2. Preokupimi në kërkim të furnizimit:
Disa nga ata angazhohen në kërkim të furnizimit duke e harxhuar pjesën më të madhe të kohës së tyre në këtë, pastaj thonë se nuk ka kohë të mjaftueshme, për shkak të obligimeve ndaj fëmijëve dhe familjes, duke harruar se Allahu subhanehu ve teala ua ka garantuar atyre furnizimin dhe se kërkimi i furnizimit nuk ishte pengesë as për shokët e Muhamedit salallahu alejhi e selem, as për pasuesit e tyre dhe as për të parët e mirë.
Muhamedi ( ﷺ ) ka thënë: ”Xhibrili më ka shpallur se me të vërtetë nuk vdes askush përderisa të mos ketë mbaruar furnizimin e tij, pra frikësojuni Allahut dhe bashkohuni në kërkim të furnizimit, por mos t’ju shtyj vonimi i tij që ta kërkoni atë në mëkat dhe mosbindje, sepse ajo që është tek Allahu nuk arrihet vetëm se me bindje ndaj Tij.”
Këtë hadith e shënon Ibn Maxhe, Ibn Hibani, Hakimi, Ebu Nuajmi nga Xhabiri, poashtu e shënon Bezari nga Hudhejfe, kurse Hakimi e shënon nga Ibn Mesudi dhe Ebu Nuajmi nga Ebi Umamete.[1]
Ibn Kajimi thotë: ”Muhamedi (ﷺ) bashkoi me fjalën e tij “…. frikësojuni Allahut dhe bashkohuni në kërkim të furnizimit…” mes mirësisë së dynjasë dhe asaj të ahiretit, dhe se përjetimet dhe kënaqësitë e tyre nuk arrihen ndryshe vetëm se me devotshmëri ndaj Allahut dhe me zemër e trup të qetë, duke e larguar vëmendjen, angazhimin, lodhjen, shqetësimin dhe vuajtjen në këmbim të dynjasë, përkundrazi një kënaqësi e tillë arrihet duke u bashkuar në kërkim të saj.
Prandaj kush i frikësohet Allahut subhanehu ve tea’la veçse e ka fituar kënaqësinë e ahiretit dhe mirësinë e tij, ndërsa kush u bashkua në kërkim të furnizimit u qetësua dhe pushoi nga vështirësitë e kësaj bote dhe brengat e saj, nuk ka dyshim se Allahu është Ai qe ndihmon.”[2]
Poeti thotë:
Dynjaja thërret veten e saj …… sikur të ketë dikush të më dëgjojë
Disa, shpresa e gjatë i shkatërroi ….. kurse të tjerët u ndanë, kurrë për të mos u parë
Ibn Kajjimi thotë: ”Dobi: Në momentin e parë kur të vendosesh diku, menjëherë duhet eliminuar ajo që e dëmton këtë vend, ajo që është në kundërshtim me qëndrueshmërinë e tij, ngase, çdo gjë e ka të kundërtën e saj dhe këto të dyja s’mund të qëndrojnë së bashku.
Nëse zemra është e mbushur me besim dhe dashuri të kotë, atëherë nuk mbetet vend në këtë zemër për besim dhe dashuri të vërtetë; poashtu edhe gjuha, po qe se angazhohet me atë që nuk i bën dobi, e njëjta gjuhë nuk do të ketë mundësi të flasë fjalë të dobishme përveç nëse braktis të parën (të kundërtën); e kështu qëndron puna edhe me gjymtyrët nëse janë të angazhuara me mosbindje ndaj Allahut, të njëjtat nuk mund të jenë të angazhuara në bindje ndaj Tij përveç nëse e braktisin të parën (të kundërtën); poashtu e njëjta qëndron edhe me zemrën e cila gjen prehje, dashuri, përmallim, takim me dikë përveç Allahut, ajo nuk ka mundësi që në të njëjtën kohë të i gjej këto ndjenja tek Allahu përveç atëherë kur kjo zemër i shkëputë lidhjet me dikë tjetër.”[3]
Abdullahu thotë se më ka treguar babai im, e ai nga Sejjari, e këtij të fundit i ka thënë Xha’feri se e ka dëgjuar imam Malikun duke thënë: ”Për aq sa mërzitesh për këtë botë, aq do të largohet preokupimi i zemrës tënde me ahiretin, dhe për aq sa mërzitesh për ahiretin aq do të largohet preokupimi i zemrës tënde me këtë botë.”[4]
Allahu thotë në librin e Tij: ”Në shtëpitë (xhamitë) që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij. Atë e lavdërojnë aty në mëngjes dhe mbrëmje; Burra, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun, për të falur namazin dhe për të dhënë zeqatin. Ata kanë frikë nga Dita (e Kiametit) kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara.”[5]
3. Preokupimi me punë:
Kjo e bën që të harxhoj kohën më të shtrenjtë në punë, gjë kjo që e largon nga thirrja islame, ndërsa i njëjti mendon se është në shërbim të thirrjes por në realitet është shume larg saj dhe larg urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja.
Nuk ka dyshim se edhe puna është mënyrë e davetit, por vetëm atëherë kur shfrytëzohet në këtë drejtim.
Sufjan bin Ujejne thotë: ”Kush i rregullon raportet me Allahun, Allahu ia rregullon raportet me njerëzit, ndërsa kush punon për botën tjetër, Allahu e bën të kënaqur në këtë botë”.[6]
Një ditë prej ditëve e pyeta një mjek i cili punon në një klinikë aty afër se çfarë kishte bërë për fenë e Allahut? A ndodh që t’i pyesësh pacientët se a e falin namazin? A ia ke tërhequr vërejtjen ndonjërit për gabimet e tij? A ke pyetur se sa e përmendin Allahun? A i ke pyetur se kush është Shëruesi dhe Falësi? I cili s’ka dyshim se është Allahu.
Si kërkon shërim nga Ai të Cilit i bën mëkate haptas?! Pastaj ky mjek sikur e kuptoi pakujdesinë e tij, ngase nuk e kishte paramenduar se edhe në këtë mënyrë mund t’i shërbente fesë së Allahut duke e bërë këtë me plot komoditet dhe thjeshtësi.
4. Preteksti se kanë ndryshuar kohërat:
Disa mendojnë se “u ka ikur treni” dhe se kanë ndryshuar rrethanat, duke e parë veten të paaftë për të kontribuar tashmë në rrethanat e reja, e krejt kjo në mungesë të entuziazmit dhe ndjenjës së papërgjegjësisë që më pas të përshtatet në të gjitha rrethanat.
Malik bin Dinari thotë: ”Vërtet zemrat e besimtarëve vlojnë (zihen) për të bërë punë të mira, kurse zemrat e të prishurve vlojnë për të vepruar punë të fëlliqura, ndërsa Allahu i shikon synimet e juaja, pra shikoni se cilat janë synimet tuaja Allahu ju mëshiroftë!”[7]
Sikur kjo zemër të brengosej me synimin e vetëm të saj ahiretin, sigurisht se do ta kuptoje se si do t’i shërbeje kësaj feje.
(... vazhdon)
Përktheu nga gjuha arabe, Shaqir Karaliti
Kasim, Arabi Saudite
[1] Ibn Kajjim ne Zadul Mea’d (k.1/fq.97)
[2] Ibn Kajjim ne Feva’id (k.2/fq.43)
[3] Ibn Kajjim po aty
[4] Ahmedi ne Kitabu Zuhd(fq.446-447)
[5] Nur (36-37)
[6] Ibn Tejmije ne Mexhmual Fetava (k.7/fq.10)
[7] Imam Ahmed ne Kitabu Zuhd (fq.451)