5. Lënia e punës dikujt tjetër
Kjo është njëra ndër arsyet me të cilat arsyetohen një numër i madh i atyre të cilët e lanë këtë rrugë duke menduar se është shtuar konkurrenca, aq sa arritën deri në atë pikë sa të mendojnë se tashmë s’janë tjetër veçse një pengesë në këtë rrugë.
A do të sillej njëjtë edhe ndaj kërkimit të rrizkut apo të ndonjë pozite tjetër për të cilën aplikojnë numër i madh njerëzish, duke mos u interesuar fare për këtë?!.
Allahu thotë në Kur’an: “E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën”.[1]
Poashtu thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.”[2]
Poashtu thotë duke i përshkruar besimtarët: “ ... ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.”[3]
Omeri bënte përpjekje që t’ia kalonte Ebu Bekrit në punë të mira.
Ibn Tejmijje thotë: ”Gjithë umeti i Muhamedit ﷺ e zëvendësojnë atë sa i përket thirrjes drejt Allahut, për këtë arsye unanimiteti i tyre është argument i formës së prerë, dhe se ky umet nuk bashkohet kurrë në të kotën, e nëse kanë mospajtime në ndonjë çështje kthehen te Kur’ani dhe tradita e Muhamedit ﷺ.
Kështu që çdo pjesëtar i këtij umeti obligohet të thërrasë në rrugë të Allahut me aq sa ka mundësi nëse të njëjtën nuk e bën askush tjetër, por nëse dikush tjetër e bën një gjë të tillë atëherë bie obligimi nga ky dhe poashtu nëse është i pafuqishëm për një gjë të tillë nuk obligohet me të.
Por nëse të tjerët nuk thërrasin në këtë rrugë ndërsa ky ka mundësi të e bëjë atëherë ky obligohet me të.
Nuk ka dyshim se thirrja në rrugë të Allahut bëhet varësisht nga bagazhi i njohurive që posedon dhe varësisht nga ai të cilin e thërret, ka disa të cilët thërrasin në çështjet e besimit e të tjerët thërrasin në veprime praktike të fshehta apo të hapura; me fjalë të tjera, secili e ka metodën e tij të thirrjes në rrugë të Allahut.
Nga kjo kuptojmë se thirrja tek Allahu është obligim i të gjithëve nëse nuk bëhet kjo nga të tjerët dhe këtë në bazë të mundësive, poashtu në të njëjtën pozitë qëndron edhe urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, përhapja e fesë së Zotit , lufta në rrugën e Allahut, mësimi i të tjerëve çështjet e besimit dhe mësimi i Kur’anit.
Poashtu thirrja në realitet është urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja ku nga thirrësi kërkohet të jetë i përgatitur dhe i vendosur në atë që thërret, ky në realitet është urdhërim në të mirë duke i tërhequr të tjerët dhe nxitur për punë të mira, pra duke ftuar për tek Allahu ngase të ftuarit tek Allahu nënkupton të ftuarit në rrugën e Tij, urdhërim me plotë bindje në të dhe përhapje të gjithë asaj qe jemi urdhëruar me të.”[4]
6. Arsyetimi me mungesën e programeve dhe projekteve
Të tillët i kanë akuzuar dijetarët dhe hoxhallarët në këtë drejtim, duke pritur çdo gjë prej tyre pa u lodhur fare se si ai vetë ta bëjë një projekt me ata që e rrethojnë, qoftë në lagjen e tij apo në vendin e punës, por krejt këto i dëshiron të gatshme.
Sikur të dëshironte të ndërtonte ndonjë shtëpi, do të kishte bërë plane e projekte të panumërta, sikurse thuhet në proverb: ”Ata që rrinë kot janë parazit, prandaj mos prit prej tyre ide të reja dhe të avancuara në fushën e thirrjes, ndërsa ai që pret prej tyre veçse është mbështetur ne iluzione dhe ëndrra, ngase ai i cili nuk e ka brengë thirrjen tek Allahu, i tilli fle dhe zgjohet duke mos ndryshuar asgjë; është absurde të pritet nga ky ndonjë ide drejt avancimit dhe ngritjes … lotët e bonjakes nuk janë të njëjtë me lotët e shërbëtores (e cila qan me pagesë)….”.
7. Angazhimi me kritika ndaj tjerëve
Nuk di tjetër vetëm se të kritikojë; filani nuk di të mbaj mësim, tjetri nuk di të shkruaj, dikush tjetër nuk meriton të merret me këtë punë, e kështu me radhë.
Hasan El-Basriu kur i shihte disa njerëz duke biseduar në xhami i përshkruante me këto fjalë: ”Vërtetë të tillët pasi e përfunduan namazin u angazhuan me fjalë të kota nga mungesa e frikës ndaj Allahut”.
Velid bin Mezid thotë: “E kam dëgjuar Imam Evzain duke thënë: ”Vërtetë besimtari flet pak dhe punon shumë, kurse hipokriti flet shumë dhe punon pak!”[5]
Nusabetu bin Bekrijj i thotë Ru’betu ibn Axhaxhit: ”Kush janë armiqtë e burrërisë? Tha: tregomë ti! Ai tha: ”Bijtë e fqinjit të keq, nëse e shohin ndonjë të mirë e mbulojnë atë, nëse e shohin ndonjë të keqe e përhapin atë.”[6]
Ibn Zenxh El-Bagdadi thotë:
“Ecin në mesin e njerëzve duke kërkuar mangësitë e atyre që nuk kanë të tilla …
që t’i ngritin të tjerët të cilët nuk janë meritor,
Nëse vërejnë të mira i fshehin ato ….
e nëse vërejnë të meta i bëjnë të marrë dheun,
E nëse nuk gjejnë asgjë shpifin pa të drejtë”.[7]
Gjithashtu prej simptomave të kësaj sëmundjeje janë: ekzagjerimi, përdorimi i lentave zmadhuese në hulumtim të mëkateve, qofshin edhe prej më të voglave.[8]
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: ”Po e shihni qimen në syrin e tjetrit e nuk po e shihni trarin në syrin tuaj”.[9]
Poeti thotë:
“Po e arsyeton veten sado që po gabon …
kurse të arsyeshmin nuk e arsyeton,
Në syrin e tij edhe qimen po e gjen …
kurse në tëndin as trarin nuk e vëren,
(pastaj ...)
Qimen e vogël te shoku shumë lehtë po e vëren……
…….kurse madhësinë e tëndes nuk di si po e fsheh”.
8. Përmendja e personaliteteve që dështuan në këtë rrugë
E arsyeton veten me të tillët duke thënë se nuk është i vetmi që zmbrapset nga kjo arenë. Fundi i çdokujt do të jetë vetëm, i vetëm do të varroset , i vetëm do ringjallet dhe një ditë do të dalë para Allahut i vetëm, Allahu thotë në Kur’an: ”Në ditën kur zullumqarëve nuk u bën dobi arsyetimi i tyre …”[10]
Pa dyshim se Allahu i ka qortuar dembelët: “U pajtuan të mbesin me ata që nuk vajtën (në luftë). Po zemrat e tyre janë mbyllur, andaj ata nuk kuptojnë.”[11]
Ibrahim Harbijj thotë për Imam Ahmedin: ”E kam shoqëruar njëzet vite, verë e dimër, në vapë e në freski, natën dhe ditën, kam hasur tek ai se çdo ditë e shtonte aktivitetin në krahasim me ditën e djeshme”.[12]
Hamad bin Seleme thotë: ”Nuk ka kohë në të cilën adhurohet Allahu (adhurim vullnetar) vetëm se e kemi gjetur Sulejman Et-Temimij të tillë, nëse ishte kohë namazi e gjenim se falej e nëse nuk ishte kohë namazi e gjenim me abdes apo duke vizituar të sëmuret apo duke përcjellë xhenaze për në varreza apo ulur në xhami, poashtu kemi vërejtur se ai nuk di t’i bëjë mëkat Allahut”.[13]
Xherir bin Abdulhamid thotë: ”Nuk i kalonte moment Sulejman Et-Temimiut vetëm se jepte lëmoshë, e nëse nuk kishte se çka të jepte, falte dy rekate namaz”.[14]
(... vazhdon)
Përktheu nga gjuha arabe, Shaqir Karaliti
Kasim, Arabi Saudite
[1] Mutafifin (26)
[2] Al Imran (133)
[3] Mu’minun (61)
[4] Fetava (k.15/fq.165-166)
[5] Edh-Dhehebij në Sijer E’lamu Nubela (k.7/fq.125)
[6] Ibn Kajjim në Daru Seadeti (k.1/fq.48)
[7] Ravdetul Ukala (fq.178)
[8] Muhamed Rashid në El-Avaik (fq.150)
[9] Fadlullah Samed në Sherh El-Edeb El-Mufrad (k.2/fq.48)
[10] Gafir (52)
[11] Tevbe (87)
[12] Imam Ahmed në Kitabu Zuhd (fq.11),dhe Ibn Xhevzi në Menakibu Imam Ahmed (fq.140)
[13] Hiljetul Evlija (k.3/fq.28),Edh-Dhehebijj në Sijeru E’alamu Nubela (k.6/fq.198)
[14] Edh-Dhehebij në Sijeru E’alamu Nubela (k.6/fq.199)