4. Kërkim-ndihma nga Allahu për edukimin e tyre
Kur Allahu e ndihmon robin në fëmijët e Tij, e përqendron atë dhe i jep sukses, atëherë ai ka shpëtuar dhe ka korrur sukses të vërtetë. Por, nëse robi tradhtohet dhe lihet i mbështetur te vetja e tij, ai shpejt do të humbasë, dhe veprat e tij do të bëhen barrë për të, siç është thënë:
Po që se ndihma e Krijuesit realizohet për një njeri
S’do mbetet çështje e vështirë veçse do shndërrohet në lehtësi
Apo siç është thënë:
Po të mos ishte ndihma e Allahut për djaloshin e ri
E para gjë që do ta rrëzonte atë do ishte përpjekja e tij
5. Lutja për të mirën e fëmijëve dhe braktisja e lutjes kundër tyre
Nëse janë robër të devotshëm atëherë lutja të jetë për stabilitet dhe shtim të mirësive, e nëse janë të mbrapshtë atëherë lutja për ta të jetë për udhëzim dhe përqendrim në fe.
Kujdes, dhe tejet kujdes, nga lutja kundër tyre! Sepse, po që se ata do prishen dhe do të devijojnë, prindërit do të jenë të parët që do të damkosen[1] për shkak të kësaj.
6. Emërtimi i tyre me emra të mirë
Ajo që iu ka hije prindërve është që t’i emërtojnë fëmijët e tyre me emra të bukur musliman[2], dhe të kenë kujdes nga emërtimi i tyre me emra të ndaluar apo të urryer, apo që simbolizojnë shëmti. Emrat do të vazhdojnë të jenë me fëmijët gjatë gjithë jetës, dhe do të kenë ndikim tek ta dhe sjellja e tyre.
Ibn Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Vështirë se do të gjesh ndonjë emër të shëmtuar e që nuk është edhe pronari i tij i tillë, siç është thënë:
Vështirë të të kenë parë sytë pas një llagapi
veçse kuptimi i tij, pak po të mendoje, është i bartësit të tij”
Allahu – i pa të meta qoftë Ai, me urtësinë e Tij në caktimin e asaj që ka ndodhur dhe që do të ndodhë, i frymëzon shpirtrat që t’i vënë emrat sipas realitetit që ndodhet brenda atij të emërtuari; ashtu që urtësia e Allahut ti shkojë për shtati emrit dhe kuptimit të tij, siç ka bërë që shkaqet të përputhen me pasojat e tyre.
Ebul-Fet’h ibn Xhenij thotë: “Kam kaluar nëpër një periudhë kur dëgjoja një emër dhe, pasi që nuk e dija kuptimin e tij, merrja kuptimin e tij sipas asaj shprehje pastaj e analizoja, dhe ja që dilte se ishte i njëjti apo i afërt me të. Kështu që e pyeta dijetarin e madh të Islamit Ibn Tejmijen (Allahu e mëshiroftë) për këtë, më tha: “Edhe mua më ndodh shpesh”.”[3]
Inbul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “... prandaj si përmbledhje, sjellja, veprat dhe veprimet e shëmtuara, kërkojnë emra që u përshtaten atyre; e gjithashtu të kundërtat kërkojnë emra që u përshtaten atyre. Ashtu siç është e vërtetuar kjo për emrat e cilësive, njëjtë vlen edhe për emrat e personaliteteve të famshme; i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk u emërtua për tjetër me emrin Muhamed dhe Ahmed (i lavdëruar)[4] veçse për shkak të grumbullimit të shumë tipareve të çmuara në veten e tij, prandaj flamurin e lavdërimeve e mbante ai në dorë, ndërsa umeti i tij ishin lavdëruesit, e ai ishte krijesa që më së shumti i thurte lavde Zotit të tij të Lartësuar. Për këtë arsye, i dërguari (salallahu alejhi ue selem) ka urdhëruar për zgjedhjen e emrave më të mirë duke thënë: “Zgjidhni emra të mirë për vete,” sepse ka mundësi që pronari i një emri të mirë mund të turpërohet nga emri i tij dhe kjo ta shtyjë atë që të veprojë atë çfarë i shkon për shtati emrit të tij, dhe të braktisë të kundërtën e kësaj. Prandaj vëren se shumica e paraardhësve tanë të ndershëm (selefit) kanë pasur emra që janë përshtatur me karakteret e tyre, e sa shumë që iu janë përshtatur atyre emrat e tyre. I gjithë suksesi është me ndihmën e Allahu.”[5]
Dijetari i njohur Bekr Ebu Zejd (Allahu e mëshiroftë): “Është obligim i muslimanëve në përgjithësi, dhe i banorëve të këtij gadishulli arab në veçanti, përkujdesja ndaj emërtimit të porsalindurve të tyre me atë që nuk bie në kundërshtim me sheriatin Islam në asnjë aspekt, nuk del nga tradita e gjuhës arabe; ashtu që nëse viziton vendin e tyre një udhëtar apo del prej tij një vendas, nuk do të dëgjojë tjetër veçse: Abdullah, Abdurrahman, Muhamed, Ahmed, Ajshe, Fatime, e kështu me radhë, emra të ligjëruar sheriatikisht prej një liste që është shumë e gjatë të përmendet, prej së cilës janë stërmbushur librat e historisë dhe biografive.
E sa u përket këtyre emrave të huaj të cilët origjinën e kanë në vendet jobesimtare dhe janë të papranueshëm gjuhësisht dhe sheriatikisht, e të cilët për shkak të pasionit të vrullshëm ndaj tyre kanë arritur fazën e përdorimit të tyre si kunja në gjininë femërore; këta emra, përveç që është mëkat emërtimi i fëmijëve me ta, janë edhe mëkatim i hapur publik, e Allahun e kam dëshmitar se nuk kënaqem me këtë.
Të tillë janë emrat si: Indira, Zhaklin, Xhuli, Dijana, Suzana (e cila ka kuptimin “gjilpërë” apo “e zjarrtë”), Felli, Viktoria, Gloria, Lara, Linda, Maja, Manuela, Hajdi, Jara, etj.
Emra të tjerë të huaj qofshin Persian, Turk, apo barbarë si: Marifet, Xhevdet, Haki, Fevzi, Shejrihan, Shirinë, Nejfinë, etj.
Pastaj emrat qesharakë si: Zuzu, Vivi, Mimi, etj.
Emra romantikë, të butë e të brishtë si: Ëndërr, Aromë, Këndim, Sharmant, Pasion, etj.[6]
Sa e bukur është fjala e Bejxhanit në poemën e tij:
Atë që në dritë nxore quaje Muhamed
Tahir[7], Mustafa[8] apo Ahmed
E nëse do, është i mirë edhe Abdullah[9]
Ashtu që të jetojë nën butësinë e të Madhit Allah
Ndërsa çupën emërtoje Ummu Hani
e jo me emra të bruztë e as Ismahani
(… vazhdon)
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani.
[1] Autori ka për qëllim damkosjen me Zjarr në botën e tjetër, djegien, vulosjen me zjarr.
[2] Autori thotë: “emra të bukur arab musliman,” duke pasur për qëllim popullin arab, mirëpo dihet mire se çfarëdo emri me kuptim të mirë në çfarëdo gjuhe tjetër të botës është i lejuar në Islam.
[3] “Tuhfetul-Mevdud”, fq. 92
[4] Të dy këta emra kanë burimin e njëjtë: i lavdëruar, prandaj edhe Allahu në Kur’an tregoi se i pat paralajmëruar më parë ithtarët e Librit me ardhjen e një pejgamberi që quhet “Ahmed.”
[5] “Tuhfetul-Mevdud”, fq. 92
[6] “Emërtimi i të porsalindurit,” fq. 6-7
[7] “i Pastër”
[8] “i Zgjedhur”
[9] “rob i Allahut”