Youtube/Tezkije
Justifikimet e dembelëve (V)
Dr. Jahja ibn Ibrahim el-Jahja
 01.10.2015

(...artikulli paraprak)

16. Martesa

    Shumica e atyre të cilët e kanë lënë pas dore çështjen e martesës kanë konsideruar se  gruaja është pengesë në rrugën e thirrjes; porse në anën tjetër epshi shpeshherë e largon dhe e dobëson njeriun aq shumë sa që nuk arrin dot ta kontrollojë më epshin e vet, derisa ai ta largojë komplet nga kjo rrugë.

    Xha’fer bin Muhamed thotë: ”E kam dëgjuar Malik bin Enes duke thënë: “A dëshiron dikush prej jush ta martoj “mëndafshin e pa prekur” (epitet që i vihej asaj që posedon të gjitha cilësitë e bukura) nga familja mbretërore (e romakëve)? Apo ndonjë robëreshë të cilën e kanë rritur prindërit e saj sikur të jetë një ajkë, sa here që e pyet se: “çfarë dëshiron”, të përgjigjet me shumë thjeshtësi: “Dua një mbulesë të bukur.” E ti përsëri e pyet, e ajo njëjtë, nuk kërkon shumë;” pastaj tha imam Maliku: “Vallahi ky thirrës do ta humb fenë e tij, nëse nuk e marton këtë jetime të dobët, e pastaj ta veshë atë me një petk të bukur dhe kështu të jetë i shpërblyer”.[1]

17. Mungesa e baraspeshës në veprime

    Ti japësh çdokujt atë që i takon me të drejtë, siç thotë Muhamedi : ”Vërtet ndaj vetes tënde ke obligim, e poashtu ndaj vizitorit, prandaj jepja çdonjërit të drejtën e tij.”

    Duke u angazhuar me thirrjen e të tjerëve i neglizhon ata që ka obligim ndaj tyre, kështu që pa pritur e gjen veten indiferent ndaj prindërve, të afërmve, fëmijëve dhe familjes në përgjithësi, duke mos i edukuar fëmijët ashtu siç duhet, gjithë kjo nën pretendimin se është i angazhuar me thirrjen e të tjerëve e duke i lënë anash ata që kanë më shumë të drejtë.

    Sikur të ia kishte dhënë secilit të drejtën nuk do të vinte në këtë përfundim.

18. Kryerja e punëve për të cilat nuk është i përgatitur dhe nuk përshtaten me personalitetin dhe mundësitë e tij

     Duke dale dështak pas çdo veprimi të tillë, e godet dëshpërimi dhe braktis çdo aktivitet dhe as që përpiqet të ndryshojë.

    Ali bin Ebi Talib thotë: ”Vlera e çdo personi është në atë punë që e përkryen”.

    Shokët e Muhamedit kishin dallime mes vete në zotësi, secili e vepronte atë që e përkryente, dhe në këtë mënyrë nuk është parë asnjëri prej tyre të dështojë në këtë aspekt; Halid bin Velidi ishte shpata e Allahut në luftë, Ubejj bin Ka’bi ishte më i dituri në lidhje me Kur’anin, Muadh bin Xhebeli ishte më i dituri prej tyre në lidhje me të ndaluarën dhe të lejuarën (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë).

    Ja për shembull, Ebu Dherri, ishte prej atyre që la gjurmë të mëdha në thirrjen islame, saqë një numër i madh nga fisi “Gifar” (fisi i tij) e pranuan islamin nga dora e tij, por megjithatë nuk i takonte të bëhej udhëheqës i besimtarëve, siç paralajmëroi për këtë vetë Muahmedi .

19. Kërkon një aktivitet që i përshtatet dëshirave dhe ëndrrave të tij

    Ky aktivitet as që mund  të parafytyrohet në realitet, apo nuk ka mundësi të realizohet, pastaj kjo bën që idetë dhe pikëpamjet e tij të shndërrohen në imagjinata idealiste, sa herë që dikush kërkon prej tij ndonjë veprim të caktuar ai arsyetohet se nuk mund ti realizojë idetë dhe “fantazmat” e tij.

    Ibn Mesudi thotë: ”Nëse Allahu ia dëshiron të mirën një robi, e forcon atë dhe e bën që të kërkojë atë që e ndihmon dhe i përshtatet, dhe ia mëson atë që i bën dobi”.[2]

    Zejd bin Alij i tha djalit të tij: ”O djalosh! Kërkoje atë që të intereson dhe lëre atë që nuk të intereson, sepse vetë braktisja e kësaj të fundit të bën që të angazhohesh me atë që të intereson; Dije se ajo që e ke vepruar ka ikur dhe nuk mund ta rikthesh atë që e le anash; Zgjedh atë që do ta gjesh nesër dhe lëre atë që nuk do ta shohësh kurrë”.[3]

20. Ngutja e rezultateve dhe shkurtimi i rrugëve që çojnë tek to

    A harroi ky vëlla se është në shërbim të njerëzve, “vakëf”për hir të Allahut, ai ecën në përputhje me dëshirat e të Dashurit të tij ngado që të drejtohen karvanët e tyre, dhe nuk kërkon prej tyre shpërblim dhe as nuk pret që të përmendet në mesin e tyre, siç e përshkruan Fatime bint Abdulmeliku burrin e saj Umer bin Abdulazizin: ”Ia kushtoi tërë veten dhe vëmendjen e tij muslimanëve dhe problemeve të tyre, aq sa kur e zinte mbrëmja pa i mbaruar të gjitha nevojat e njerëzve vazhdonte edhe natën derisa i mbaronte”.[4]

    Disa nga shokët e tij të vjetër i thanë Umer bin Abdulazizit: ”Sikur të ndaje një kohë për ne, e ai tha: Ku është koha e lirë?! Iku koha e lirë, nuk ka më tjetër kohë të lirë përveçse kur të shkojmë tek Allahu”.[5]

    Thuhej për Muhamed bin Ahmed Ed-Debbahijj: “Ishte i dhënë pas adhurimit, punës së vazhdueshme dhe përkushtimit; e shfrytëzoi kohën e tij vetëm në të mirë … i qëndrueshëm në fe, duke i këshilluar vëllezërit besimtarë, e nëse do e shikoje atë, do ta vëreje përkushtimin e tij në fytyrën e tij”.[6]

    I çuditur, dembeli po e pyet të përkushtuarin: ”Deri kur kështu do ta lodhësh veten?! Përgjigjja ishte e shpejt dhe e prerë: Qetësimin e shpirtit e dëshiroj!”.[7]

Çuditem me disa të mbështetur në shpresat e gjata …………….

…………  përballë ngjitjes së vështirë, me shumë lehtësi thanë:

Mos u lodh fare! Allahu te ruajt! .............

 ………… Sepse edhe ashtu do ta mbjellësh farën në tokën e jopjellore

Ngadalë thashë, se nuk e kam zakon të dëshpërohem ………..

 ………… unë do ta mbjellë farën time, kurse frutat janë prej Allahut

Përderisa e kam përcjellë me mund këtë mesazh …………..

 ……….. nuk është mëkat imi nëse nuk ka veshë që dëgjojnë.

 

21. Braktisja e njerëzve të mirë dhe aktiv

    Shejtani dhe epshi i njeriut që urdhëron për të keq, së bashku e luftojnë këtë njeri derisa ta sfidojnë atë, ky është sekreti i thënies së Muhamedit : “Ujku e han kokëforten (atë që ndahet) nga kopeja”.[8]

    Të parët e mirë nuk e lenin pasurinë e tyre në garanci të dikujt prej muslimanëve përderisa të mos e vërtetonin se ai merrte pjesë në namazin me xhemat, për shkak të rëndësisë dhe madhështisë së namazit me xhemat.

    Muhamed Vafi thotë: “Nuk ka në këtë botë kënaqësi më të madhe se falja e namazit me xhemat dhe takimi me vëllezër besimtarë”.[9]

    Hasan El-Basriu thotë: ”Nuk ka vlerë diç tjetër nga jeta përveç këto tri gjëra: Një vëlla musliman qe ka sjellje të mirë me ty, i cili të drejton kur të devijosh, pastaj të jetuarit e thjeshtë pa borxhe ndaj askujt dhe namazi me xhemat, na mjafton shpërblimi për këto”.[10]

    Hasan El-Basriu thotë për besimtarin: “Është pasqyrë për vëllanë e tij, nëse sheh diçka që nuk i pëlqen tek ai, e përmirëson, e drejton, e rregullon dhe kujdeset për të në fshehtësi dhe haptazi”.[11]

“Syri sheh afër dhe larg ……..

……. por veten nuk e sheh dot përveçse në pasqyrë.”

    Umer bin Abdulazizi thotë: ”Kush i mban lidhjet me vëllanë e tij besimtar, e këshillon në çështjet e fesë dhe i ndihmon në çështjet e kësaj bote, veçse i ka rregulluar raportet me të dhe e ka kryer obligimin ndaj tij”.[12]

    Imam Shafiu thotë: ”Nuk e ka pranuar dikush këshillën time veçse e kam dashur atë, dhe nuk e ka refuzuar dikush këshillën time veçse e ka humbur respektin tim dhe jam ndarë nga ai”.

    Allahu i Lartësuar i përshkruan të devijuarit si të tillë që nuk e pranojnë këshillën dhe nuk i duan këshilluesit, duke thënë për ta: “… por ju nuk i përfillni këshilluesit.”[13]

    ”Nuk ka qortues më të mirë për të ndershmin sesa vetja e tij, kurse shoku i mirë e përmirëson atë.”

22. Mendimi se dyert e thirrjes janë të kufizuara apo janë mbyllur të gjitha

    Nga pamundësia për të bërë diçka demoralizohet dhe nuk mendon për metoda të reja të thirrjes, apo edhe e sheh të pamundur një gjë të tillë.

    Kush mendon se dikush prej krijesave, kushdo qoftë ai, i ka harxhuar dhe mbyllur të gjitha rrugët e thirrjes islame, ka menduar një mendim të keq për Allahun dhe nuk e ka madhëruar Atë ashtu siç e meriton.”

    I Lartësuari thotë: “Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e Allahut, e Allahu nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë”.[14]

    Ibn Kajjimi thotë: ”Kush ka bindje në mbështetjen e pabesimtarëve kundrejt besimtarëve mbështetje të plotë, veçse ka krijuar mendim te keq për Allahun”.

    Ibn Xhevzi thotë: ”Të përzgjedhurit prej njerëzve janë ata të cilët që kur janë zgjuar nuk kanë fjetur më; prej që kanë marrë rrugën nuk janë ndalur më; kuptimi i tyre është ngritje dhe avancim, sa herë që e kalonin një shkallë kuptonin mangësitë e tyre në të, pastaj kërkonin falje për to”.[15] 

    Harun Berberijj thotë: “Mejmun bin Mehran i shkroi Umer bin Abdulazizit pasi e emëroi me një detyrë që kishte të bënte me taksat, dhe të ishte gjykatës në xhezireh, duke i thënë: “Jam plakur dhe dobësuar, ndërsa ju me keni emëruar gjykatës?!” Umeri ia ktheu: “Unë nuk të kam ngarkuar me diçka që të mundon, pra ti vetëm sjell nga taksat pasuri të mirë dhe gjyko mes tyre me atë që e di, e nëse të veshet ty diçka atëherë ngrite çështjen tek unë, sepse nëse njerëzve u rëndohet ndonjë çështje ata do ta braktisin atë, pastaj nuk ka dobi as feja e as dynjaja e tij”.[16]

    Iu ka krijuar bindja se nuk ka forma dhe mënyra tjera të përhapjes së fesë përveç atyre të cilat ai i ka në mendje; apo një tjetër mendon se nuk mund të bëhet thirrja në Islam vetëm se nëpërmjet ligjëratave, mësimeve, shpërndarjes së incizimeve apo librave, duke harruar kështu format tjera të thirrjes si: shembulli i mirë, fjala e dobishme, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja, mbajtja e lidhjeve farefisnore duke i orientuar dhe këshilluar ata, pastaj butësia me njerëzit dhe sjellja e mirë me ta.

(... vazhdon)

Përktheu nga gjuha arabe, Shaqir Karaliti

Kasim, Arabi Saudite

 



[1] Imam Ahmedi ne Kitabu Zuhd (fq.447-449)

[2] El-Ibanetu (k.1/fq.419)

[3] Po aty

[4] Ibn Abdulhakem ne Siretu Umer (fq.146)

[5] Ibn Sa’d ne Tabakat (k.5/fq.397)

[6] Dhejlu Tabakatil Hanabileh (k.2/fq.361)

[7] Ibn Kajjim ne El-Fevaid (fq.42) dhe Muhamed bin Rrashid ne Err-Rrekaik (fq.62)

[8] Ahmedi,Ebu Davudi dhe Nesaiu

[9] Imam Ahmedi ne Kitabu Zuhd (fq.440)

[10] Hatib El-Bagdadi ne Et-Tarih (k.6/fq.99)

[11] Ibn Mubarek ne Ez-Zuhd (fq.232)

[12]Ibn Xherir Et-Taberij ne Et-Tarih (k.6/fq.572)

[13] El-E’araf (79)

[14] Et-Tevbe (32)

[15] Sajdul Hatir (fq.355)

[16] Edh-Dhehebij ne Sijeru Alamu Nubela (k.5/fq.74)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja