Youtube/Tezkije
Metoda që ndihmojnë në edukimin e fëmijëve
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 25.10.2014

(... artikulli paraprak)

Ekzistojnë metoda ndihmëse për edukimin e fëmijëve dhe çështje të cilat meritojnë vëmendjen tonë, prandaj duhet që t’i ndjekim ato gjatë edukimit të më të dashurve tanë. Ato janë si vijojnë:[1]

1. Përkujdesja që t’ia zgjedhim një bashkëshorte të mirë

Nuk i takon asnjë personi që të ngutet me martesë para se t’i lutet Allahut të Lartësuar për ta udhëzuar kah më e mira dhe të konsultohet me njerëzit që kanë përvojë dhe njohuri për këtë gjë. Kjo bashkëshorte është nëna e fëmijëve, dhe ata do të rriten sipas edukatës dhe natyrës së saj, e pastaj ajo ka ndikim edhe te vetë burri. Për këtë arsye është thënë: “Njeriu është në fenë e bashkëshortes së tij; për shkak të pasimit të saj në disa gjëra si rezultat i animit kah ajo, dhe se dashuria që ka ndaj saj e tërheq kah akordimi me të, kështu që nuk gjen ndonjë rrugë që t’i shmanget asaj e as të veprojë ndryshe.”[2]

Ekthem ibn Sajfi i tha djalit të tij: “O biri im! Mos të të josh bukuria e grave ndaj fisnikërisë së prejardhjes së tyre, sepse martesat e virtytshme sjellin nder dhe dinjitet.”[3]

Ebu Esved ed-Devli iu tha bijve të tij: “Jam sjellë mirë me juve kur ishit të vegjël dhe kur u rritët, dhe para se të lindnit.” I thanë: “Por, si ka mundësi që sjellë mirë me ne para se të lindnim?” Tha: “Ua kam zgjedhur një nënë që s’mund t’i gjeni të metë.”[4]

Ndërsa Rijashiu këndonte:

Mirësia e parë që ua dhashë ishte zgjedhja e ...
një nëne fisnike, dëlirësia e së cilës ishte e qartë

2. Lutja e Allahut për pasardhës të mirë

Kjo vepër ishte zakon i të dërguarve dhe pejgamberëve, si dhe robërve të devotshëm të Allahut, siç tha Allahu i Lartësuar për Zekerija-në (përkthim i përshtatur): “Tha: “O Zoti im! Më dhuro mua pasardhës të mirë! Vërtetë Ti dëgjon lutjen!” (Ali Imran, 38). Dhe siç na tregoi për të devotshmit se prej cilësive të tyre është se ata thonë: “O Zoti ynë! Na dhuro gra dhe pasardhës që janë prehje për sytë tanë dhe na bëj prijës të të devotshmëve!” (el-Furkan, 74).

3. Gëzimi me fëmijët që i janë dhuruar dhe të pasurit kujdes nga hidhërimi

Fëmijët janë dhuratë nga Allahu i Lartësuar, prandaj i takon muslimanit që të jetë i kënaqur me atë që i ka dhënë Allahu, qoftë mashkull apo femër, dhe nuk i takon muslimanit që të hidhërohet me atë çfarë Allahu i ka dhuruar e kështu të sillet keq me ta, apo të frikësohet se mos po ia rëndojnë shpinën me harxhime. Allahu i Lartësuar është Ai i Cili e ka marrë përsipër furnizimin e tyre, siç ka thënë – qoftë i pa të meta – (përkthim i përshtatur): “Ne i furnizojmë ata dhe juve.” (el-Isra’, 31)

Muslimanit i ndalohet që të hidhërohet për lindjen e vajzave apo të mërzitet për atë çfarë ato i ofrojnë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për robin, ashtu që të shpëtojë nga përngjasimi me edukatën e injorantëve jofetar dhe të shpëtojë nga kundërshtimi i caktimit të Allahut apo mohimit të dhuratës së Tij – qoftë i Madhëruar!

Mirësia e vajzave është e pamohueshme. Ato janë bija, janë motra, janë bashkëshorte, janë nëna, dhe siç thotë një prej hoxhallarëve: “ato janë gjysma e shoqërisë e cila e lindë gjysmën tjetër të saj, prandaj ato janë e tërë shoqëria.”

Prej gjërave që tregojnë për mirësinë e tyre është se Allahu e ka quajtur ardhjen e tyre dhuratë dhe ka paraprirë përmendjen e tyre ndaj meshkujve, duke thënë (përkthim i përshtatur): “I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë..” (esh-Shura, 49)

Dhe ka thënë i dërguari (salallahu alejhi ue selem): “Kujt i janë dhuruar diçka nga vajzat si sprovë për të, e ai është sjellë mirë me to, do të jenë mbrojtje nga Zjarri për të.”[5] Dhe ka thënë: “Kush ka tri vajza ose tri motra, apo dy vajza ose dy motra, dhe ka frikë Allahun për to prandaj sillet me to me mirësi, do të hyjë në Xhennet.”[6]

Dhe, Allahut i takon edhe thurja e këtij poeti:

Pëlqejeni dhuntinë e vajzave të virtytshme nga Allahu si mirësi
Ato janë për fisnikërim e për prehje, janë si drunj me frytësi
Edhe bereqeti vjen si pasojë e sjelljes ndaj tyre me mirësi.[7]

 

(… vazhdon)

Përshtati nga arabishtja, Hekuran Helshani.



[1] Shih: “Dhuratë për të dashurin”, fq. 146-148, si dhe “Të drejtat për të cilat nxiti natyrshmëria e të cilat i konfirmoi sheriati,” fq. 9-11, si dhe “Edukata jonë shoqërore,” fq. 156-157, “Sjellja e muslimanit,” nga Muhamed Said Mebidh, fq. 161-163, si dhe “Përkujtimi i robërve për edukimin e fëmijëve,” fq. 18-23, 66-77, si dhe “Gjurmët e edukimit Islam në sigurinë e shoqërisë,” dr. Abdullah Kadiri, fq. 168-189, si dhe “Përgjegjësia në Islam,” dr. Abdullah Kadiri, fq. 99-119, si dhe “Personaliteti i muslimanit sipas udhëzimit të Librit dhe sunetit,” dr. Muhamed Ali el-Hashimi, fq. 93-106, si dhe “Hedhje vështrimi në familjen muslimane,” nga Sibagi, fq. 155-170, si dhe “Fëmijët dhe edukimi i tyre në Islam,” nga Muhamed el-Mukbil, fq. 131-136.

[2] Shih: “Edukata e dynjasë dhe e fesë,” fq. 129.

[3] 40 Shih: “Edukata e dynjasë dhe e fesë,” fq. 132.                

 

[5] Buhariu (1418), Muslimi (2629).

[6] Musnedi i Imam Ahmedit, 3/43.

[7] Shih: “Zëri i të nderuarave,” nga Devseri, fq. 27.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja