51. Përkujdesja për t’iu siguruar atyre shkolla të përshtatshme dhe përkushtimi për t’i përcjellë ata gjatë shkollimit
Qoftë në aspektin e interesimit rreth nxënësve që vijojnë këto shkolla, administratës, mësuesve, metodologjisë që ndiqet në këto shkolla, gjërave që ndikojnë në stabilitetin e nxënësve dhe edukatës së përgjithshme të tyre, vlerave – qofshin fjalë apo vepra; Sepse, në shumicën e rasteve fëmija zgjedh shokët nga gjenerata e tij të cilët i përngjajnë atij në temperament dhe natyrë. Prandaj, prindi e ka obligim moral që ti përcjellë ata në shkollë rregullisht, ashtu që ai vetë të sigurohet për mirëqenien e fëmijëve të tij dhe stabilitetin e tyre, dhe që mos të goditet papritmas një ditë prej ditëve me lajmin se fëmija i tij është në të kundërtën e asaj që ai mendonte dhe shpresonte, dhe që fëmija i tij ta kuptoj se prapa tij ka një baba që pyet dhe interesohet për të.
52. Formimi i “hallkave” të mësimit të diturisë brenda shtëpisë
Duke zgjedhur një kohë të përshtatshme të caktuar gjatë ditës për të lexuar disa libra që u përshtaten moshës së fëmijëve, që në këtë mënyrë ata të mësohen të lexojnë, të dëgjojnë me vëmendje, dhe ta fitojnë edukatën e bashkëbisedimit me njëri-tjetrin.
53. Organizimi i garave të karakterit kulturor midis fëmijëve, dhe përgatitja e dhuratave dhe shpërblimeve për fituesit.
54. Formimi i një biblioteke shtëpiake të thjeshtësuar
Kjo bibliotekë le të përmbajë libra, kaseta (CD) të përshtatshme për moshën e tyre dhe aftësitë absorbuese të tyre.
55. Marrja me vete fëmijët në ndejat e përmendjes së Allahut dhe ligjëratave të dobishme fetare, apo shoqata të tilla, të cilat mbahen nëpër xhami apo diku tjetër.
56. Shëtitja me fëmijët
Qoftë kjo në Mekke-n e bekuar apo Medinën Pejgamberike , apo në ndonjë vend tjetër të lejuar; ashtu që prindi të jetë sa më i informuar për fëmijët e tij, dhe që t’i argëtoj e t’i dëfrej ata, t’ua zgjerojë gjokset e tyre, t’i bëjë ata të përfitojnë përvoja të reja, e shumë dobi tjera që vijnë nga udhëtimet të cilat s’mund të mohohen.
57. Krijimi i një lidhjeje mes tyre dhe të parëve tanë të devotshëm në aspektin e pasimit dhe udhëzimit
Në mënyrë që ata të ecin nëpër hapat e tyre, të portretizojnë metodologjinë që ata kanë ndjekur, dhe kështu të gjejnë tek ata shembull të pastër që i tërheq ata të bëhen pasuesit e tyre. Rrjedhimisht, nëse fëmija ka prirje për t’u marrë me dituri ai do ta gjejë veten te ndonjëri prej tyre, nëse është trim e i guximshëm do ta gjejë atë që ia skicon hapat e tij, nëse është përtac atëherë në biografitë e tyre do të gjejë gjëra që do t’ia ngjallin shpirtin, jetën dhe ambiciet e larta, e kështu me radhë.
Biografitë e të parëve tanë të devotshëm janë të stërmbushura me të gjitha të mirat. Sa e mrekullueshme është që njeriu të lidhet me ta dhe të jetë në shoqërinë e tyre në vend që t’i pasojë të dështuarit dhe tallësit, ata që kanë marrë jetën e tyre për lojë e argëtim, apo të devijuarit, e të tjerë.
58. Kujdesi ndaj mësimit të vajzave ato gjëra që iu nevojiten për fenë dhe dynjanë e tyre
Sa shumë ka njerëz që kanë neglizhuar këtë të drejtë të vajzave, e sa shumë ka gra që s’kanë dituri, për shembull, për periudhat e përmuajshme të grave apo lehonisë, apo në përgjithësi për çështjet që kanë të bëjnë me gjakderdhjet e tyre, përkundër faktit se kjo çështje lidhet me dy nga shtyllat bazë të Islamit, e ato janë namazi dhe agjërimi! Pastaj, sa ka gra të cilat nuk i njohin dispozitat e elementare për të qenë një namaz i pranuar!
Prandaj, secili prind obligohet që të kujdeset për t’i mësuar bijat e veta rreth çështjeve që kanë të bëjnë me fenë e tyre, njëjtë siç e ka obligim edhe t’i udhëzojë ato kah thjeshtësia, dëlirësia, turpi dhe mbulesa.
Gjithashtu, prindi duhet t’ua mësojë atyre çështjet e veçanta që kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme si hekurosja, larja e rrobave, gatimi, qepja, kryerja e punëve shtëpiake, e të tjera.
59. Ndalimi i vajzave që të dalin të vetmuara
Qoftë kjo deri në dyqan, te mjekja apo diku tjetër. Përkundrazi, patjetër ato duhet të jenë me mahrem dhe mos të dalin përveç nëse kanë ndonjë nevojë urgjente.
60. Ndalimi i vajzave që të përngjajnë me meshkujt, dhe ndalimi i djemve që të përngjajnë me femrat.
61. Ndalimi i fëmijëve, djemve e vajzave, që të përngjajnë me jobesimtarët
62. Ndalimi i djemve që të përzihen me femra, dhe ndalimi i femrave që të përzihen me djem
E bile djali duhet të jetë vazhdimisht në shoqëri të djemve, ndërsa femra të jetojë në shoqëri të vajzave, e veçanërisht kur ata ty dy futen në moshën e dallimit të së keqes nga e mira.
63. Interesimi për t’i martuar djemtë pasi që ta kenë arritur moshën e pjekurisë, kur ekzistojnë mundësia dhe nevoja
64. Interesimi për t’i martuar vajzat kur ato i kërkon ndonjë burrë me moral dhe sjellje të mirë.
65. Prej gjërave që meritojnë vëmendje të veçantë gjatë edukimit të fëmijëve është edhe mosnxitimi në arritjen e rezultateve
Kur prindi e harxhon mundësinë e tij për fëmijën, ia bën të qartë, ia tërheq vëmendjen dhe e këshillon, e harxhon çdo forcë në këtë aspekt, atëherë nuk bën të ngutet në arritjen e rezultateve, por duhet të bëj durim dhe të këshilloj për durim, si dhe të vazhdojë ta thërrasë dhe ta nxisë fëmijën e tij për të vazhduar më tutje. Ndoshta pas njëfarë kohe fëmija do t’i përgjigjet atij pozitivisht.
66. Ruajtja nga humbja e shpresës – dëshpërimi
Kur prindi të përballet me kundërshtim nga fëmijët e tij, hezitim apo vazhdimësi në të keqen, ai nuk bën ta humb shpresën nga përmirësimi dhe rimëkëmbja e tyre. Humbja e shpresës nga Mëshira e Allahut nuk është cilësi e besimtarit, përkundrazi ai duhet të jetë në pritje të zgjidhjes së problemit nga Allahu i Madhëruar, se ndoshta një frymëzim nga i Gjithëmëshirshmi, Bujari, e kthen fëmijën në rrugë të mbarë dhe e ndalon atë nga gjynahu i tij.
67. Gjithashtu prej gjërave që ndihmojnë në procesin e edukimit është që prindi ta kuptojë se këshilla e tij nuk shkon huq
Edhe sikur njeriu mos të përfitojë diçka tjetër nga këshillat që ua jep fëmijëve të tij apo kujdesi që shfaqë ndaj udhëzimit dhe përmirësimit të tyre, mjafton që të jetë më i arsyetuar tek Allahu i Lartësuar për këtë.
Pastaj, këshilla nuk humbet asnjëherë, ajo shpërblehet sikurse një farë e cila vendoset në tokë, ndërsa Allahu i Lartësuar është Ai që merr përsipër ujitjen, përkujdesjen dhe rritjen, siç ka thënë (përkthim i përshtatur): “Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne rritësit e saj? (El-Uakia, 64)
Si i tillë, shpërblimi i këshillës është gjithmonë prezent në çdo gjendje; ose fëmijët do të kthehen në rrugë të mbarë menjëherë; ose do të mendojnë që të përmirësohen në të ardhmen; ose do të lënë diçka mangët nga e kota që e kanë vepruar për shkak të këshillës; e nëse në fund asnjëra prej këtyre nuk realizohet atëherë ai do të jetë i arsyetuar para Allahut, siç e cekëm edhe më herët.
68. Të ndihmuarit e fëmijëve për bamirësi
Përkundër faktit që bamirësia ndaj prindërve është obligim fetar për fëmijët, prapë se prapë prindërve u takon që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre për bamirësi dhe t’u japin atyre guxim për këtë, e mos t’ua hedhin atyre gurin e gabimeve të tyre para këmbëve.
69. Mbajtja mend e mirësive që vijnë nga ana e fëmijëve
Prej gjërave të preferuara për prindërit është që t’ua mbajnë mend punët e mira që ata i kanë bërë, ti falënderojnë për to, dhe t’ua përkujtojnë ato, ashtu që fëmija të rritet krahas bamirësisë dhe punëve të mira dhe të vazhdojë në to.
70. Këshillimi me ata që kanë përvojë në edukimin e fëmijëve
Duke përfshirë këtu dijetarët, thirrësit religjioz, mësuesit dhe edukatorët, të cilët kanë përvojë në edukimin e fëmijëve, njohje të mirë të periudhave nëpër të cilat kalon rinia, kuptim të gjendjeve nëpër të cilat ata kalojnë dhe gjërave që i rrethojnë apo sillen nëpër mendjet e tyre. Pra, prindërit inkurajohen që të këshillohen me ta dhe të ndriçohen me idetë e tyre në këtë çështje, sepse kjo gjë ndihmon në procesin e edukimit të fëmijëve.
71. Leximi i librave të dobishëm në këtë lëmi
Kjo gjë ndihmon në procesin e edukimit sepse është gjë që sjell me vete përvoja, shembuj e mjeshtri.
Disa prej librave që një musliman duhet ti ketë dhe të përfitojë prej tyre janë këto në vijim:
1. “Familjet,” nga Ibn Ebi Dunja
2. “Një buqetë lulesh për fëmijën tuaj,” nga ibn el-Kajjim
3. “Përgjegjësia në Islam,” nga Dr. Abdullah Kadiri
4. “Gjurmët e edukatës Islame në sigurinë e shoqërisë,” nga Dr. Abdullah Kadiri
5. “Përkujtim besimtarëve mbi të drejtat e fëmijëve,” nga Abdullah El-Xharullah
6. “Fëmijët dhe edukimi i tyre në Islam,” nga Muhamed el-Mukbil
7. “Këndvështrime mbi familjen muslimane,” nga Dr. Muhamed ibn Lutfi es-Sibag.
72. Përkujtimi i vazhdueshëm i mirësive që vijnë nga edukimi i drejtë i tyre në dynja dhe ahiret
Kjo është prej gjërave që ndihmojnë prindin për të bërë durim dhe për të bartur mbi supe këtë barrë, sepse nëse ata përmirësohen do të jenë kënaqësi e syve të tij në dynja dhe shkak për arritjen e shpërblimeve për të edhe pas vdekjes së tij, edhe sikur mos t’i arrijë atij asgjë tjetër pos sigurisë së të tjerëve nga e keqja e tyre dhe udhëzimi i pasardhësve të tyre në Islam.
73. Përkujtimi i vazhdueshëm i pasojave që vijnë nga pakujdesia dhe neglizhenca në edukimin e fëmijëve
Fëmijët janë fëmijët e tij dhe ai s’mund të ikë nga atësia ndaj tyre në asnjë mënyrë. E nëse i përçmon ata dhe lë mangët edukimin e tyre ata do të bëhen pikëllim për të në gjoksin e tij në këtë dynja, e do të bëhen shkak për dënimin e tij në botën tjetër.
74. Dhe së fundi, përmbledhja e këtij ligjërimi rreth edukimit të fëmijëve është që prindi të përpiqet për afrimin e gjërave që i bëjnë dobi atij dhe largimin e gjërave që i bëjnë dëm atij në të përkohshmen dhe të përjetshmen.
Fund
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani