21. Edukimi i tyre me gjëra të pavlefshme, shprehje të këqija, dhe sjellje të pahijshme.
Kjo duke i inkurajuar ata që të ndjekin ndejat me shoqëri, t’i imitojnë jobesimtarët; mësimi i vajzave me zakonin e veshjeve të shkurta; rrjedhimisht prej këtyre edhe mësimi i fëmijëve me përdorimin e shprehjeve thumbuese dhe fjalëve vulgare, e gjithë kjo si pasojë e dëgjimit të shpeshtë të këtyre shprehjeve nga prindërit e tyre apo si pasojë e etiketimit të fëmijëve me llagape të tilla gjatë thirrjes së tyre; gjëra të cilat i bëjnë fëmijët të ndihen shumë familjar me këto shprehje duke mos u kujdesur më për edukatën e të folurit.
22. Veprimi i veprave të ndaluara para syve të fëmijëve
Siç është pirja e duhanit, rruajtja e mjekrës, dëgjimi i këngëve me muzikë, shikimi i filmave të degraduar apo përcjellja e serive të prishura televizive, zbulimi i gruas (në publik) në prani të bijave të saj, shpeshtimi i daljeve nga shtëpia pa arsye, e shumë gjëra të tjera të cilat i bëjnë prindërit shembuj të këqij për fëmijët.
23. Sjellja e gjërave të ndaluara në shtëpi
Qofshin këto revista të pamoralshme apo aparate me përmbajtje shkatërruese, apo libra me përmbajtje seksuale të cilat lirisht flasin për seksin, apo gjëra tjera të ndaluara.
Prandaj, këto janë mjetet kryesore të shkatërrimit dhe kazmat e shembjeve, veglat e korrupsionit dhe degradimit, janë shkolla të shembjes së besimit të pastër dhe devijimit të kulturës, janë trajnime profesionale për tu futur në gjynahe të mëdha.[1] Këto mediume kanë mundësi të mëdha për mbjelljen e bindjeve, e gjithashtu kanë ndikim të hatashëm në zhdukjen e rolit të familjes në edukim.
24. Problemet e shumta mes prindërve
Kjo është një vepër që luan një rol negativ në raport me fëmijët. Çfarë do të jetë qëndrimi i fëmijës kur ai vazhdimisht e sheh se babai i tij e rrah nënën e tij?! Bën gabime ndaj saj me fjalë? Çfarë do të jetë qëndrimi i tij kur e sheh nënën e tij që sillet keq me babain e tij?!
S’ka dyshim se grindjet e këqija do të lënë gjurmë në personalitetin e tij, dhe kazani i urrejtjes do të fillojë të vlojë në kraharorin e tij, mëshira largohet nga zemra e tij dhe kështu e tërheq atë kah vrulli dhe armiqësia.
25. Kontradikta
Si për shembull babai të urdhërojë fëmijën e tij me sinqeritet ndërsa ai vetë gënjen, t’i urdhërojë ata që ta mbajnë premtimin ndërsa ai vetë tradhton, t’i urdhërojë ata që të sillen mirë me prindërit dhe të mbajnë lidhjet farefisnore ndërsa ai vetë është i rebeluar dhe shkëputës i lidhjeve, apo t’i ndalojë ata nga pirja e duhanit ndërsa ai vetë pi, e kështu me radhë.
Kjo nuk do të thotë që prindi duhet ta braktis këshillimin e fëmijëve të tij nëse ai është i mangët apo neglizhues në disa çështje, përkundrazi duhet të vazhdojë me këshillën edhe nëse nuk zbaton atë që thotë, mirëpo qëllimi është qartësimi se kontradikta mes fjalës dhe veprës zhduk gjurmët e këshillës.
26. Kontraktimi i shërbëtoreve apo edukatoreve për edukimin e fëmijëve
Kjo çështje është shumë serioze dhe e rrezikshme, e veçanërisht nëse shërbëtorja ose edukatorja do të ishte jobesimtare atëherë kjo do të ishte një vetiniciativë për devijimin e fëmijëve, prishjen e besimit dhe edukatës së tyre.
(... vazhdon)
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani
[1] Shih: “Familja muslimane para videove dhe televizionit” nga Mervan Kexhak, fq. 191; si dhe “Rreziqet që u kanosen shtëpive”, nga Muhamed el-Munexh-xhid, fq. 21-28; si dhe “Shenja gishtërinjësh për prindin tim”, nga Tajbe el-Jahja, fq. 22-25; si dhe “Fortifikata jonë e kërcënuar nga brenda,” nga dr. Muhamed Muhamed Husejn, fq. 45-47; si dhe “Islami dhe problemet gjinore,” nga dr. Mustafa Abdul-Wahid; si dhe “Televizioni midis dobive dhe dëmeve,” nga Awid Mensur, fq. 15-36; si dhe “Faqet dhe penat e helmuara,” nga Enver el-Xhundij, fq. 67-87; si dhe “Edukimi i adoleshentëve midis Islamit dhe psikologjisë,” nga dr. Muhamed Zabelawi, fq. 422; si dhe “Helme në atmosferë,” nga Ferid et-Tuni, fq. 15-40.