Youtube/Tezkije
Imazhe të shndritshme: Ali ibn Ebi Talib, Muavije ibn Ebi Sufjan, e të tjerë
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 11.10.2014

(... artikulli paraprak)

2. Pastaj, prijësi i besimtarëve, Ebul-Hasen, Ali Ibn Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të), gjatë edukimit të tij kaloi nëpër dy kraharorë të cilët ishin kraharorët më të mbushur me urtësi dhe të pajisur me tiparet më fisnike dhe zakonet më bujare. Ushqyesja e tij ishte nëna e tij Fatime bintu Esed, ndërsa prehja e tij ishte nëna e besimtarëve Hatixhe bintu Huvejlid (Allahu qoftë i kënaqur me të).

3. Dhe ja ku e kemi prijësin e besimtarëve, ekspertin dhe mendjemprehtin e arabëve, Muavije Ibn Ebi Sufjan (Allahu qoftë i kënaqur me të). Kush qëndronte pas tij? ... Pas tij qëndronte një nënë e madhe, e ajo ishte Hind bintu Utbete (Allahu qoftë i kënaqur me të). Derisa Muavije i porsalindur qëndronte para saj njerëzit i thanë asaj: “Ky nëse jeton do të bëhet prijës i popullit!” Ajo ua ktheu: “Mjerë për të nëse do të udhëheqë vetëm popullin e tij!”

Ndërsa kur viheshin në diskutim aftësitë e ndonjërit, apo nxiteshin për mburrje me idetë që ndokush kishte, Muavije ia atribuonte të gjitha nënës së tij duke gërvishtur veshët e kundërshtarëve të tij me fjalët: “Unë jam i biri i Hindit.”

4. Pastaj Abdullah ibnu Zubejr (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili pas vetes së tij kishte një nënë fisnike e trimëreshë, e ajo ishte Esma bija e Ebu Bekr Es-Siddik (Allahu qoftë i kënaqur me të dy). Kur u lajmërua për vdekjen e birit të saj Abdullahut ajo tha: “Çfarë më siguron mua nga një gjë e tillë kur koka e Jahjas të birit të Zekerijas iu dha si dhuratë një lavireje nga laviret e beni israilëve!?”

Gjithashtu, para kësaj që ndodhi, kur i biri i saj u këshillua me të për të luftuar me Haxhaxhin, ajo i tha birit të saj: “Shko, sepse pasha Allahun një goditje nga shpata duke qenë krenar është më e mirë se një goditje nga kamxhiku e duke qenë i nënçmuar.”

5. Prijësi i besimtarëve, më i drejti, më i shkëlqyeshmi dhe më i devotshmi prej tyre, asketi më i shquar, Ebu Hafs, Umer ibn Abdulaziz (Allahu i Lartësuar e mëshiroftë), kush qëndronte pas tij? ... Në të vërtetë, ajo ishte nëna e tij, Ummu ‘Asim, bija e ‘Asim-it birit të Umer ibnu El-Hatabit; më e pajisura me virtyte nga gratë e epokës së saj dhe poseduese e parimeve më fisnike.

6. Pastaj Abdulmelik ibnu Umer ibnu Abdulaziz, ishte një djalosh me një shpirtmadhësi të përsosur, me një famë të shquar e cila e bëri shembull të diturisë, trimërisë, asketizmit dhe përkushtimit në adhurim, përkundër faktit se vdiq në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare.

Por, kush qëndronte pas tij? ... Vërtetë në përkrahje të tij ishte një baba asket, Umer ibnu Abdulaziz, dhe nëna e tij Fatime bintu Abdulmelik ibnu Mervan.[1]

7. Sufjan eth-Theuri. E ku e di ti se kush është Sufjan eth-Theuri? ...

Ai është më i dijshmi i arabëve në fik’h[2], i pari i tyre në hadith, themeluesi i njërit prej gjashtë medh’hebeve të pasuara, dhe prijës i besimtarëve në hadith. Kjo dituri e begatshme dhe ky imam i çmuar nuk ishin tjetër veçse pasojë e përpjekjeve të një nëne të devotshme, punën, virtytet dhe pozitën e së cilës e ruajti historia për ne edhe nëse u tregua koprrace për emrin e saj.

Imam Ahmedi përcolli përmes zinxhirit të tij të transmetimeve nga Vekiu se ka thënë: “Nëna e Sufjanit i ka thënë Sufjanit: “O biri im! Ti kërkoje diturinë ndërsa unë të mjaftoj me gishtin tim”.” Ajo, Allahu e mëshiroftë, punonte dhe e furnizonte atë që t’ia lehtësonte atij të preokupohej vetëm me diturinë, e gjithashtu i jepte këshilla dhe e përkrahte me to. Sipas asaj që na e ka përcjellë imam Ahmedi, ajo i tha njëherë atij: “O biri im! Nëse i shkruan dhjetë shkronja, shiko se a po sheh te vetja jote shtim të frikës ndaj Allahut, urtësisë dhe seriozitetit, e nëse nuk vëren ndonjërën nga këto atëherë dije se ato vetëm të dëmtojnë e nuk të sjellin ndonjë dobi.”

8. Dhe ja ku e kemi hoxhën dhe imamin, fakihun[3] me dije oqeani, dijetarin e shquar, ai për të cilin u nënshtruan frytet e urtësisë ndërsa balluket e retorikës iu qasën në afërsi, Muhamed ibnu Idris esh-Shafi’iu, i cili mbushi diametrin e tokës me dije, fik’h dhe mirësi, ... fryt i një nëne të madhe. Babai i tij kishte vdekur kur ai ishte në mitër apo i porsalindur, dhe nëna e tij trashëgoi përkujdesjen për të, e ndriçoi atë me urtësinë e saj, duke qenë se ishte një grua prej grave me moral të lartë dhe intelekt të dalluar.

9. Prijësi i besimtarëve Abdurrahman en-Nasir, valiu[4] i Andaluzit, vilajet i mbushur me sprova dhe i cili shkëlqente nga gjakrat, i cili përkundër kësaj u qetësua me pozitën e tij e pastaj iu bashkëngjit frontit të ushtrisë së tij dhe çliroi shtatëdhjetë kështjella në një betejë të vetme. Pas kësaj pati sukses të depërtojë deri në zemër të Francës, të futet në kullosat e Zvicrës, dhe të përfshijë edhe kufijtë e Italisë, derisa i futi të gjithë këta brenda kopshteve të tij.

Pasi që Kordoba u bë një principatë në minberet e së cilës përmendej shumë halifeja abasit dhe në emër të tij funksionin ligjet e saj,  atëherë ky vend u bë rezidencë e hilafetit të tij tek e cila drejtoheshin monarkët dhe mbretërit e Evropës dhe në institucionet e së cilës u gjendën shkencëtarë dhe filozofë nga popuj të ndryshëm.

A e di se cili ishte sekreti i kësaj madhështie? Cila ishte pista e këtij inspirimi? ... Ajo ishte veç një grua. Abdurrahmani ishte rritur jetim, sepse xhaxhai i tij ia kishte vrarë babanë, kështu që nëna e tij mbeti e vetme për ta edukuar atë, për të futur sekretin e përsosurisë dhe frymëzimin e ngritjes në shpirtin e tij. E kjo ishte shkaku i asaj për të cilën mësove.

 

(… vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani

 



[1] Shih: “Jetëshkrimi rreth Abdulmelik ibnu Umer ibnu Abdulaziz,” nga Ibn Rexheb el-Hanbelij.

[2] Jurisprudencën Islame

[3] Fakih: Grada më e lartë e dijetarit në shkencën e jurisprudencës Islame, fik’h-ut

[4] Qeveritari më i lartë, i emëruari nga prijësi më i lartë i muslimanëve


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja