Youtube/Tezkije
Ja edhe disa prej gabimeve gjatë edukimit të fëmijëve
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 19.09.2014

(... artikulli paraprak)

32. Mosdhënia atyre shans për përmirësim dhe ndryshim drejt më të mirës

Në këtë mënyrë, vëren se disa prindër përbuzin fëmijën e tyre qoftë edhe për gabimin apo rrëshqitjen më të thjeshtë, dhe thuajse nuk ia harron këtë gabim që e ka bërë. Nëse fëmiu i tij vjedh diçka ai e emërton atë hajn[1] përgjithmonë, e nëse gënjen diçka menjëherë ia vë emrin gënjeshtar; sillet me të sikur të ishin këto gabime të rrënjosura dhe s’ka mundësi të asgjësohen, apo sikur të ishin mbyllur me kapak që nuk asgjësohet. Prandaj, qysh prej këtij momenti fëmiu fillon të rritet me bindjen se ai është hajn apo gënjeshtar dhe nuk përpiqet më që të largojë këtë të metë nga vetja e tij, e as nuk gjen dikë që do t’i ndihmonte në këtë.

33. Kuptimi i mangët i karakterit të fëmijëve dhe natyrës së tyre

Ka shumë prindër që nuk janë në gjendje ta njohin karakterin e fëmijëve të tyre, natyrën e tyre dhe temperamentin e tyre. Temperamenti dhe natyra e fëmijëve ndryshojnë; për shembull, ka prej tyre që nevrikosen shpejt, ka prej tyre që shquhen me ftohtësi, apo dikush mund të jetë me temperament mesatar; Prandaj, sjellja me ta duke përdorur metodën e njëjtë, përkundër qartësimit të karaktereve të tyre, mund të bëhet shkaktar për devijimin e tyre apo animin kah e keqja.

34. Mosvlerësimi i shkallëve nëpër të cilat kalon fëmiu derisa të rritet

Ka raste kur prindërit i konsiderojnë fëmijët e tyre në vazhdimësi sikur të ishin fëmijë të vegjël, pa marrë parasysh se ai është rritur. Prandaj, kjo sjellje lë gjurmë te fëmiu i cili do të ndihet si i mangët.

35. Kënaqësia me fatkeqësitë e të tjerëve

Disa prindër kur e shohin dikë që është sprovuar duan ta përpijnë atë me sy, pastaj shkon dhe i akuzon familjen e tij me lëshime në edukimin e tij, në vend që ta lusë Allahun për shpëtim nga kjo fatkeqësi për veten e tij, si dhe që Allahu ta mëshirojë të sprovuarin.

Sa ka njerëz fëmijët e të cilëve kanë devijuar dhe kanë humbur për shkak të nënçmimit të fëmijëve të të tjerëve të cilët janë sprovuar, për shkak të gjuhës së tyre të mprehtë dhe guximit ndaj njerëzve.

36. Kujdesi i pakët ndaj zgjedhjes së shkollës për fëmijët

Sa shumë ka të tillë të cilët janë të pakujdesshëm ndaj kësaj. Vëren se prindi nuk interesohet për shkollën e fëmijëve në të cilën do të mësojnë fëmijët e tij, e as për mësuesit, sjelljen dhe edukatën e tyre, e as për metodologjinë e mësimdhënies apo tiparet e nxënësve që vijojnë mësimin në atë shkollë me bijtë e tij.

37. Dërgimi i tyre për studime në shkolla të huaja

Gjë që prish besimin e drejtë të tyre dhe edukatën e tyre, e veçanërisht nëse ata janë ende të vegjël apo përkujdesje të pakët për diturinë dhe devotshmërinë e tyre.

38. Bashkëpunimi i pakët me shkollat e fëmijëve të tij apo braktisja e tërësishme e tyre

Ka shumë prindër të cilët nuk bashkëpunojnë me shkollat në të cilat mësojnë fëmijët e tyre, e ndoshta as që e dinë se ku mësojnë ata.

39. Mbrojtja e fëmiut për mungesat e tij në mësime – veçanërisht në shkollë

Ka mundësi që ndonjëri prej mësuesve ose përgjegjësve të shkollës ta qortojë ndonjërin prej nxënësve ose ta dënojë atë, por pas kësaj prindi i tij vjen në shkollë i nevrikosur deri në maksimum dhe në vend që të zhvillojë një bisedë të qetë me personin përkatës, apo në vend që ta bëjë këtë në largësi prej shikimit të fëmiut, ai fillon të godasë me shprehje ofenduese mësuesin apo përgjegjësin duke e shfryrë kupën e hidhërimit të tij ndaj tyre dhe duke i vënë ata në pozitën më të ulët para fëmiut të tij. Qysh prej këtij momenti bie vlera e kësaj shkolle në sytë e fëmiut dhe ai fillon të ndihet mendjemadh, arrogant dhe me vetëpëlqim, dhe vështirë se do të lënë ndonjë gjurmë tek ai mësuesit apo edukatorët pas kësaj.

 

(... vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani

 



[1] edhe pse ai nuk e ka arritur moshën kur gjykohet për gabimin e tij


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja