Këto ishin disa nga aspektet e lëshimeve dhe mangësive gjatë edukimit të fëmijëve, por çfarë të presim pas gjithë kësaj neglizhence? Çfarë do të korrim si rezultat i mangësive të tilla?
A pas gjithë kësaj ka shpresë për rimëkëmbjen e fëmijëve tanë? I rrethuam ata me çdo shkak që i dërgon kah devijimi ndërsa ende po presim për përmirësimin dhe shpëtimin e tyre?
Se çfarë krimesh kemi bërë ndaj fëmijëve tanë do ta kuptojmë vetëm atëherë kur t’i hedhim ata në betejat e jetës bashkë me këtë edukatë të gabuar që ua kemi dhënë me vete. E pastaj shpejtojmë të ankohemi për devijimin e tyre, kokëfortësinë ndaj prindërve apo rebelimin, ndërsa ne vetë jemi ata që kemi mbjellë me duart tona filizat e këtij devijimi, kokëfortësie apo rebelimi.[1]
Ku është edukata që ne po ua japim të rinjve në këto kohëra në krahasim me edukatën e të parëve tanë të devotshëm, të cilët nxorën për ne gjeneratën më të ndershme dhe parinë më të mirë, të cilëve askush nuk iu afrua më pas tyre e as që arritën synimet që kishin ata?!
Prandaj, kush qëndronte prapa këtyre yjeve? Dhe kush është ai që i bëri ata burra të këtillë?
Sikur ne ta shqyrtonim gjendjen e tyre dhe ta përcillnim biografinë e tyre do të gjenim se pas çdonjërit prej tyre qëndronte një baba i madh apo një nënë e madhe, të cilët i edukuan fëmijët e tyre me pretendime që të arrijnë përsosurinë dhe me synime të larta.
Ne do të sjellim ca shembuj prej pas perdeve ku nënat edukuan fëmijët e tyre, mbollën virtyte në kraharorët e tyre dhe në kapilarët e gjakrave të bijve të tyre vendosën stendat e tyre.
(… vazhdon)
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani