Youtube/Tezkije
Aspekte të lëshimeve që bëhen gjatë edukimit të fëmijëve
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 15.09.2014

(... artikulli paraprak)

27. Lejimi i vajzave të dalin vetëm nëpër dyqane pa mahrem[1]

Pa dyshim se kjo është një neglizhencë e madhe dhe shkelje e besnikërisë. Ka prej njerëzve që i shoqëron vajzat e tij deri tek një market i madh e ato vazhdojnë të qëndrojnë aty për orë të gjata, duke u endur andej këndej nëpër shitës të ndryshëm pa pasur mahrem me vete; gjë që i vë ato para sprovave dhe njëkohësisht ato i vënë të tjerët para sprovave.[2] Nëse do t’i thuhej ndonjërit prej këtyre: Pse nuk zbret edhe ti me to ti shoqërosh në dyqan? Thotë: Turpërohem të më shohë dikush me to. SubhanAllah! Turpërohesh nga njerëzit e nuk turpërohesh nga Allahu? A nuk frikësohesh prej dënimit të Tij? A nuk frikësohesh nga sprovat? Sikur të kishe poseduar dele, nuk do t’i lije për asnjë moment pa ndonjë bari që do të kujdesej për to. A mos është vallë nderi yt më i lirë se delet tua? A nuk frikësohesh për ta nga ujqërit grabitqar?

Kush delet i ruan në tokën shtatë-këndëshe të tij ...

Nëse gjumi e zë, luani e merr përsipër kullotën e tij

28. Injorimi i telefonit dhe mos-mbikëqyrja e tij brenda banesës

Disa prindër (Allahu i udhëzoftë) nuk i kushtojnë asnjë rëndësi telefonatave, e as që i mbikëqyrin ndonjëherë, e bile ndoshta çdonjërit prej bijve dhe bijave ua japin nga një telefon personal, duke injoruar faktin se përdorimi i telefonit për qëllime të këqija shkakton prishje dhe shthurje. Sa fatkeqësi kanë ndodhur e sa bela për shkak të tij, sa sherre i ka shkaktuar e sa trazira, sa ndere janë prekur e sa familje janë prishur për shkak të tij!

29. Pakujdesia ndaj gjërave që fëmijët lexojnë

Padyshim se leximi e formon mendjen dhe ndikon te lexuesi pozitivisht ose negativisht; ndërsa ka prindër që nuk ia varin veshin kësaj pune. Ata nuk interesohen për atë çfarë lexojnë fëmijët e tyre, nuk i udhëzojnë ata kah leximi i përmbajtjeve të dobishme dhe nuk u tërheqin vërejtjen atyre nga leximet e dëmshme.

30. Nënçmimi (nënvlerësimi) i fëmijëve dhe mungesa e trimërimit të tyre

Dhe prej manifestimit të kësaj janë:

a. Bërja e fëmijëve të heshtin kur ata duan të flasin diçka, si dhe përqeshja me ta dhe me fjalët e tyre; gjë që e bën fëmijën ta humbë vetëbesimin, të mos ketë guxim të flasë apo të shprehë mendimin e tij.

b. Fyerja e tyre kur gabojnë apo përçmimi i tyre kur ata dështojnë në ndonjë qëndrim apo humbin ndonjë garë, dhe kështu prindi ndihet krenar dhe mendjemadh, duke krijuar kështu një pengesë shpirtërore midis dy anëve. Në këtë mënyrë humbet mundësia e ndikimit të prindit te fëmiu i tij.

c. Përbuzja e tyre kur ata janë stabil, duke qenë kjo manifestimi më i drejtpërdrejt i përçmimit dhe aspekti më konkret. Vëren se një prind përbuz fëmijët e tij kur sheh te ta devotshmëri, përmirësim, stabilitet, apo udhëzim; gjë që i bën ata të humbasin dhe të kthehen mbrapsht nga ajo në të cilën ishin, dhe kështu shndërrohen në një pajisje të prindit të tyre dhe shkaktar i belave dhe fatkeqësive.

31. Edukimi i tyre me mungesë kujdesi ndaj përgjegjësive të tyre

Disa prindër nuk i edukojnë fëmijët e tyre me marrjen e përgjegjësive, qoftë për shkak të bërjes së tyre të ndihen rehat apo për shkak të mungesës së besueshmërisë ndaj tyre, apo ndoshta edhe për shkak të mosinteresimit që kanë për edukimin e fëmijëve të tyre.

Për shembull, vëren se disa baballarë posedojnë shumë dyqane tregtare prandaj ata punësojnë punëtorë edhe prej jashtë vendit të tyre, qofshin ata edhe jobesimtarë, apo kërkon ndihmë nga ata që punojnë tek ai prej vendasve, ndërkohë që në anën tjetër fëmijët e tij rrinë në shtëpi dhe s’ka asnjë punë për ta, mos të themi se punojnë te një punëdhënës tjetër.

S’po e përjashtojmë mundësinë që fëmijët mund të jenë të rebeluar ndaj prindërve, mirëpo ku mbeti atëherë roli i tyre në edukimin e tyre?!

 

(... vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani

 



[1] Person me të cilin gruas i lejohet të qëndrojë apo të udhëtojë

[2] Këtu është fjala për gra të cilat janë të mbuluara me mbulesë Islame, e çfarë të themi për ato gra që përveç që dalin të zbuluara ato edhe i shfaqin bukuritë e tyre në formën më të përkryer. Allahu na ruajtë!


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja