkojë këtë nga të tjerët.
Ka thënë Fudajl ibn Ijjadi: “Kush kërkon vëlla pa të meta, mbetet pa vëlla”
Atëherë, nuk bën që udhëtari për tek Allahu ta lërë vëllaun e vet për shkak të dy-tri sjelljeve të tij që nuk i pëlqejnë, nëse është i kënaqur me sjelljet e tjera. Sepse e lehtë është të falësh, ndërsa përkryerja është e pamundur.
Ka thënë Ebu Derda: “Qortimi i vëllaut është më i mirë sesa humbja e tij”
Dhe kanë thënë disa të urtë: “Kërkimi i përsosmërisë është nga mungesa e përsosmërisë”
Kanë thënë disa nga selefët: “Mos të të largojë nga dikush që ia ke lavdëruar udhëtimin, je i kënaqur me ritmin e tij, ia njeh vlerën dhe mendjen, ndonjë e metë e fshehur, të cilën ia rrethojnë vlerat e tij të shumta, apo ndonjë mëkat i vogël, për të cilin kërkon falje fuqia e lutjeve të tij”.
Vazhdon...