15. Kujdesi për edukimin e tyre përmes shëmbëlltyrës
Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, prandaj duhet që prindërit të jenë shëmbëlltyrë në vërtetësi, stabilitet, e gjëra të tjera, dhe ta dëshmojnë me vepra atë që e thonë.
Prej gjërave të preferuara në këtë aspekt është që prindërit të falin namazin në prani të fëmijëve të tyre, ashtu që ata ta mësojnë namazin praktikisht nga ata.
Prej këtyre gjërave gjithashtu është frenimi i mllefit, pritja e mirë e mysafirëve, bamirësia ndaj prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, e të tjera.
16. Kujdes nga rënia në kundërshtim me atë që e thua!
Nuk u takon prindërve që t’i urdhërojnë fëmijët e tyre me një gjë e pastaj të veprojnë në kundërshtim me atë që kanë thënë. Siç e cekëm edhe më herët, konflikti i fjalës me vepër zhduk gjurmët e këshillës.
17. Mbajtja e premtimit
Edhe kjo futet në gjërat që kemi përmendur më herët, mirëpo e kemi veçuar në përmendje për shkak të rëndësisë që ka dhe shpeshtësisë së rënies së njerëzve në këtë gabim. Ndonjëri nga prindërit, kur duan të lirohen nga bezdia e ndonjërit prej fëmijëve të tij, fillon ti bëj atij premtime të shumta; i premton se do ti blejë ëmbëlsira, se do ta dërgojë në kopsht të fëmijëve, se do t’ia blejë një biçikletë, apo gjëra tjera të cilat thuajse nuk do ti realizoj asnjëherë, duke e bërë kështu fëmijën të rritet nën frymën e këtyre sjelljeve të ulëta.
Ajo që i ka hije një prindi, e bile është obligim, është që kur ndonjërit prej fëmijëve të tij i premton diçka t’ia plotësojë atë dhe ta dërgojë në vend premtimin e tij, e nëse del ndonjë pengesë në mes tij dhe realizimit të premtimit atëherë i kërkon falje atij dhe ia bën të qartë arsyetimin e vet për këtë.
18. Largimi i gjërave të ndaluara dhe pajisjeve degjeneruese nga fëmijët
Prej gjërave që prindi i ka obligim në raport me fëmijën e tij është që të ruajë atë nga gjërat e ndaluara dhe ta pastrojë shtëpinë nga gjërat e këtilla, ashtu që ta ruaja natyrshmërinë e pastër të fëmijëve të tij, besimin dhe edukatën e tyre.
19. Shpikja e zëvendësuesve të përshtatshëm për fëmijët
Ashtu siç e kanë obligim prindërit largimin e gjërave të ndaluara prej fëmijëve të tyre, poashtu obligohen edhe me gjetjen e zëvendësimeve të përshtatshme, qofshin ato lodra apo pajisje tjera përveç lodrave që kanë për qëllim edhe ndonjë dobi tjetër përkrah thjeshtë kënaqësisë, ashtu që fëmijët të kenë me çka të angazhohen gjatë kohës së lirë të tyre.
20. Largimi i shkaqeve të devijimit seksual
E kjo bëhet duke larguar prej tyre pajisjet degjeneruese, duke i ruajtur ata nga qasja nëpër tregime të dashurisë apo romantike, nga revistat e pamoralshme të cilat i qarkullojnë tregtarët e ndereve dhe instinkteve njerëzore, ndalimi i tyre nga dëgjimi i këngëve dhe nga qasja në libra erotik të cilët haptas thërrasin në nxitje erotike dhe ndezjen e barutit të fshehur në ta.[1]
21. Largimi i tyre nga zbukurimet e tepruara dhe afiniteti i tepruar vrasës
Prindi duhet t’i ndalojë fëmijët e tij nga teprimi në zbukurim dhe ekzagjerimi në elegancë dhe parfumim, dhe duhet t’i ndalojë nga shfaqja e pjesëve të trupit apo zbulimit, apo përngjasimit të armiqve të Allahut – jobesimtarëve, sepse këto janë vepra të cilat shkaktojnë vrasjen e çiltërsisë dhe natyrshmërisë së tyre, dhe çojnë kah joshja e të tjerëve dhe sprovimi i tyre; e gjithashtu hapin tërheqin fëmijët kah këto vepra të ulëta e të nënçmuara, e veçanërisht nëse ata janë shumë të rinj.
22. Mësimi i tyre me ashpërsi dhe burrëri, seriozitet dhe përpjekje, dhe shmangja e dembelisë, papunësisë, rehatisë dhe përkëdheljeve nga natyra e tyre
Nuk i takon prindit që t’i edukojë fëmijët e tij me dembeli, rehati, papunësi apo përkëdhelje, përkundrazi ai duhet ti mësojë ata me të kundërtat e këtyre, dhe mos t’i lëshojë ata të lirë veçse aq sa i lejon ata të pushojnë për tu angazhuar sërish; sepse përtacia dhe papunësia kanë rezultate të këqija, kanë pasoja që shkaktojnë keqardhje e pendim, ndërsa serioziteti dhe lodhja kanë pasoja të lavdëruara qoftë në dynja, e qoftë në ahiret, apo në të dyja së bashku. Njerëzit më të kënaqur janë ata që më së shumti lodhen, dhe ata që më shumti lodhen janë më të kënaqurit, prandaj lumturia e dynjasë dhe lumturia e ahiretit nuk kanë ndonjë lidhshmëri tjetër mes njëra tjetrës veçse urës së rraskapitjes.[2]
Rehatia ka si rezultat mërzinë, ndërsa lodhja sjell si pasojë rehatinë. Ia ka qëlluar ai i cili ka thënë:
Pashë në rehati madhështinë, por u binda se nuk arrihet
vetëm se përmes urës së rraskapitjes
23. Prej gjërave që u përkasin prindërve është edhe mësimi i tyre që të jenë të vëmendshëm ndaj fundit të natës
Sepse kjo është koha e përfitimeve të mëdha, shpërndarjes së dhuratave, prandaj ose do të jesh i pavarur, mbledhës i mirësive në njërën anë, apo do të bëhesh i privuar nga kjo begati. Prandaj, kush i mëson ata sa janë të vegjël, do të jetë shumë më e lehtë për ta kur të rriten.[3]
24. Largimi i tyre prej ushqimeve, bisedave dhe gjumit të tepërt, si dhe çrregullimit të gjumit
Sepse dështimi i vërtetë qëndron në këto teprime, dhe ato ia largojnë robit mirësinë e dynjasë dhe mirësinë e ahiretit. Për këtë arsye është thënë: “Kush ha shumë, pi shumë, prandaj fle shumë, dhe dështon shumë.”
(… vazhdon)
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani
[1] Shih: “Devijimet seksuale dhe sëmundjet që dalin nga to,” nga Dr. Faiz el-Haxh, fq. 66.
[2] Shih: “Tuhfetul-mevdud,” fq. 146.
[3] Shih: “Tuhfetul-mevdud,” fq. 146