Youtube/Tezkije
Mbajtja e drejtësisë mes fëmijëve
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 12.12.2014

(... artikulli paraprak)

36. Mbajtja e drejtësisë mes tyre

Toka dhe qiejt nuk mund të qëndrojnë ndryshe veçse me drejtësi, dhe s’ka mundësi që gjendjet e njerëzve të stabilizohen pos përmes drejtësisë. Prandaj prindërit e kanë obligim që të sillen me drejtësi në raport me fëmijët e tyre dhe t’i shmangen vlerësimit të disave prej tyre ndaj disa të tjerëve, qoftë kjo në çështjet që kanë të bëjnë me botën materiale siç janë dhënia atyre ndonjë pasuri, dhuratë apo shpërblim, apo çështjet abstrakte siç janë emocionet, ndjenjat, etj.

37. Ngopja e emocioneve të tyre

Prej gjërave që duhet t’u kushtohet kujdes me fëmijët është ngopja e emocioneve të tyre apo përjetimeve të tyre emocionale, mëshira dhe ndjesia ndaj tyre; në mënyrë që ata mos të jetojnë të privuar nga këto e rrjedhimisht të kërkojnë një gjë të tillë jashtë shtëpisë.

38. Dhënia atyre pasuri sipas mesatares së njohur te njerëzit

Që do të thotë, dhënia atyre pasuri aq sa u mjafton për kryerjen e nevojave të tyre dhe që i ndalon ata nga kërkimi i burimeve të tjera jashtë shtëpisë së tyre.

39. Përhapja e zemërgjerësisë në mesin e tyre

E kjo realizohet duke iu forcuar atyre shpirtin e bashkëpunimit me njëri tjetrin dhe duke i forcuar faktorët e dashurisë mes vete, duke i mësuar ata me bujari dhe ndjesi ndaj të tjerëve, ashtu që mos të ndodh që ndonjëri prej tyre të bëhet vetjak dhe brenga e vetme e tij të jetë vetvetja.

Njëkohësisht edukimi i tyre me zemërgjerësi është diçka që u vë pikë shumë problemeve që ndodhin brenda shtëpisë.

40. Dëgjimi i tyre me kujdes të shtuar kur flasin

... dhe bërja e tyre të ndihen se fjala e tyre është e rëndësishme; e jo të preokupohemi me punë të tjera duke i lënë ata anash, ose t’i godasim ata me shikime të mrrolura duke nënçmuar dëgjimin e tyre me vëmendje. Ndërsa ai fëmijë që ndihet i privilegjuar kur babai i tij flet diçka, e veçanërisht nëse është prej të vegjëlve në moshë, atij duhet kushtuar vëmendje e veçantë duke u përqendruar plotësisht në atë çfarë flet ai dhe duke shfaqur haptas brengën e kuptimit të fjalëve të tij. Shembull i kësaj janë shfaqja e shenjave të habisë në fytyrë, bërja e disa lëvizjeve apo lëshimi i zërave të caktuar që tregojnë për vëmendjen e prindit ndaj tij, përkushtimin dhe mahnitjen. Si për shembull ti thotë “shkëlqyeshëm,” “bukur,” “ashtu është,” apo të lëshoj zëra pohimi për atë çfarë thotë si “ëhë,” hmm..,” apo lëvizja e kokës në shenjë miratimi, vërja e vetes në pozitën e tij ose përgjigja ndaj pyetjeve që i shtron, etj.

Një veprim i tillë ka ndikim të madh pozitiv, për shembull:

a. Kjo vepër ia mëson fëmiut të folurit e rrjedhshëm

b. E ndihmon atë në radhitjen e mendimeve të tij dhe organizimin e tyre

c. I stërvitë ata për të dëgjuar me vëmendje dhe kuptuar mirë atë që dëgjojnë prej të tjerëve

d. Është vepër që e ndërton dhe e shkëlqen personalitetin e fëmiut

e. Ia forcon atij memorien dhe i ndihmon në kujtimin e gjërave nga e kaluara e tij

f. Ia shton afërsinë me prindin[1]

41. Inspektimi i gjendjes së tyre dhe mbikëqyrja e tyre

Kjo përfshin:

a. Tërheqja e vërejtjes ndaj kryerjes së ritualeve fetare si namazi, abdesti e të tjera

b. Mbikëqyrja e telefonit fiks

c. Kontrollimi i xhepave dhe sirtarëve të tyre pa e vërejtur ata këtë, si për shembull kontrollimi i sirtarëve të tyre kur ata shkojnë në shkollë, apo të shikojë në xhepat e tyre pasi të kenë fjetur, e pastaj sillet me ta sipas asaj që e sheh të përshtatshme.

d. Pyetja për shokët e tyre

e. Mbikëqyrja e asaj çfarë lexojnë dhe tërheqja e vërejtjes ndaj librave që prishin fenë e tyre, moralin e tyre, dhe udhëzimi i tyre për të lexuar libra të dobishëm.

42. Respektimi i shoqërisë së mirë të fëmiut

Duke e nxitur fëmijën që të shoqërohet me ta dhe të vazhdojë qëndrimin me ta dhe duke i pritur ata me mirësjellje kur e vizitojnë fëmiun e tij, e bile ngutja për ti ftuar ata si mysafir, përgatitja e gjërave për të cilat kanë nevojë nga lehtësimet materiale apo kuptimore, duke i respektuar ata ashtu siç e meritojnë, kujdesi që t’i takojë ata me përgëzime dhe përshëndetje mikëpritëse, duke i bërë ata të ndjehen të vlefshëm e të rëndësishëm, duke shkëmbyer me ta biseda të lira dhe duke i pyetur për gjendjen e tyre dhe të afërmve e familjarëve të tyre.

Kjo vepër i bën shokët e fëmiut të tij të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe njëkohësisht e bën fëmiun të ndihet i vlefshëm dhe i marrë në konsideratë. E gjithashtu kjo është edhe motiv për fëmijën që t’i respektojë edhe më shumë prindërit e tij dhe t’i nderojë dhe është motiv për të vazhduar shoqërimin me këta shokë dhe largimin nga shoqëria e keqe. E nëse prindi shfaqë pakujdesi ndaj kësaj shoqërie të mirë të fëmiut dhe ftohtësi në bashkëveprimin me ta, kjo është diçka që s’bën të ndodhë dhe nuk i shkon për shtati, sepse kjo e bën fëmijën e tij të ndihet se nuk i do shokët e tij dhe s’je i kënaqur me ta, e pastaj bën përpjekje që të ndahet prej tyre, apo fillon të sillet me hamendje në raportet që ka me ta, apo i braktis fare ata dhe bie viktimë i shokëve të këqij.

43. Kujdesi ndaj shpëtimit të fëmiut nga shoqëria e keqe me sjellje të urtë

Nuk i takon prindit që të ngutet me sjellje të ashpra apo me përdorimin e forcës qysh në fillim dhe nuk i takon t’i nënçmojë shokët e tij para syve të fëmiut të tij, apo ti përzë ata herën e parë posa të vijnë ta vizitojnë, sepse fëmiu është ende i lidhur me ta dhe i bindur se ata janë shokët e tij.

Prandaj është obligim i prindit që të veprojë gradualisht me të. Fillon me bindjen e fëmijës së tij se këta shokë janë shokë të këqij, se dëmi që i shkaktojnë është i madh, e pas këtyre këshillave fillon me kërcënimin dhe frikësimin e fëmiut, dhe fillon ta bëjë atë të ndihet se duhet të largohet nga ajo shoqëri qoftë edhe duke iu kërcënuar se do të shkojë të flasë me përgjegjësit e tyre për t’u larguar nga ai. Kur mbaron së tërhequri vërejtjen fëmiut të tij dhe ndjekjen e metodës së duhur të sjelljes me të sipas mundësisë, dhe ia bën të ditur atij hilen (urtësinë e fshehur) të të gjithë kësaj, dhe ai e sheh se qëndrimi me ta është një dëm i paevitueshëm, atëherë ai do të fillojë ndarjen prej tyre sipas metodës që ai e sheh vetë të arsyeshme.

 

(… vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani



[1] Shih: “Problemet edukative gjatë jetës së fëmijës suaj,” nga Muhamed Rashid El-Uvejd, fq. 37-41.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja