Youtube/Tezkije
Të bësh fëmijën të përmallohet me përmendjen e xhamisë
Muhamed Ibn Ibrahim el-Hamed
 05.12.2014

(... artikulli paraprak)

25. Të bësh fëmijën të përmallohet me përmendjen e xhamisë qysh në vegjëli dhe shoqërimi i tyre për të falur namazin kur të rriten

Si për shembull, babai vendosë që t’i nxisë fëmijët e tij që të përmallohen për xhaminë para se t’i mbushin shtatë vite të moshës së tyre, që do të thotë se i premton fëmiut para se ta plotësojë moshën e kërkuar që së shpejti do ta marrë me vete në xhami, e posa t’i mbushë shtatë vite e merr atë me vete dhe shkojnë bashkë në xhami dhe mu këtu fillon edhe kujdesi i prindit që fëmiu të jetë i përpiktë në namazin e tij duke mos e lejuar që t’i shtojë lëvizjet e panevojshme duke i shqetësuar kështu të tjerët. Ndërsa kur ta plotësojnë moshën e obligueshmërisë së namazit atëherë duhet t’u rrijë gati atyre që namazin e tyre ta falin në xhami me bashkësinë e muslimanëve (xhematin), dhe të jetë këmbëngulës në këtë çështje dhe i durueshëm.

26. Mbikëqyrja e prirjeve të fëmiut, ndërtimi i talentit të tij dhe orientimi i tij drejt asaj që i shkon për shtati

Ashtu që ai të jetë i kyçur në gjërat që e ndërtojnë dhe e shkëlqejnë talentin e tij në shtëpinë e tij, dhe ti shfrytëzojë ato që të ndërtojë dhe të sjellë dobi, dhe të gjejë dikë që e orienton atë kah gjërat që i përshtaten dhe e akomodojnë.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Prej gjërave të obligueshme është marrja në konsideratë e gjendjes së fëmiut dhe se cilat janë ato vepra për të cilat është i përgatitur t’i përballojë, ashtu që ai vetë ta kuptojë se është krijuar për to, e mos ta detyrojë atë prindi në diçka tjetër prej gjërave të lejuara sheriatikisht. Nëse prindi e bartë fëmijën në diçka për të cilën ai nuk është i përgatitur atëherë ai nuk do të jetë i suksesshëm në të, e në anën tjetër do ta humbë atë që i është lehtësuar ta kryej. Kështu që, nëse vëren se ai ka kuptim të mirë, perceptim të saktë të gjërave, aftësi të mira që të mbaj mend dhe është vizionar, atëherë këto janë shenja të aftësisë për të depërtuar dhe përgatitjes që i është dhënë kundrejt kërkimit të diturisë në mënyrë që ajo të qarkullojë nëpër pllakën e zemrës së tij sa është ende e pashkruar. Por nëse sheh tek ai gatishmëri për fusha tjera siç është tregtia e shitblerja apo çfarëdo zanati tjetër i lejuar, atëherë le t’ia mundësojë atë, sepse “çdonjërit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar.”[1] (hadith)

27. Të mbjellim guximin moral në ndërgjegjen e fëmiut

Kjo, duke e bërë atë që ta ndjejë vlerën e tij dhe duke mbjellë vetëbesimin tek ai, në mënyrë që të jetojë me fisnikëri, trim, i guximshëm dhe ballëhapur në idetë e tij, brenda kufijve të moralit dhe njerëzisë, larg nga shthurjet dhe paturpësitë. Kjo gjë e bën atë të ndihet gjithmonë i qetë dhe ia sjellë atij fuqinë dhe largpamësinë, për dallim nga konfuzioni, frika, përçmimi, nënshtrimi dhe inferioriteti.[2]

28. Komunikimi me fëmijët

Siç është për shembull këshillimi me ta për disa çështje që kanë të bëjnë me ambientin banesor apo diçka tjetër. Nxjerrja e ideve që kanë ata siç është marrja e propozimit të tyre për mobilet e banesës, ngjyrës së veturës që do ta blejë babai, apo marrja e propozimeve të tyre për vendin e piknikut dhe terminin; e në fund fare, babai peshon idetë e tyre dhe prej secilit prej tyre kërkon që të shpalos arsyet dhe shkaqet që i kanë shtyrë deri te këto propozime, e kështu me radhë.

Sa shumë ka efekt kjo sjellje në mbjelljen e vetëbesimit brenda vetes së fëmijëve, sa shumë ndikon që ata të ndihen të vlerësuar, sa shumë ka ndikim në vërjen në funksion të mendjeve të tyre dhe mprehjen e temperamentit të tyre, dhe sa shumë përmban në vete mishërim me shprehjen e lirë të mendimeve të tyre.

29. Mësimi i fëmijës që t’i bartë mbi vete ca përgjegjësi

Siç është mbikëqyrja e familjes në rast të mungesës së zotit të shtëpisë, mësimi i tij që të bëj ndonjë pagesë dhe te ketë pavarësi financiare, e kjo duke i dhënë atij një sasi të caktuar të hollash për çdo muaj apo javë ashtu që t’i harxhojë ato për nevojat e tij dhe të familjes.

30. Mësimi i fëmijëve me bashkëpunim social 

Duke i nxitur ata që të kenë hise në shërbimin ndaj fesë së tyre dhe vëllezërve të tyre musliman, qoftë kjo përmes pjesëmarrjes në xhihadin[3] në rrugë të Allahut, apo përmes thirrjes për në rrugën e Allahut, përmes përkrahjes së të dëshpëruarve apo ndihmës ndaj fukarave dhe nevojtarëve, apo përmes bashkëpunimit me organizatat bamirëse, e kështu me radhë.

31. Trajnimi i tyre për vendimmarrje

Siç është për shembull të marr vendim babai që ta vendosë të birin në ndonjë pozitë ekzekutive apo në ndonjë situatë të pavolitshme e cila kërkon përqendrim, apo ta nxitë që të ngutet në marrjen e vendimeve dhe të bartë mbi supe pasojat që vijnë nga kjo. Nëse vepron siç duhet atëherë i jep kurajë dhe ia jep dorën, e nëse gabon e përmirëson atë dhe e orienton me butësi. Pra, këto ishin disa prej gjërave që e mësojnë atë se si ti qaset jetës dhe si të sillet në situata të vështira.

32. Kuptimi i natyrës së fëmijëve dhe psikikës së tyre

Prej gjërave që ndihmojnë në edukimin e fëmijëve është edhe kuptimi i natyrës së tyre dhe psikikës së tyre, si dhe sjelljes së tyre në raport me këto dyja.

33. Vlerësimi i periudhave të moshës së fëmijëve

Faktikisht mbikëqyrja e kësaj çështje është e domosdoshme për prindërit sepse fëmiu rritet dhe mentaliteti i tij zhvillohet, prandaj gjithsesi sjellja ndaj tij duhet të jetë e përshtatshme me moshën, mentalitetin dhe përgatitjen e tij, përndryshe do ta konsiderojë gjithmonë atë si fëmijë të vogël.

34. Shmangia e qasjes së drejtpërdrejt ndaj tyre – sipas mundësisë

... në moshën e pubertetit, e bile kjo duhet të bëhet sipas metodës së bindjes, debatit të lirë, si dhe dialogut të qetë e të strukturuar mirë.

35. Ndeja me fëmijët

Sado që prindi të jetë i zënë, gjithsesi duhet të veçojë një periudhë kohore për të ndenjur me fëmijët e tij, duke i bërë ata të ndihen rehat me të, duke i zbavitur ata, duke ua mësuar atyre gjërat për të cilat kanë nevojë, dhe duke u treguar atyre tregime domethënëse; sepse afria e fëmiut me prindin e tij është e domosdoshme dhe frytdhënëse, dhe gjurmët e saj shfaqen qartë. Kjo është një çështje e provuar. Prindërit që i kanë afruar fëmijët e tyre më pranë vetes, kanë qëndruar më shumë me ta dhe i kanë bërë të qeshin, i gjejnë frytet e kësaj te fëmijët e tyre: stabiliteti i gjendjes së fëmijëve, qetësia e tyre në vetvete, përqendrimi i karakterit të tyre. E sa u përket baballarëve që i ka preokupuar dynjaja ndaj fëmijëve të tyre, ata do ta shohin më vonë produktin e kësaj te fëmijët e tyre. Ndërkohë që fëmijët rriten, dynjaja u është errësuar para syve të tyre, nuk dinë se si ti qasen jetës, prandaj ia huqin rrugës së drejtë, devijojnë nga rruga e vërtetë, e ndoshta kjo edhe shkakton urrejtjen e fëmijëve ndaj prindërve të tyre, apo ndoshta ikin prej shtëpisë fare, e pastaj rrëshqasin në greminën e shkatërrimit.

 

(… vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani



[1] Shih: “Tuhfetul-mevdud,” fq. 147 - 148

[2] Shih: “Adoleshentët”, Dr. Abdulaziz el-Nugajmishi, fq. 48.

[3] Xhihad - Luftë e shenjtë për mbrojtjen e kufijve të Allahut, sipas dispozitave të përcaktuara sheriatikisht.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja