8. Mbjellja e imanit dhe besimit të fortë e të saktë te fëmijët
Prej gjërave të obligueshme për prindërit, e bile më e obligueshmja prej tyre, është që me gjithë mundin e tyre të përpiqen për këtë gjë, duke e ujitur vazhdimisht këtë përgjegjësi dhe duke i kushtuar vëmendje të madhe; siç është për shembull, mësimi i fëmijëve qysh prej vegjëlisë që ti shqiptojnë dy dëshmitë (shehadetet) dhe t’i mësojnë ato përmendësh, të mbjellin në zemrat e tyre dashurinë ndaj Allahut të Lartësuar dhe se ne nuk posedojmë asnjë dhunti veçse prej Allahut të Vetmit. Pastaj, ti mësojë ata gjithashtu se Allahu ndodhet në qiell dhe se Ai dëgjon dhe sheh, ndërsa si Ai nuk është askush, e kështu me radhë gjëra tjera që kanë të bëjnë me besimin Islam. Ndërsa kur të rriten, vazhdon t’u mësojë atyre leximin e librave të akides[1] që janë të përshtatshme për ta.
9. Mbjellja e vlerave të çmueshme dhe tipareve fisnike tek ata
Kështu, prindi aspiron që t’i edukojë ata me devotshmëri, maturi, sinqeritet, dinjitet, ndjesi, durim, bamirësi, mbajtje të lidhjeve farefisnore, luftë në rrugë të Allahut, e dituri; ashtu që të ndizen ata që janë të prirë për tu bërë heronj, të cilët dëshirojnë të arrijnë kulmin e gjërave dhe edukatën fisnike.
10. Shmangia e tyre nga sjelljet e pahijshme si dhe shëmtimi i këtyre sjelljeve tek ata
Kështu, prindi ua bën të urryer atyre gënjeshtrën, tradhtinë, mërinë, urrejtjen, përgojimin, bartjen e fjalëve, marrjen e gjërave nga të tjerët, kokëfortësinë ndaj prindërve, shkëputjen e lidhjeve farefisnore, frikën, koprracinë, e sjellje tjera të ulëta e të nënçmuara, ashtu që ata të rriten me urrejtje e neveri ndaj këtyre gjërave.
11. Mësimi atyre gjëra që janë të rekomandueshme dhe stërvitja e tyre në to
Siç janë: Lutja për atë që teshtin, vënia e dorës kur hapë me gojë, ngrënia e ushqimit me dorë të djathtë, rregullat e kryerjes së nevojave fiziologjike, edukata e përshëndetjes me selam dhe kthimit të tij, edukata gjatë përgjigjes në telefon, pritja e mysafirëve, të folurit e gjuhës rrjedhshëm, etj.
E kur fëmiu mësohet qysh prej fëmijërisë me këto sjellje dhe parime, dhe me gjërat e rekomandueshme, ato nguliten tek ai dhe bëhen natyrshmëri; kështu që, edhe pse ende fëmijë, ai i pranon mësimet dhe qasjen ndaj tij me këshilla, dhe flakërohet ti zbatojë ato me të cilat është edukuar, siç është thënë:
dhe ja edukatori i fëmijëve prej nesh
rrit fëmijët e tij me atë që babai e ka mësuar
Apo siç është thënë:
vërtetë degët po që se i tërheq lakohen
por nuk lakohet më druri sado që tenton
Apo siç ka thënë Salih ibn Abdul-Kuddus:
Ai të cilin e edukove që në fëmijëri
është si shkopthi që uji e ujit rrënjën e tij
derisa ta shohësh atë duke gufuar nga sythet
pas asaj që e përjetoi nga thatësia e tij
12. Kujdesi ndaj përdorimit të shprehjeve të pëlqyera e të mira me fëmijët, dhe shmangia nga shprehjet përbuzëse e të këqija
Ajo për të cilën prindërit duhet të kujdesen shumë është përkushtimi ndaj zgjedhjes së shprehjeve të mira e të pranueshme, të cilat janë larg nga përçmimi i tyre gjatë bisedës me ta, dhe ti ruajnë ata me gjithë qenien e tyre nga sharjet, ofendimet, shprehjet bezdisëse, dhe shprehje tjera banale e të ndyra.
E kur prindërit i mahnit diçka te fëmijët e tyre thonë: “ma shaa Allah”[2], e kur shohin diçka që shkakton kujdes të veçantë thonë: “subhan-Allah, Allahu Ekber”, e kur fëmijët të bëjnë ndonjë punë të mirë u thonë atyre: “Berake-Allahu fikum”[3] “mirë keni vepruar”, e kur bëjnë ndonjë gabim u thonë: “O biri im, jo kështu...”, e qoftë edhe shprehje tjera të pranueshme e të mira, ashtu që kjo ti zbusë fëmijët dhe gjuhët e tyre të shpëtojnë nga sharjet dhe shprehjet e ndyra.
13. Aspirata e prindit për t’ia mësuar përmendësh Librin e Allahut fëmijëve të tij
Kjo është një prej veprave më fisnike të cilën mund ta veprojë një prind. Angazhimi me hifz është angazhim me qëllimin më të lartë dhe dhuratën më fisnike; pastaj, kjo përmban në vete ruajtje të kohës së tyre, mbrojtje për ta nga humbja dhe devijimi, ndërsa kur ta mësojnë Kur’anin përmendësh kjo do të ndikojë në sjelljen dhe moralin e tyre, dhe shpërthimin e burimeve të urtësisë nga zemrat e tyre.
Kjo ishte një përgjithësim, e sa i përket vlerave të Kur’anit ato s’kanë të numëruar, por nuk është tash vendi i zgjerimit në këtë temë.
14. Mbrojtja e tyre përmes lutjeve të ligjëruara me sheriat
E kjo përmes leximit të lutjeve pranë tyre nëse janë të vegjël apo mësimit atyre përmendësh nëse janë futur në moshën e njohjes së gjërave.
(... vazhdon)
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani